‘Mollëkuqja’ ka përfunduar me sukses programin nëntë mujor mentorues për raportim gazetaresk të temave për çështje gjinore. Fatos Grubi, Era Gjakova dhe Almira Xhaferi fillimisht kanë kaluar me sukses trajnimin në lidhje me këtë, më pas nën mentorimin e vullnetarit të Korpusit të Paqes të angazhuar në Mollëkuqja, Dan Robrish, kanë shkruar disa artikuj të cilat janë publikuar në Mollëkuqja.mk.
Në trajnimin tre ditor ata janë njoftuar me mënyrën e të shkruarit, metodat e kërkimit dhe format e raportimit adekuat mbi tema gjinore. Theksojmë se ‘Mollëkuqja’ është portali i vetëm tematik në gjiuhën shqipe në Maqedoninë e V. i cili shkruan ekskluzivisht dhe vetëm për tema që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, edukimin seksual dhe ngjashëm.
Rrugëtimi i tashmë gazetarëve të lartëpërmendur u kurorëzua me eventin përfundimtar ku atyre iu ndanë edhe certifikata përkatëse nga drejtorja ekzekutive e QMB “Mollëkuqja”, Rita Behadini, kryeredaktori përgjegjës i portalit, Ardit Ramadani dhe mentori në këtë program, Dan Robrish.
“Jam shumë i lumtur që kam pasur mundësi të punoj me këto njerëz. Ky program ishte i nevojshëm dhe uroj të kemi bë punë të mirë” tha mes tjerash Dan Robrish, gazetar nga ShBA-të angazhuar aktualisht në ‘Mollëkuqja’.
Ardit Ramadani është kryeredaktor përgjegjës në Mollekuqja.mk dhe gjithashtu i angazhuar në programin për gazetarë të rinj. Para pjesëmarrësve në këtë ngjarje foli për rëndësinë e këtij programi dhe sfidat me të cilat janë përballur përgjatë këtij rrugëtimi.
“Kur nisëm të funksionojmë si portal që shkruan vetëm për tema specifike, e kishim shumë të vështirë të gjejmë gazetarë që dinë të shkruajnë në lidhje me këto tema, të cilat thuajse asnjëherë nuk ishin trajtuar më herët nga mediet në vend, kur e pamë se s’ka ose vështirë gjenden, vendosëm t’i krijojmë ato, duke i trajnuar dhe mentoruar. Ishte sfiduese, por definitivisht i gjithë mundi ja vlejti në fund” tha Ramadani.
Ai shtoi se tashmë për Mollëkuqja.mk shkruajnë 10 gazetarë dhe 3 kolumnistë ndërsa lexueshmëria çdo ditë e më shumë rritet, duke shtuar përgjegjësinë e redaksisë për raportim sa më të saktë dhe profesional.
Drejtorja Ekzekutive e “Mollëkuqja”, Rita Behadini paralajmëroi vazhdimin e këtij programi, pasi sipas saj, ka rezultuar shumë i suksesshëm në drejtim të fillimisht trajnimit të gazetarëve për raportim në lidhje me këto tema, më pas vetëdijësimit të masës përmes artikujve.
“Ne mendojmë që së shpejti të hapim thirrjen për pjesëmarrës tjerë në këtë program. Ka qenë program sfidues por njëkohësisht shumë i rëndësishëm. Të punosh me Almirën, Fatosin dhe Erën ka qenë kënaqësi” tha Rita Behadini.
Pjesëmarrësit e këtij programi ndanë përshtypjet e tyre.
“Që e vogël e kam pasur ëndërr gazetarinë dhe këtë mund të them se arrita ta realizoj në këtë program. Si studente e mjekësisë kam shkruar artikuj të cilët lidhen më tepër me çështjet gjinore dhe shëndetësinë”, tha Almira Xhaferi.
“Edhe pse tentojmë që të jemi shumë objektiv në shkrime, ai subjektiviteti jonë shfaqet në temat të cilat ne i përzgjedhim. Për mua si juriste një ndër temat që e kam punuar më me dëshirë ka qenë diskriminimi që u bëhet vajzave të mitura në burgje në krahasim me djemtë”, tha Era Gjakova.
“Ky program për mua ka qenë përcjellja e zërit tim te populli për shumë tema dhe padrejtësi shoqërore për të cilat unë shpesh revoltohem brenda vetes, dhe në këtë rast pata mundësinë të ju jap zë”, tha Fatos Grubi.
Më poshtë mund të gjeni artikujt e publikuar nga vullnetarët nga ky program.
Artikujt nga Almira Xhaferi:
- Pushimi menstrual, çka na tregon praktika botërore?
- Shëndeti i grave s’është prioritet për MV-në, bisedë me të mbijetuarën nga kanceri i gjirit, me një aktiviste dhe një mjeke
- ‘Mos qaj, ti je burrë’, mendësia patriarkale detyron burrat t’i fshehin ndjenjat, fenomen i rrezikshëm
Artikujt nga Era Gjakova:
- Toksik dhe maskilist: Mollëkuqja “përplas” mbështetësit dhe kritikët e Andrew Tate
- “Ka pasoja potencialisht kancerogjene”, çdo vit më shumë vajza përballen me pubertet të hershëm, pse?
- Pesë vite pre e dhunës, sa i ka kushtuar Gj.A.-së rruga drejt pavarësisë?
- Kur rolet gjinore kalojnë pragun e shtëpisë, burrave u pamundësohet ndërrimi i fëmijëve në tualete publike
- Në MV s’mund të lidhen kontrata para-martesore, pasojat e kësaj i përjetojnë kryesisht gratë
- Të diskriminuara edhe prapa grilave, vajzat e mitura s’e vuajnë njëjtë dënimin me burg si djemtë
Artikujt nga Fatos Grubi:
- Ri-virgjërimi për t’i kënaqur apetitet patriarkale, i pranishëm edhe në Maqedoninë e Veriut
- Analizë: Librat e ciklit të ulët janë gjithëpërfshirës, tekstet diskriminuese të padëmshme nëse mësuesit i evitojnë
- Gratë që betohen të qëndrojnë të virgjëra dhe të jetojnë si burra
- Nga ShBA-të në Maqedoninë e Veriut, Liz Biron rrëfen shok-un kulturor: Këtu janë më të theksuara rolet gjinore
Mollëkuqja së shpejti do të hapë thirrjen edhe për edicionin e dytë të programit “Through Ladybug’s Lens” ku të interesuarit do të mund të aplikojnë. Ndryshe me këtë ngjarje “Mollëkuqja” shënoi edhe hapjen e zyrave të saj në Shkup.