pink-minimalist-gynecologist-logo-(79).png

'Mos qaj, ti je burrë', mendësia patriarkale detyron burrat t'i fshehin ndjenjat, fenomen i rrezikshëm

PASOJA

November 30th, 2023

"Kam pasur sulme paniku, ankth dhe doza të depresionit, ndërsa kam qenë shumë i ri për t’i përballuar të gjitha këto", thotë i intervistuari i "Mollëkuqja", i cili ka preferuar të mos e ndaj me publikun emrin e tij të vërtetë. Ai jeton në Maqedoninë e Veriut dhe identifikohet si homoseksual, e për shkak të diskriminimit nga orientimi i tij seksual pranon që ka pasur sfida me shëndetin mendor. 

Duke pasur parasysh pritshmëritë shoqërore që shumë shpesh shtypin burrat, të njëjtët e kanë më të vështirë të flasin për emocionet dhe ndjenjat e tyre, por edhe për problemet e shëndetit mendor në përgjithësi. Këtë e konfirmon për "Mollëkuqja" psikologia Fatime Ziberi, sipas të cilës, nëse nisemi nga aspektet kultorore se "burrat nuk qajnë", "ata janë të fortit", ose të tjera, mund të pranojmë se burrat flasin më pak për shëndetin e tyre mendor.

Djemtë e komunitetit LGBTQ+ shumë më shpesh përballen me vështirësi në shëndetin e tyre mendor. Kjo shumë shpesh vjen si pasojë e diskriminimit që hasin për shkak të orientimit të tyre seksual.

"Jam përballur me disa lloje të diskriminimit, sidomos në shkollë, mësimdhënësit vazhdimisht kishin diçka për të thënë për mënyrën si unë flas, pse shoqërohem më shumë me vajza se sa me djem", tha i intervistuari jonë për Mollëkuqja.

Sipas psikologes Ziberi, përveç që burrat flasin më pak për shëndetin mental, ata gjithashtu dallojnë në mënyrën se si i manifestojnë këto probleme.

"E themi shpesh herë se çështjet e patrajtuara nuk zhduken vetvetiu, është sikur edhe mbajtja e emocioneve negative për një kohë të gjatë dhe pamundësia për menaxhim të shëndetshëm do të çojë në sjellje agresive dhe neurotike dhe në fenomenin e njohur 'burn out', pra djegia emocionale që shumë kush pëlqen të ndërlidhë më shumë me kënaqësinë në punë por kjo ka të bëjë me kënaqësinë apo satisfaksionin e jetës në përgjithsi." tha Fatime Ziberi, psikologe.

Personat e komunitetit LGBTQ+ nga ana tjetër kanë vështirësi të hapen me njerëzit për shkak të besimit të ulët që kanë në përgjithësi te to. Kështu potencoi i intervistuari jonë, i cili vendosi të ngelet anonim.

Kam pasur qysh si i vogël ndrojtje të flas edhe me më të afërmit e mi, shoqërinë apo ndonjë familjar që e dija se është më pranues, e lërë më me ndonjë të panjohur, pra vazhdimisht mendoja që fjalët qo do ja them psikologut apo psikologes do t’ju tranmetohen prindërve të mi, përveç kësaj, kisha frikë se do më paragjykojë edhe psikologia dhe nuk do më kuptonte, për këtë arsye s'kam kërkuar asnjëherë ndihmë, por ju sugjeroj të gjithë të rinjve që të kërkojnë, por paraprakisht të zgjedhin psikolog/e të mirë, dhe mendjehapur

shprehet ai.

Kur flitet për efektet e mundshme në shëndetin mendor të burrave, të cilat vijnë nga traumat dhe eksperiencat në fëmijëri, sipas Ziberit të njëjtat gjithmonë e gjejnë mënyrën për t'u rikthyer.

"Traumat nuk ikin apo zgjidhen vetvetiu, mundet të jenë në gjendje latente dhe të shtypura thellë në pavetëdije por në momentin e parë të ekspozimit të ndonjë stresori të kthehen tek individi", thotë Ziberi.

Kur bëhet fjalë për shëndetin mental dhe emocional, ai thotë se orientimi i tij seksual ka paraqitur sfidë veçanërisht në kohën kur ai ishte adoleshent, kur nuk e dinte se çfarë ndjente dhe kush ishte realisht.

"Mundohesha ta eksploroj veten, por edhe kur e kuptoja, sikur e mohoja", shprehet ai.

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë të mbrojtura në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Trupi Kombëtar Koordinues për mos-diskriminim po ndjek implementimin e ligjit. Maqedonia e Veriut ka një Grup Parlamentar Ndërpartiak në Kuvend për promovimin e të drejtave të personave LGBTI.

Në vitin 2021, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi trajtoi 14 denoncime për diskriminim në bazë të orientimit seksual, identitetit gjinor dhe origjinës sociale dhe gjeti diskriminim në 8 raste, ndërsa në vitin 2022, nga 39 raste, gjeti diskriminim në 22 raste.

Ndryshe, në Ballkan dominojnë burrat në aktin e vetvrasjes. Në Maqedoninë e Veriut nga 100 mijë banorë mesatarisht 9.4 persona e braktisin këtë botë si pasojë e vullnetit të lirë, vetëvrasjes. Sa i përket gjinisë, 74 për qind janë burra, ndërsa 26 për qind gra.

Almira Xhaferi

Almira Xhaferi

Almira Xhaferi studion Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës. Ajo është aktiviste e të drejtave të grave dhe vullnetare në programin “Through Ladybug’s Lens”. Angazhimi i Almirës për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe për të sjellë ndryshimin në të, dëshmon kontributin dhe pasionin e saj për avokim të të drejtat të grave. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia