Sfidat me të cilat përballen personat nga komuniteti LGBT+ në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të mbeten ndër temat më komplekse të të drejtave të njeriut në rajon, dhe shpesh janë aq të ngjashme nga një vend në tjetrin, sa duket sikur po flasim për të njëjtën përditshmëri të përsëritur me emra të ndryshëm shtetesh.
Edhe pse legjislacioni në shumicën e këtyre vendeve ka shënuar hapa pozitivë formalë nën presionin ose udhëzimet e komunitetit ndërkombëtar dhe proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian, përditshmëria e pjesëtarëve të komunitetit vazhdon të jetë e mbushur me stigmë, homofobi, dhunë fizike e psikologjike, si dhe hezitim institucional për t’u ballafaquar siç duhet me këto raste.
Se si qëndron situata konkretisht në vendet e rajonit, Qendra për Barazinë dhe Lirinë e Komunitetit LGBT, përmes një botimi të detajuar, ndalet pikërisht te këto ngërçe dhe tregon se cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit në disa shtete të Ballkanit. Raporti nuk e përfshin Maqedoninë e Veriut, prandaj më poshtë sillet edhe konteksti vendas, i marrë nga të dhëna dhe raportime të tjera mbi situatën e komunitetit LGBT+ në vend.
Kosovë: Të drejta në Kushtetutë, diskriminim në praktikë
Në Kosovë, Kushtetuta garanton barazinë para ligjit dhe ndalon diskriminimin, përfshirë atë në bazë të orientimit seksual. Megjithatë, për personat LGBT+ kjo mbrojtje nuk përkthehet gjithmonë në siguri, pranim dhe mundësi për të jetuar hapur pa frikën e paragjykimit.
Sipas publikimit, shumë pjesëtarë të komunitetit vazhdojnë ta fshehin identitetin e tyre nga pjesa tjetër e shoqërisë, ndërsa mungesa e mbështetjes së mjaftueshme institucionale mbetet një nga pengesat kryesore për ushtrimin e të drejtave të tyre.
Përveç hendekut mes ligjeve dhe zbatimit të tyre, probleme paraqiten edhe në legjislacionin që rregullon jetën familjare dhe njohjen ligjore të identitetit gjinor. Ligji për Familjen e kufizon martesën te personat e gjinive të kundërta, ndërsa mungesa e dispozitave nënligjore për ndryshimin e gjinisë në dokumentet civile krijon vështirësi për personat transgjinorë.
Megjithatë, publikimi evidenton edhe ndryshime pozitive. Angazhimi i organizatave të komunitetit dhe partnerëve ndërkombëtarë ka ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në bashkëpunimin me institucione si policia, prokuroria, gjyqësori dhe ministritë. Po ashtu, vërehet mbështetje më e madhe nga disa pjesë të shoqërisë dhe familjeve, ndonëse kjo nuk e eliminon diskriminimin.
Legjislacioni progresiv nuk e ka ndryshuar plotësisht realitetin në Shqipëri
Në Shqipëri, kuadri ligjor për mbrojtjen e personave LGBT+ përshkruhet si relativisht progresiv. Megjithatë, publikimi vë në dukje se përparimi ligjor nuk është shoqëruar me ndryshime të barabarta në jetën e përditshme të komunitetit.
Problemi kryesor mbetet hendeku mes të drejtave të njohura në ligj dhe zbatimit të tyre në praktikë. Miratimi i ligjit kundër diskriminimit nuk garanton që personat LGBT+ do të trajtohen pa paragjykime në shkolla, institucione shëndetësore, familje apo në jetën publike.
Një nga çështjet që kërkon më shumë vëmendje është mungesa e dokumentimit të vazhdueshëm të problemeve me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit. Pa të dhëna të mjaftueshme për përvojat e tyre, bëhet më e vështirë të identifikohen fushat ku nevojiten ndërhyrje konkrete.
Publikimi ngre pyetje për qasjen në shërbimet shëndetësore, veçanërisht për vajzat dhe gratë lezbike, biseksuale dhe transgjinore, si dhe për situatën e personave LGBT+ në arsim. Po ashtu, thekson nevojën për të trajtuar braktisjen e shkollimit si pasojë e bullizmit, dhunën në familje dhe disponueshmërinë e shërbimeve mbështetëse për personat që përjetojnë diskriminim.
Një tjetër problem është mënyra se si mediat e portretizojnë komunitetin. Gjuha diskriminuese dhe e urrejtjes mund të përforcojë paragjykimet, ndërsa mungesa e raportimit të përgjegjshëm mund ta zhvendosë vëmendjen nga të drejtat dhe përvojat e njerëzve drejt stereotipeve.
Për këtë arsye, organizatat e komunitetit vazhdojnë të kërkojnë zbatim më të mirë të ligjeve, monitorim të institucioneve dhe shërbime që u përgjigjen nevojave konkrete të personave LGBT+.
Një shembull i mbështetjes që ofrohet në Shqipëri është streha “STREHA” në Tiranë, e cila u shërben personave LGBT+ që kanë përjetuar diskriminim ose dhunë për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Sipas publikimit, ajo ofron mbështetje edhe për persona nga Kosova.
Sfidat në Serbi
Në Serbi, të drejtat e komunitetit LGBT+ janë përfshirë në strategji dhe dokumente shtetërore kundër diskriminimit. Në vitin 2014, qeveria miratoi Strategjinë kundër Diskriminimit dhe planin e veprimit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, ku përfshiheshin edhe të drejtat e personave LGBT+.
Edhe organizimi i paradave të krenarisë, të njohura si Pride Parade, është bërë pjesë e debatit publik dhe politik në vend. Megjithatë, sipas publikimit, ndryshimet në qëndrimin e institucioneve ndaj këtyre ngjarjeve nuk janë shoqëruar gjithmonë me vëmendje të mjaftueshme mediatike apo me mbrojtje efektive të komunitetit.
Një nga problemet kryesore është zbatimi i dobët i legjislacionit ekzistues. Publikimi thekson se raste të dhunës ndaj personave LGBT+ dhe autorë të njohur publikisht nuk kanë përfunduar domosdoshmërisht me dënime gjyqësore.
Kjo krijon hendek mes angazhimeve institucionale dhe drejtësisë që u ofrohet viktimave. Kur sulmet nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen në mënyrë efektive, personat e prekur mund të humbin besimin te institucionet, ndërsa autorët nuk përballen me pasoja që do të parandalonin përsëritjen e dhunës.
Publikimi vë në pah edhe problemin e moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo tregon se miratimi i strategjive dhe ekzistenca e mekanizmave ligjorë nuk mjaftojnë nëse institucionet nuk sigurojnë që vendimet dhe detyrimet e tyre të zbatohen.
Në këtë kontekst, aktivizmi LGBT+ në Serbi është bërë pjesë e agjendës politike, por kjo nuk do të thotë se komuniteti ka fituar automatikisht sigurinë dhe barazinë në jetën e përditshme.
Sfidë mbetet që mbrojtja të mos kufizohet në dokumente strategjike apo në organizimin e ngjarjeve publike, por të përkthehet në hetime efektive, vendime gjyqësore të zbatuara dhe mbrojtje reale nga dhuna e diskriminimi.
Mungesa e ndëshkimit e ushqen dhunën në Bosnje dhe Hercegovinë
Në Bosnje dhe Hercegovinë, një nga shqetësimet kryesore të evidentuara në publikim është reagimi i pamjaftueshëm institucional ndaj dhunës homofobike dhe transfobike.
Sipas gjetjeve, kur sulmet nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen në mënyrë të duhur, krijohet përshtypja se dhuna ndaj personave LGBT+ mund të tolerohet. Kjo jo vetëm që i lë viktimat pa drejtësi, por mund t’i inkurajojë autorët të përsërisin veprimet e tyre.
Publikimi thekson rëndësinë që policia dhe prokuroria t’i identifikojnë dhe trajtojnë këto raste si vepra të motivuara nga urrejtja, kur plotësohen kriteret përkatëse. Trajtimi i tillë është i rëndësishëm për të njohur motivin diskriminues të sulmit dhe për të dërguar mesazhin se dhuna për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor nuk duhet të tolerohet.
Megjithëse ekziston bashkëpunim mes organizatave LGBT+ dhe institucioneve shtetërore, publikimi vlerëson se mbetet shumë punë për t’u bërë. Pengesat nuk lidhen vetëm me reagimin e institucioneve, por edhe me vështirësinë që shoqëria ka për ta pranuar komunitetin si pjesë të barabartë të saj.
Në këtë drejtim, sfida e Bosnje dhe Hercegovinës nuk qëndron vetëm te njohja e të drejtave, por edhe te krijimi i mjedisit ku këto të drejta mund të ushtrohen pa frikën e sulmeve, përjashtimit dhe poshtërimit.
Siç mund të shihet nga këto gjetje, sfidat e komunitetit LGBT+ në Ballkanin Perëndimor pasqyrojnë betejë të përbashkët rajonale, ndarjen e thellë mes standardeve ligjore që miratohen mbi letra dhe mentalitetit patriarkal që dominon shoqërinë.
Derisa Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina kërkojnë të afrohen me familjen evropiane, emancipimi i vërtetë i rajonit matet jo vetëm me nene ligjore, por me shkallën e sigurisë, pranimit dhe dinjitetit që u ofrohet të gjithë qytetarëve, pa dallime, në këtë rast të identitetit gjinor apo orientimit seksual.
Maqedonia e Veriut
Edhe pse raporti i CEL-it nuk e përfshin Maqedoninë e Veriut, situata e komunitetit LGBT+ në vend nuk ndryshon shumë nga ajo e vendeve fqinje të përfshira në studim. Të dhënat e platformës “Govor na omraza” tregojnë se gjuha e urrejtjes vazhdon edhe gjatë këtij viti, me 15 raste të regjistruara deri në qershor, përfshirë edhe raste të lidhura me njoftimin për Paradën e Krenarisë, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 ishin evidentuar 76 raste të gjuhës së urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Që nga viti 2012 e deri më sot, numri i përgjithshëm i këtyre rasteve ka arritur në 1.066.
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) ka trajtuar gjatë vitit 2025 gjithsej 559 lëndë për mbrojtje nga diskriminimi, prej të cilave 10% kishin si bazë të raportuar gjininë dhe 8% identitetin gjinor. Në 56 prej këtyre rasteve, Komisioni ka konstatuar diskriminim, duke përfshirë raste të diskriminimit të drejtpërdrejtë në fushën e qasjes në punësim, çka tregon se problemi nuk kufizohet vetëm në hapësirën publike dhe atë online.
Aktivistët, megjithatë, vazhdojnë të paralajmërojnë për hendekun mes kornizës ligjore, e cila në masë të madhe është e harmonizuar me standardet evropiane, dhe zbatimit të saj në praktikë. “Rastet e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës shpesh nuk njihen dhe nuk procedohen siç duhet nga institucionet”, thotë Lila Miliq, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT+, e cila shton se problemi nuk qëndron vetëm te ligjet, por edhe te mungesa e vullnetit politik, kapaciteteve institucionale dhe një qasjeje proaktive nga ana e institucioneve përgjegjëse.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.



