pink-minimalist-gynecologist-logo-(70).png

Në MV s'mund të lidhen kontrata para-martesore, pasojat e kësaj i përjetojnë kryesisht gratë

MARRE

November 23rd, 2023

„Mendoja se divorci im nuk do të merrte fund asnjëherë” i tha Flora Shabani gazetares së Mollëkuqja, duke biseduar për pasojat e drejtpërdrejta që ka pasur ajo nga mungesa e ekzistimit të një kontrate paramartesore, që nuk njihet ende në Maqedoninë e Veriut, përmes së cilës do të ishte rregulluar me kohë se cilit partner, çka do t’i takonte – në rast të divorcit eventual.

Kanë kaluar 5 vite nga kur e intervistuara jonë Flora Shabani është shkurorëzuar – gjysmë dekade më vonë, ajo me vajzën e saj tetë vjeçe ende e vazhdojnë luftën për të marrë atë që ju takon, luftë kjo që bëhet më e vështirë për shkak të zbrazëtirave juridike të vendit tonë.  

flora.jpg

“Për mua personalisht shkurorëzimi ka qenë një “luftë e egër” për të cilën mendoja se nuk do të merrte fund asnjeherë. Pasojat e këtij shkurorëzimi vazhdoj t’i kem prezente edhe sot pas 5 vitesh” tha Flora Shabani, e cila është moderatore në TV21.

Nga njëra zyrë, te tjetra, Flora Shabani është detyruar me orë të tëra të qëndrojë para dyerve të Qendrës për Punë Sociale – nga ajo është kërkuar mes tjerash që t’i pranojë të gjitha kushtet e vëna nga ish-bashkëshorti, sot që flasim, ajo merr vetëm 3 mijë denarë alimentacion.

“Unë kam kaluar një betejë me veten fillimisht dhe pastaj me institucionet përkatëse, por sot, unë dhe vajza ime gati 8 vjeçe vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona, sepse asaj mos prezenca dhe mungesa e kujdesit dhe përgjegjësive të prindit tjetët i kompenzohet me vetëm 3,000 denarë alimentacion të cilat as nuk paguhen rregullisht.” theksoi Shabani.

Kjo situatë lehtësisht do të ishte evituar, nëse në Maqedoninë e Veriut do të njihej instituti i kontratave paramartesore, dhe Flora – si dhe çiftet tjera, do të ishin marrë vesht paraprakisht për situatat e mundshme pas shkurorëzimit eventual.  

“Një kontratë paramartesore do ta lehtësonte jashtëzakonisht shumë proceduren e shkurorëzimit. E para çiftet nuk do jenë të detyruar t’i shpallin luftë njëri tjetrit sepse paraprakisht janë dakorduar për çështjet si ndarja e pasurisë dhe obligimeve tjera. Dhe e dyta, nuk do të “përdoren” nga institucionet përkatëse. “ tha Flora Shabani, e cila shtoi se kështu do të kursehej një luftë e gjatë, që për të ka rezultuar të jetë me plot kompromise.

Çka në fakt janë kontratat paramartesore?

Marrëveshjet paramartesore (prenup) nënshkruhen nga çiftet para martesës ose bashkëjetesës – me anë të kësaj marrëveshje, ata bashkërisht vendosin për të drejtat/pasuritë që do t’i fitonin ato me njëri tjetrin pas martesës dhe çfarë do të ndodhte me këtë nëse martesa e tyre do të merrte fund, qoftë me shkurorëzim apo ma ndarjen nga jeta të njërit partner.

Ky lloj i kontratave nuk është i njohur në sistemin juridik të Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me këtë biseduam me Arta Selmani Bakiu që ligjëron të drejtën familjare në UEJL, ajo shtoi edhe një element që e thellon këtë problematikë, që është mendësia patriarkale e cila shpesh herë, kontratën martesore e konsideron si diçka që zbeh marrhëdhëniet emocionale mes bashkëshortëve të ardhshëm.

art.jpeg

“Në një shoqëri patriarkale si kjo e jona, kontrata martesore identifikohet si një instrument që heq karakterin material të marrëdhënieve martesore dhe zbeh marrëdhëniet emocionale mes bashkëshortëve të ardhshëm”, tha Selmani Bakiu. Por martesat bazohen në barazinë e plotë, bashkëpunimin, krijimin e përbashkët të të mirave materiale, kujdesin e përbashkët për njëri-tjetrin, për fëmijët si dhe për familjen në përgjithësi, kontrata vetëm siguron marrëdhënie të barabarta juridike pasurore ndërmjet bashkëshortëve. 

Përkundër praktikës së shteteve më të zhvilluara, në të cilat ekzistojnë disa lloje të kontratave që mund të lidhen para-martesës, me anë të së cilave do të rregulloheshin çështjet pronësore të çiftit, në Maqedoninë e Veriut këto s’janë të rregulluara fare.

“Në sistemin tonë juridik, për rregullimin e marrëdhënieve juridike pasurore, bashkëshortët i nënshtrohen regjimit pasuror ligjor, të cilin nuk kanë të drejtë që ta ndryshojnë me kontratë, pra, nuk kanë të drejtë që të lidhin kontratë martesore me të cilën do të përcaktonin pozitën e tyre pasurore në martesë. Sipas Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e tjera Sendore, bashkëshortët, kanë të drejtë të lidhin kontrata për mënyrën e administrimit dhe disponimit me pronësinë e pëbashkët, dhe atë të veçantë si edhe kontrata të tjera me të cilat nuk cënohet regjimi pasuror ligjor.” tha Selmani-Bakiu.

Mundësia për të lidhur kontratë paramartesore apo martesore, sipas profesoreshës, do të nënkuptonte jo vetëm alternativë bashkëshortëve martesorë/jashtëmartesor që sipas vullnetit të tyre të rregullojnë marëdhëniet pasurore gjatë kohëzgjatjes së martesës /bashkësisë jashtëmartesore së tyre si dhe në rastin e pushimit të martesës, por edhe plotësimin e zbrazëtirave ligjore në lidhje me këtë çështje.

“Ky institut barazon bashkëshortët në aspektin e kontributit në krijimin e pasurisë në martesë, qoftë ai kontribut direkt (financiar) apo indirekt (jomaterial- ruajtja e fëmijëve, përkujdesja për amvisërinë,etj.) dhe eviton pabarazinë financiare të bashkëshortëve. Mirëpo, praktika gjyqësore në vendin tonë na dëshmon të kundërtën- kemi shumë pak raste ku pasuria e përbashkët është ndarë në mënyrë të barbartë për të dy bashkëshortët. Kjo flet për nivelin shumë të ulët të respektimit të dispozitave ligjore në marrëdhëniet martesore.” përfundoi Selmani-Bakiu.

Por përkundër përfitimeve juridike dhe praktike, Selmani-Bakiu citoi një hulumtim të studentëve të saj në të cilin konkludohej se pjesa më e madhe e shoqërisë tonë “janë të mendimit se kontrata martesore vetëm do të prishte raportet midis bashkëshortëve martesorë duke vënë i vënë prioritet interesit pasuror dhe atij material në familje”.

Bisedë me avokaten Marta Gusar 

Për të kuptuar më shumë nga aspekti praktik, biseduam me avokaten Marta Gusar e cila shprehet se ekzistimi i një kontrate nuk do të lehtësonte as nuk do ta bente më paqësor një proces shkurorzimi mu për shkak të barrës psikologjike të humbjes së dikujt.

marta.jpg

“Në shkurorëzim vendoset për ndërprerjen e martesës, vendoset kujdestaria dhe alimentacionin. E këto nuk rregullohen nga një marrëveshje paramartesore. Por edhe nëse do të rregulloheshin, deklarata e vullnetit të palës që është dhënë në momentin e lidhjes së marrëveshjes, nuk do të thotë se nuk do të ndryshojë më pas. Gjithashtu, nuk mendoj se një marrëveshje paramartesore duhet të rregullojë kujdestarinë e fëmijëve të mitur, duke u nisur nga fakti se fëmijët nuk janë të mira materiale që të rregullohen në mënyrë kontraktuale.” tha Gusar.

Marta Gusar gjithashtu tregoi se në eksperiencën e saj si avokate asnjëherë nuk i ka rastisur që ndonjë klient t’i kërkojë që të lidh kontratë paramartesore, por që, ka pasur rast kur klientët kanë dashur të rregullojë pasurinë e fituar në martesë. E pyetur nëse në vendin tonë ekzistojnë kontrata ekuivalente me Kontratën Paramartesore, ajo shprehet se marrëveshje për të rregulluar pasurinë ka, por jo edhe për çshtjet që tandojnë aspektin familjar.

“Zgjidhjet alternative janë marrëveshjet për të rregulluar pronën gjatë jetës ose për të rregulluar pronën në përgjithësi me kontratë, në vend të procesit gjyqësor, por vlen ekskluzivisht për pronën. Kurse për rregullimin e kujdestarisë, alimentacionit dhe të ngjashme, nuk ka zgjidhje alternative, përderisa nuk ka ndryshim në ligj.” tha Gusar.

Në kohën kur shtetet bashkëkohore e kanë të inkorporuar këtë institut dhe partnerët e ardhshëm martesor munden lirshëm të rregullojnë çështjet pasurore, por jo vetëm, Maqedonia e Veriut ka ngecur 13 vite në përfundimin dhe miratimin e Kodit Civil në të cilin priten ndryshime ligjore sa i përket sferës së të Drejtës familjare.

Për shembull, në kuadër të sistemit juridik të ShBA-vë janë të përfshira lloje të ndryshme të kontratave si: kontratën paramartesore (premarital agreement), kontratën martesore (marital agreement) si dhe kontratën midis bashkëshortëve jashtëmartesorë (cohabitation agreement), të cilat direkt lidhen me rregullimin e pasurisë të përbashkët (pasuria e krijuar pas lidhjes së martesës) por edhe asaj të veçantë të bashkëshortëve (pasuria e secilit nga partner e krijuar para lidhjes së martesës).

Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia