pink-minimalist-gynecologist-logo-(40).png

Analizë: Librat e ciklit të ulët janë gjithëpërfshirës, tekstet diskriminuese të padëmshme nëse mësuesit i evitojnë

N'THELB

October 30th, 2023

Librat shkollor ofrojnë më shumë se një themel të standardizuar të njohurive dhe informacioneve. Ato janë gjithashtu thelbësor në zhvillimin e fëmijëve. Ato shërbejnë si materiale referimi që ndihmojne nxënësit të kuptojnë koncepte komplekse, inkurajojnë mendimin kritik dhe përforcojnë aftësitë për t’i zgjidhur problemet. Po aq i rëndësishëm është roli i tyre në tematizimin e diversitetit, rritjen e tolerancës dhe të kuptuarit më të gjërë të botës.

Në Maqedoninë e Veriut, institucioni përgjegjës për miratimin dhe botimin e librave shkollor është Shërbimi Pedagogjik, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Shërbimi Pedagogjik i funksionon bazuar në ligjin për librat e arsimit fillor dhe të mesëm.

Ajshe Ajrullai, udhëheqëse e sektorit në Byron për Zhvillimin e Arsimit, për Mollëkuqja foli për konceptin e ri për arsimin fillor. Ajo tha: “Me konceptin e ri për arsim fillor, parimi i barazis gjinore është përforcuar për shkak se arsimi fillor në përgjithësi është i bazuar në parimin e inkluzionit, interkulturalizmit dhe barazisë gjinore.”

“Standardet kombëtare dhe progamet mësimore janë përpiluar që të zhvillohen tek nxënësit kompetenca të nevojshme për barazin gjinore”, vazhdoi ajo, duke shtuar se këto informacione mund t’i gjejmë në uebfaqen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.

Analizë e librave shkollor

Në librat e klasës së parë dhe të dytë, përmbajtja është dukshëm më gjithëpërfshirëse/inkluzive, duke portretizuar djem dhe vajza që marrin pjesë në të njëjtat aktivitete, ilustrime që paraqesin vajza duke garuar, duke luajtur basketboll dhe tërheqje litari, dhe në të njëjtën kohë djem që praktikojnë balet, aktrojnë në teatër dhe mbjellin lule. Këto portretizime mund të luajnë një rol të rëndësishëm në normalizimin e këtyre interesave dhe hobive për të dy grupet në vend që t'i kategorizojnë ato në bazë të gjinisë.

pexels-photo-261909.webp

Ka tre tregime që përshkruajnë mënyrën se si fëmijët ndihen për gjininë. Në njërin nga tregimet, personazhet Luli dhe Ana shohin një ylber dhe me nxitjen e Anës që Luli të kalonte nën ylber (që thuhet se ndryshon gjininë e një personi), vërejmë rezistencën e tij, duke thënë se nuk dëshiron të jetë vajzë. Ana kundërshton duke i thënë se është shumë mirë të jesh vajzë.

Tregimi i dytë flet për një djalë që dëshiron t’i bashkohet një klubi kopshtarie në shkollë, por është i dekurajuar nga miqtë e tij, të cilët këmbëngulin që vetëm vajzat mund t'i bashkohen atij klubi dhe vazhdojnë të vënë në dyshim burrërinë e tij.

Tregimi i tretë fillon me studentët që planifikojnë të organizojnë një festë ditëlindjeje për një shok shkolle. Janë caktuar detyrat: djemtë duhet të marrin gjërat e nevojshme, ndërsa vajzat të dekorojnë tortën. Merali, një vajzë, shpreh dëshirën për të ndihmuar djemtë, por shoqet e saj e ndalojnë duke i thënë: "Ti je vajzë dhe duhet të na ndihmosh neve".

Këto tema u ofrojnë nxënësve mundësinë për të menduar në mënyrë kritike për rolet gjinore dhe për atë se si presioni i bashkëmoshatarëve mund t'i pengojë ata të ndjekin interesat e tyre.

Portretizimi i të rriturve

Librat gjithashtu përshkruajnë të rriturit në rrethana të ndryshme. Në një nga librat (libri i gjuhës shqipe për nxënësit e klasës së dytë) është përfshirë një tregim i shkurtër nga Jennifer Moore-Malinos, e cila diskuton për familjen me dy prindër që punojnë, pushimin e lehonisë dhe nënat beqare. Në faqen tjetër, ka një paragraf të shkurtër që rendit punën e papaguar që bëjnë nënat, të tilla si kujdesi për fëmijët, kujdesi për të moshuarit dhe punët e shtëpisë.

Megjithatë, shumica e përshkrimeve tjera ende mbështeten në stereotipe. Në shumicën e rasteve, është babai që drejton makinën, nëna duke larë enët dhe mësueset janë pothuajse gjithmonë gra. Ky portretizim pasqyron realitetin në Maqedoninë e Veriut, ku shifrat më të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave treguan se 71% e mësuesve të shkollave fillore janë gra.

Ka ilustrime që distancohen nga stereotipe të tilla, për shembull, babai bën petulla në një kapitull për pajisjet shtëpiake dhe nëna është oficere policie. Por këta shembuj janë të rrallë.

Shumë ilustrime tregojnë baballarët që përfshihen në jetën e fëmijëve të tyre, duke ngarë biçikletën me ta, duke i çuar në kopshtin zoologjik ose për një shëtitje. Megjithatë, nuk ka asnjë ilustrim të vetëm të një babai që mban fëmijën e tij ose ushqen fëmijën e tij, duke përforcuar kështu nocionin se nëna është kujdestarja kryesore e fëmijës. Ka poezi dhe letra që personazhet shkruajnë për nënat dhe mësueset e tyre, por një afërsi e tillë nuk përshkruhet mes fëmijëve dhe baballarëve të tyre.

Inkluzioni në librat shkollor

Megjithëse në një numër të vogël, librat shkollor të klasës së parë dhe të dytë ilustrojnë gjithashtu fëmijë me ngjyrë më të errët të lëkurës, të paraqitur në mjediset e klasës dhe në sport. Përveç paraqitjes së fëmijëve dhe të rriturve të aftë fizikisht, librat shkollor përpiqen të hedhin dritë mbi grupet për të cilat zakonisht flitet më pak dhe që përballen me pengesa të ndryshme në shoqërinë tonë.

Ka mjaft shembuj të djemve dhe vajzave që përdorin karrocë dhe të një djali që ka një vështirësi të papërcaktuar në të mësuar që me gjasë është disleksia. Për më tepër, ka informacione për shkrimin Braille, si dhe një shpjegim të gjuhës së shenjave, si dhe ilustrime të disa shkronjave dhe numrave.

Në një kapitull për familjet, ka një tekst që diskuton realitetin e fëmijëve që janë rritur në jetimore dhe që nuk i njohin prindërit e tyre. Në të njëjtën mënyrë janë të paraqitura struktura të ndryshme familjare, nga familjet me një prind deri tek familjet e gjera. Megjithatë, nuk ka përshkrim të familjeve të të njëjtit seks, për vetë faktin se as martesat e të njëjtit seks dhe as partneriteti civil nuk njihen në Maqedoninë e Veriut.

Mësuesit ndikojnë tek fëmijët, shpesh më shumë se sa librat

Qëndrimet e mësuesve ndaj kësaj teme janë të dobishme në zhvillimin e mendimeve  për rolet gjinore, shpesh duke marrë një rol më të rëndësishëm se librat. Edhe nëse librat portretizojnë një baba që kujdeset për fëmijët e tij ose një grua si drejtoreshë shkolle, nëse mësuesit nuk i theksojnë keto shembuj, fëmijët mund të përfundojnë duke përforcuar rolet tradicionale.

Këto pikëpamje ndahen nga Vjosa Taipi, përkthyese/interpretuese në parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila thotë se mënyra se si një mësues e zhvillon planin mësimor është po aq, nëse jo më e rëndësishme se përmbajtja e librit shkollor.

Ajo rrëfen një histori nga koha kur vajza e saj ishte në klasë të parë: Mësuesja iu kishte thënë nxënësve se djemtë nuk duhet të bëjnë punët e shtëpisë, as të gatuajnë dhe të lodhen, ndërsa vajzat duhet të jenë të pastra, të sjellshme, të ndihmojnë në punët e shtëpisë dhe në kuzhinë. “Babai im, nëna ime dhe unë i bëjmë të gjitha këto gjëra së bashku”, ishte përgjigjur ajo, duke thënë se në shtëpinë e tyre, asnjëri nuk është shërbëtor i tjetrit.

Ky incident tregon se ndërsa librat shkollor mund të përpiqen të përfshinë barazinë gjinore, përgjegjësia e zbërthimit të mendësive të njëanshme dhe barazimit të fushës së lojës bie mbi supet e mësuesve.

“Edhe pse sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut ka kaluar nëpër sfida dhe reforma të ndryshme me qëllim për të përmirësuar cilësinë e tij, ne si edukatorë dhe transmetues të një kulture të barazisë gjinore akoma kemi shumë punë për të bërë”. tha Rrita Syla, mësuese në një shkollë private.

Ne e pyetëm Sylën se si reagojnë studentët e saj kur shohin ilustrime të djemve dhe vajzave që marrin pjesë në të njëjtat aktivitete dhe nëse ata kanë më shumë gjasa t'i përkrahin apo t'i rezistojnë paraqitjeve të tilla.

“Ambienti shkollor është pasqyrë e shoqërisë dhe mund të them se ka mënyra të ndryshme se si perceptohet mësimdhënia [ e barazisë gjinore],” tha Syla. “Një numër i madh nxënësish priren të kundërshtojnë gjëra që nuk përputhen me ideologjitë dhe praktikat që hasin në familje dhe shoqëri. Pavarësisht  faktit që tekstet shkollore përpiqen të portretizojnë djemtë dhe vajzat në të gjitha aktivitetet në shoqëri, ka një hezitim të dukshëm nga ana e nxënësve për të përqafuar me tolerancë barazinë gjinore nga vetë fakti që botëkuptimet e tyre ndikohen më shumë nga familjet dhe shoqëria e tyre sesa nga ilustrimet në librat e tyre shkollor.”

Sa për mësuesit që lejojnë paragjykimet e tyre të ndikojnë në mënyrën se si ato trajtojnë temat që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, ajo tha se mësimdhënia duhet, pa përjashtim, të bazohet në parimet e barazisë.

“Nëse përpiqemi të arsyetojmë keqinterpretimet e studentëve për barazinë gjinore, do të thotë se jemi bashkëfajtorë në krijimin e një mjedisi gjykues dhe toksik”, tha Syla. “Është detyrë e çdo mësuesi të vërë në dyshim shkeljet që bëhen në librat shkollor dhe të stimulojë mendimin kritik te nxënësit.”

Fatos Grubi

Fatos Grubi

Fatos Grubi ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tetovës. Ai është shkrimtar, poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Fatosi ka punuar si mësimdhënës, kurse për momentin punon në “Sopro” si Ekzekutiv Marketingu.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia