pink-minimalist-gynecologist-logo-(12).png

"Ka pasoja potencialisht kancerogjene", çdo vit më shumë vajza përballen me pubertet të hershëm, pse?

N'THELB

September 10th, 2023

Puberteti është një fazë transformuese që të gjithë e kemi kaluar ose do ta kalojmë. Ajo shënon një tranzicion të rëndësishëm nga fëmijëria në moshën madhore. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër prej vetëm disa vitesh, ne pësojmë ndryshime të jashtëzakonshme fizike, emocionale dhe arrijmë pjekurinë seksuale.

Por sa e vërtetë është ajo që kemi lexuar për këtë fazë që ndryshon kaq shumë gjëra tek ne?

Për të mësuar më shumë rreth pubertetit dhe fazave të pubertit që kalojnë vajzat, Mollëkuqja ka intervistuar mjeken pediatre Arjeta Raufi, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, e specializuar në degën pediatri. Raufi ka kryer edhe studimet e doktoraturës në drejtimin e shkencave mjekësore në fushën e mjekësisë klinike pediatrike. Një pjesë e tezës së saj të doktoraturës ishte ekzaminimi i ndryshimeve hormonale te vajzat në grupmoshën 6-13-vjeçare.

Në intervistë, Raufi tha se puberteti fillon nga mosha 8 deri 13 vjeçare dhe është i ndryshëm për çdo vajzë.

arjeta.jpeg

Puberteti është një fazë vendimtare në zhvillimin e fëmijës, e shënuar nga një tranzicion delikat i shoqëruar nga një kaskadë ndryshimesh hormonale që burojnë nga hipotalamusi, hipofiza dhe gonadat. Puberteti fiziologjik tek vajzat zakonisht ndodh ndërmjet moshës 8 dhe 13 vjeçare. Megjithatë, është e domosdoshme të studiohen të gjitha rastet kur puberteti ndodh para moshës 8 ose pas moshës 13. Ashtu si çdo individ është unik, fillimi i pubertetit ndryshon në bazë të faktorëve të tillë si përkatësia etnike, raca dhe konteksti demografik në të cilin jetojmë

Arjeta Raufi

Sipas Raufit, puberteti tek vajzat fillon me zhvillimin e gjoksit dhe përfundon me ciklin e parë menstrual.

Puberteti kalon nëpër faza të ndryshme”, tha Raufi. “Shenjat e para të pubertetit karakterizohen nga shfaqja e karakteristikave dytësore seksuale, konkretisht zhvillimi i gjirit, i cili kalon në pesë etapa. Ky është ndryshimi i parë karakteristik që shoqëron fillimin e pubertetit. Kjo pasohet nga rritja e qimeve pubike në rajonin pubik dhe qimeve sqetullore në sqetull. Së fundi, menarka, cikli i parë menstrual, ndodh rreth një vit e gjysmë deri në dy vjet pas shenjave të para të pubertetit dhe përfaqëson pikën kulmore të pubertetit tek vajzat. Shfaqja e menarkës tregon se puberteti po përparon dhe po i afrohet fundit. Duke monitoruar dhe kuptuar nga afër këto faza progresive, ne fitojmë njohuri të vlefshme për trajektoren e zhvillimit të pubertetit tek vajzat."

Një tipar që po bëhet më i shpeshtë sot është që vajzat të hyjnë në pubertet në një moshë më të re se në të kaluarën. Pa anashkaluar faktorin gjenetik, Raufi tha se tendencat e fundit tregojnë se puberteti po fillon më herët se në gjeneratat e mëparshme.

"Shohim një rritje të numrit të vajzave që arrijnë pubertetin më herët në krahasim me gjeneratat e mëparshme. Marrë parasysh edhe rolin e gjenetikës, është e dukshme se në këtë ndryshim gjithashtu kontribuojnë faktorët e jashtëm", ​​tha Raufi.

Raufi shtoi se disa nga ndryshimet rrjedhin nga ato që mjekët quajnë "trende sekulare", të cilat pasqyrojnë ndryshimet e vazhdueshme që në shoqëri kalon brenda një periudhe prej 100 viteve.

"Këto trende sekulare janë të dukshme në aspekte të ndryshme të zhvillimit të fëmijës, duke përfshirë të ushqyerit, rritjen fizike dhe fillimin e pubertetit", tha Raufi. "Një nga këto ndryshime është ndryshimi në fillimin e pjekurisë seksuale, ku fëmijët nga gjeneratat e reja përjetojnë pubertetin më herët në krahasim me prindërit e tyre dhe gjenerat e mëparshme."

Ndikim të rëndësishëm në shfaqjen e këtyre trendeve sekulare luajnë faktorët e jashtëm, me të cilët, sipas Raufit, jemi në kontakt të përditshëm dhe pothuajse të pashmangshëm, pasi ato gjenden kudo.

Për sa i përket fillimit të hershëm të pubertetit në gjeneratat e reja, roli i faktorëve të jashtëm, si kushtet socio-ekonomike, faktorët e të ushqyerit dhe prania e të ashtuquajturve 'disruptorëve endokrin',  në shkencë janë studijuar shumë vonë. Këto disruptorë janë kimikate që gjenden në pesticide, në produkte higjienike dhe kozmetike, në plastikë, madje edhe në shishet plastike. Disruptorët endokrin kanë aftësinë për të imituar hormonet, duke u lidhur me receptorët e hormoneve dhe duke shkaktuar ndryshime brenda trupit të njeriut. Është e rëndësishme të theksohet se edhe ekspozimi ndaj hormoneve të rritjes të përdorura në prodhimin e mishit dhe frutave që konsumojmë ndikon shumë në trupin e fëmijëve, duke kontribuar në shfaqjen e trendeve seksuale, pra, maturimit më të hershëm seksual në krahasim me gjeneratat e mëparshme

Arjeta Raufi

E pyetur për moshën më të hershme në të cilën janë vërejtur shenjat e pubertetit në studimin e saj te vajzat, pediatrja zbuloi se karakteristika e parë dytësore është vërejtur që në moshën 6-vjeçare, me një normë prevalence prej 2.6% dhe 8% në moshën 7-vjeçare. Ajo theksoi se fillimi i hershëm i pubertetit mund të sjellë efekte anësore që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e vajzave.

Raufi theksoi rëndësinë e hulumtimit të detajuar që po kryhet mbi efektet anësore shtesë që lidhen me pubertetin e hershëm.

“Disa studime kanë treguar qartë se puberteti i hershëm, me efektet e tij potencialisht kancerogjene, mund të lidhet edhe me menopauzën e parakohshme”, tha Raufi. Ajo shtoi se ata që arrijnë pubertetin para moshës 8 vjeçare mund të përjetojnë zhvillim emocional të paqëndrueshëm dhe ankth të shtuar.

Diskutimi i këtyre çështjeve me fëmijët është shpesh një sfidë për prindërit pasi ata janë përgjegjës për fëmijët e tyre dhe duhet t'i informojnë ata për ndryshimet që do të vijnë. Raufi tha se edukimi i fëmijëve mund të fillojë në moshën shkollore, por është e rëndësishme që prindërit të jenë të sinqertë dhe të flasin hapur për këto tematika të ndjeshme.

“Mendoj se në moshën në të cilën fëmijët ndërgjegjësohen për mjedisin qe i rrethon dhe ndryshimet seksuale, disa herët e disa më vonë, prindërit mund fillojnë të flasin me fëmijët e tyre. Kjo mund të ndodh që në moshën 7-vjeçare, sidomos atëherë kur fëmijët tregojnë shenjat sekondare seksuale”, tha Raufi. "Fëmijëve duhet t'u shpjegohet se është një fazë e nevojshme, një fazë fiziologjike që të gjithë e kanë kaluar. Gjithashtu duhet të edukohen edhe për fazat e pubertetit. Kjo temë, si çdo temë tjetër, duhet diskutuar hapur me fëmijët pasi ata janë shumë të aftë për të përvetësuar këtë informacion dhe sa më e qartë dhe më pak tabu të jetë për ta, aq më lehtë do të jetë për ta kapërcyer atë. “

Është e rëndësishme që prindërit të jenë të informuar për çdo ndryshim të vajzës. Dhe, siç tha Raufi, nëse prindërit vërejnë zhvillim të shpejtë apo të ngadaltë të pubertetit, fillim të hershëm të menstruacioneve, cikle menstruale të dhimbshme apo të çrregullta, atëherë prindërit duhet të konsultohen me pediatrin dhe gjinekologun. Ky hap është thelbësor për të kryer kontrolle mjekësore të mëtejshme dhe për të përcaktuar nëse këto ndryshime janë për shkak të pubertetit ose faktorëve të tjerë.

Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia