paster-colorful-menstruation-facebook-post-(1).png

Pushimi menstrual, çka na tregon praktika botërore?

FEMINISTING

July 20th, 2023

Spanja është vendi i parë në Evropë që miraton një ligj që u jep pushim menstrual të paguar grave që vuajnë nga dhimbjet menstruale. Nga ky ligj përfitojnë gratë që përjetojnë dhimbje menstruale, të tilla si ngërçe të forta, të përziera, marramendje dhe të vjella. Ky pushim mund të zgjatë deri në pesë ditë, por kërkon vërtetim mjekësor dhe financohet nga sigurimet shoqërore. Ligji, i miratuar në shkurt të vitit 2023 ka përjashtime dhe vlen vetëm për kompanitë me më shumë se 50 punonjës ndërsa nuk është obligativ, përkatësisht punëdhënësit janë të lirë të zgjedhin nëse do t'ua ofrojnë ose jo këtë shërbim punonjësve të tyre.

picture-1.jpg

Pushimi menstrual aktualisht ofrohet vetëm në disa vende të botës, duke përfshirë Japoninë, Tajvanin, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Zambinë.

Në disa vende, ligji vlen vetëm për disa lloje të industrive. Disa punëdhënës ofrojnë pushim menstrual me pagesë, ndërsa të tjerët kërkojnë që gratë të marrin pushim mjekësor ose pushim një ditor. Disa ligje ofrojnë një numër të caktuar ditësh pushimi për cikël, ndërsa të tjerat lejojnë marreveshje fleksibile në varësi të nevojave të individit.

Mendimi i banorëve të Spanjës në lidhje me ligjin e pushimit menstrual

Në lidhje me këtë, Mollëkuqja.mk bisedoi me një shqiptare e cila aktualisht jeton në Spanjë. B.L foli për rëndësinë që ky rregullim ligjor ka për gratë në Spanjë.

“Ligji është mirëpritur veçanërisht nga gratë, të cilat pranojnë se në ditët e para të ciklit jo vetëm që nuk janë në gjendje të punojnë në mënyrë produktive, por shkaktojnë edhe stres për pjesën tjetër të stafit”, tha ajo duke shtuar se ato ditë që merren si pushim mund të kompenzohen me mundesinë që na jep teknologjia në ditët e sotme.

Redon Zotaj i cili dy vite ka jetuar e studiuar në Spanjë potencoi për Mollëkuqja.mk se këto dispozita ligjore janë tejet të rëndësishme për gratë dhe shëndetin e tyre mendor. Ai shtoi se ligji rriti ndjeshëm ditët e pushimit në Spanjë, pasi Spanja ka shumë festa, veçanërisht ato fetare.

Zotaj shtoi se njeh gra që shfrytëzojnë këtë mundësi që ligji ofron dhe se kjo ndodh sepse menstruacionet ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor, duke ditur stresin që vjen me ciklin menstrual. Një kritikë për ligjet e ngjashme në vende të tjera është se ato do të bëjnë që punonjëset të shihen si më pak produktive. Zotaj nuk ishte dakord me këtë vlerësim. “Ligji është i mirëpritur, i pranuar dhe është i dobishëm për gratë,” tha Zotaj. “Për krahasimin me vendet aziatike nuk mund të them shumë, pasi lidhet me perceptimin e individëve dhe formimin e tyre ndër vite, duke shtuar këtu se janë dy forma të ndryshme qeverisjeje”.

Ai megjithatë ngriti dyshime se ky rregullim ligjor përbën rrezik që burrat të favorizohen në momentin e shpërndarjes së vendeve të punës.

Kjo mund të çojë në favorizimin e burrave gjatë shpërndarjes së vendeve të punës, por nuk e di se çfarë parashikohet për këtë ligj

Redon Zotaj.

Një shqiptare me banim në Spanjë që kritikoi ligjin është Rajmonda Mëlyshi. Siç u shpreh ajo: “Askush nuk do të përfitojë nga ky ligj, sepse nëse unë kërkoj pesë ditë pushim çdo muaj, pronari do të gjejë dikë tjetër që thotë se nuk ka dhimbje menstruale”.

Gjërësisht i disponueshëm, por rrallë i përdorur

Japonia prezantoi një rregullim ligjor për pushimin menstrual që në vitin 1947, e cila fillimisht u shfrytëzua nga rreth 26% e grave (1965). Këtë raportuan mediat lokale në Japoni. Me kalimin e kohës, pak gra përfituan nga opsioni i pushimit menstrual. Një studim i qeverisë japoneze i vitit 2017 zbuloi se vetëm 0.9% e punonjësve gra shfrytëzuan pushimin menstrual. Por jo vetëm në Japoni. Shfrytëzimi i pushimeve menstruale është në rënie edhe në Korenë e Jugut. Në një anketë e vitit 2013,  vetëm 23.6% e punëtoreve koreano-jugor morën këtë pushim, ndërsa në vitin 2017 përqindja ra në 19.7%.

Yumiko Murakami, kreu i Qendrës së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBEZH) në Tokio, kishte thënë për CNN se disa gra as nuk e dinë se ligji është i disponueshëm për ta, sepse një pjesë e kompanive vendosin të mos ju tregojnë.

Megjithatë, shqetësimi kryesor në Korenë e Jugut dhe Japoni, të cilat janë ndër vendet e para që zbatuan pushimin menstrual, sillet rreth faktorëve kulturorë.

Gratë tashmë ballafaqohen me shumë vështirësi në të dy shtetet, të cilat kanë disa nga diferencat më të larta të pagave në bazë gjinore në OBEZh dhe një nga proporcionet më të ulëta të menaxhereve gra.

“Megjithëse është e paligjshme në Japoni të diskriminosh punonjëset gra, ato shpesh ndihen nën presion për të dhënë dorëheqje nëse mbeten shtatzënë”, tha Murakami për CNN. Murakami shtoi se punonjësit e të gjitha gjinive në Japoni janë të dekurajuar nga shfrytëzimi i pushimeve të çdo lloji. Përveç kësaj, menstruacionet janë ende një temë e ndjeshme.

Nëse u thua njerëzve se po mer pushim për shkak të menstruacioneve, duket sikur nuk je aq e mirë sa burrat

tha ajo për CNN.

Sipas një raporti të vitit 2014 nga organizata filantropike Dasra, 70% e nënave në Indi pajtohen se menstruacionet konsiderohen "të pista", kjo është arsyeja pse vajzat në Indi humbasin 20% të vitit shkollor për shkak të menstruacioneve.

CNN Business raportoi në vitin 2020 se sipas Elizabeth Hill, profesoreshë në Universitetin e Sidneit që hulumton gjininë dhe punësimin, arsyeja pse pushimi menstrual është kaq i diskutueshëm edhe në mesin e feministeve është sepse ka pak të dhëna nëse pushimi menstrual ndihmon ose pengon në vendin e punës. Hill tha gjithashtu se shumë nga diskutimet rreth pushimit menstrual janë të ngjashme me ato që janë bërë për pushimin e lehonisë. Kritikët pohuan se nevoja që punëdhënësit të paguajë pushimin e lehonisë mund t'i dekurajojë ata të punësojnë punëtorë gra. Hill shtoi se politikat e pushimit të lehonisë inkurajojnë gratë të qëndrojnë në fuqinë punëtore. Kjo është e rëndësishme sidomos në Indi, ku ka një përqindje më të ulët të punësimit të grave me rreth 35%.

Menstruacionet janë ende të stigmatizuara edhe sot e kësaj dite

Disa kritikë në Spanjë kanë thënë se ligji mund të dekurajojë kompanitë që të punësojnë gra.

“Sepse të gjithë e dimë që në shumë raste na kanë pyetur a do të bëhemi nëna, diçka që nuk duhet pyetur dhe që nuk pyeten meshkujt. A do të jetë hapi tjetër të na pyesni nëse kemi dhimbje menstruale?” tha Cristina Antoñanzas, zëvendëssekretarja e Sindikatës së Përgjithshme të Punëtorëve në Spanjë (UGT), në një intervistë për Euro News pas miratimit të ligjit.

Menstruacionet ende konsiderohen si tabu jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por në të gjithë botën, gjë që mund të konfirmohet nga një studim dhe një eksperiment social i publikuar në qershor 2002 në revistën Psychology of Women Quarterly. Studimi testoi hipotezën e statusit menstrual të një gruaje, ku një grua që lëshoi një tampon nga xhepi perceptohej si më pak e pëlqyer dhe më pak kompetente. Disa të tjerë as që donin të uleshin pranë saj.

“Pushimi menstrual” nga pikëpamja mjekësore

Sipas Mayo Clinic, gratë përjetojnë shenja dhe simptoma emocionale të cilat përfshinë: tension ose ankth, demoralizim, të qara, ndryshime të humorit dhe nervozizëm ose zemërim, ndryshime në oreks dhe uri, vështirësi për të fjetur (pagjumësi), tërheqje sociale, vështirësi në përqendrim dhe ndryshime në epsh.

Përveç simptomave emocionale, gratë gjithashtu përjetojnë shenja ose simptoma fizike gjatë ciklit, duke përfshirë: dhimbje të kyçeve ose muskujve, dhimbje koke, lodhje, shtim në peshë për shkak të depozitimit të ujit në trup, fryrje, ndjeshmëri të gjoksit, shpërthim të akneve, kapsllëk ose diarre, dhe intolerance ndaj alkoolit.

Për disa gra, dhimbja fizike dhe shqetësimi emocional mund të jenë aq të rënda sa që duhet të ndërpresin aktivitetet e tyre të përditshme, por në përgjithësi simptomat lehtësohen brenda katër ditëve nga fillimi i menstruacioneve. Megjithatë, një numër i vogël i grave përballen me menstruacione të padurueshme çdo muaj; zakonisht kjo ndodh tek gratë që vuajnë nga sindroma premenstruale.

Ky artikull është përgatitur nën mentorimin e gazetarit Dan Robrish në kuadër të programit vullnetar "Through the Ladybug's Lens". Dan Robrish është vullnetar i Korpusit të Paqes i cili aktualisht punon në Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Më herët ka punuar në disa medie në ShBA, ndër të cilat: The Associated Press, Eli Daily Times, The Mercury.

Almira Xhaferi

Almira Xhaferi

Almira Xhaferi studion Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës. Ajo është aktiviste e të drejtave të grave dhe vullnetare në programin “Through Ladybug’s Lens”. Angazhimi i Almirës për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe për të sjellë ndryshimin në të, dëshmon kontributin dhe pasionin e saj për avokim të të drejtat të grave. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia