July 17th, 2023
Andrew Tate është një mizogjen i akuzuar në Rumani për trafikim të qenieve njerëzore, përdhunim dhe formim të një grupi të krimit të organizuar për të shfrytëzuar seksualisht gratë. Në intervista të ndryshme ai ka dhënë citate të ndryshme në lidhje me gratë: se "nuk ekziston një grua e pavarur", "Unë mendoj se gratë i përkasin burrit" dhe "Unë dal dhe e q--- dhe kthehem tek ajo dhe nuk më intereson, thjeshtë e dua të dashurën time. Kjo nuk është mashtrim, është stërvitje."
Personazhi i internetit dhe ish-kikboksieri ka shumë ndjekës mes të rinjve. Disa të rinj të intervistuar nga Mollëkuqja përmes emailit dhe rrjeteve sociale e përshkruajnë Tate si dikush për t'u imituar, ndërsa të tjerë e shohin atë si një shembull të maskulinitetit toksik.
E.E., një vajzë 22-vjeçare nga Shkupi, e sheh Tate si shembull pozitiv. Sipas saj, ai jep shembuj nga përditshmëria që nuk e mbështesin idenë e barazisë 50-50 midis burrave dhe grave. E.E shtoi se Tate nxjerr në pah natyrën radikale të shoqërisë së sotme dhe mënyrën se si shoqëria i përgjigjet keqbërjeve. Ajo thotë gjithashtu se mbrojtja e fjalës së lirë shumëzohet me zero nëse dikush guxon të mendojë ndryshe.
Arsyeja pse unë mbroj ideologjinë e tij është sepse teorikisht, sado e drejtë dhe e favorshme të tingëllojë '50-50' ose fjala 'barazi', Andrew jep shembuj të jetës së përditshme, se si në realitet dhe praktikë ajo formon një rrëmujë të pashmangshme
E.E
Si shembuj, ajo përmendi shkallën më të lartë të vetëvrasjeve të meshkujve dhe shkaqet që çojnë në vetëvrasje. E pyetur se si e sheh pozitën e Tate ndaj vajzave dhe grave dhe nëse ideologjia e tij është toksike, E.E tha se mesazhi i Tate është të mos objektivizojmë vajzat dhe se ata që kanë ndjekur intervistat e tij të plota kanë pasur rezultate pozitive.
“Mesazhi më i rëndësishëm që ai u përcjell grave është të mos vetë-objektivizohen, të mos bëhen skllave të mediokritetit dhe medias, pasi janë në energjinë e tyre femërore dhe të kuptojnë se vetëm nga natyrat tona të ndryshme mund të balancojmë njëra-tjetrën.” përfundoi E.E.
Art Morina, 21 vjeç, i cili jeton në Kosovë, tha se Tate e ndihmoi atë të krijonte një rutinë të përditshme më të organizuar dhe më të disiplinuar. Morina tha se ka më shumë respekt për gratë se më parë, por nuk duhet të harrojmë se nuk mund të jemi të barabartë në çdo aspekt.
"Që kur fillova të ndjek Andrew Tate, kam qenë më i rregullt në punë dhe gjithashtu në aktivitet fizik. Gjithashtu jam më i organizuar dhe kam më shumë disiplinë në jetën time," tha Morina. “Unë kam edhe më shumë respekt për gjininë femërore, vetëm duhet të dimë të ndajmë gjërat në të cilat burrat janë më të mirë se gratë dhe ku gratë janë më të mira se burrat sepse nuk mund të ketë barazi në të gjitha fushat dhe ky fakt keqinterpretohet, por është më shumë se e kuptueshme që nuk jemi njësoj” tha Morina.
Morina tha se Tate duhet ndjekur dhe kur u pyet se si e kupton ai burrërinë që mishëron Tate, ai tha se burrat duhet të bëjnë detyrën e tyre pavarësisht se si ndihen.
Unë mendoj se të ndjekësh Tate është një rrugë e mirë për t'u ndjekur. Ne, si burra, kemi detyra dhe obligime që duhen kryer pavarësisht nëse kemi dëshirë t'i bëjmë ato apo jo. Nëse dëshiron të jesh i suksesshëm, nuk ke kohë të presësh për motivim apo për mënyrën se si ndihesh. Zgjohesh, punon dhe e kryen punën pavarësisht se si ndihesh, mban fjalën dhe tregon pozitën tënde ndaj njerëzve dhe ndikimin pozitiv që ke.
Art Morina
Nga ana tjetër, Gent Azizi, 22 vjeç, nga Shkupi nuk e sheh Tate si shembull të duhur për t'u ndjekur, sepse sipas tij, ata që e ndjekin do të zhyten edhe më shumë në depresion. Sa i përket pozitës së vajzave dhe grave, Azizi tha se Tate e kufizon rolin e tyre dhe i vë në pozitë inferiore ndaj burrave.
“Unë mendoj se nëse dikush mendon se ai stil jetese është i drejtë, ai do të zhytet edhe më tej në depresion dhe mendoj se do të përjetojë huajsim nga realiteti”, tha Azizi.
Ai vazhdoi duke thënë se Tate respekton vetëm kontributin e grave si amvise dhe kundërshton të gjitha arritjet tjera të grave.
“Shumicën e kohës ai flet edhe me sharje ndaj grave me karrierë të suksesshme apo grave që devijojnë nga perceptimet tradicionale, gjë që është e tmerrshme”, shtoi Azizi.
Kur u pyet për maskilizmin që përhap Tate, Azizi tha se në shumicën e rasteve është toksik dhe i papërshtatshëm për shekullin në të cilin jetojmë. Sa i përket faktit nëse Tate duhet të shërbejë si model, Azizi mendon se ai duhet parë vetëm si një personazh mediatik dhe thotë se ka një problem me njerëzit që e shohin Tate si një ekspert shoqëror.
"Nëse dikush e sheh atë si një "shpëtimtar" ose "kujdestar të shoqërisë tradicionale", atëherë mendoj se ka diçka që nuk shkon me atë person," tha ai.
Mënyra se si Tate ka ndikuar te F.H. ndryshon nga të anketuarit e tjerë. F.H., 18 vjeç, nxënës i shkollës së mesme në Shkup, tha se nuk ka ndryshuar vetëm gjendja e tij ekonomike, por edhe marrëdhëniet e tij me vajzat. Ai tha se gratë dhe vajzat që nuk e respektojnë veten, nuk e meritojnë as respektin e tij.
"Unë kam ndryshuar," tha F.H. "Ka ndryshuar situata ime ekonomike dhe marrëdhënia ime me disa lloje të vajzave. Vajzat që nuk kanë respekt për veten dhe nuk kanë turp nuk e meritojnë respektin apo kohën tonë."
Një tjetër i ri i intervistuar, F.I., tha se nuk e dinte nëse ideologjia e Tate ishte e drejtë, por ai e ndjek atë gjithsesi. Ai gjithashtu beson se pa ideologjinë e tij të drejtë, Tate nuk do të ishte një „influencer“ për të drejtat e burrave.
Nuk e di nëse rruga që po ndjek Andrew Tate është e duhura për shkak të akuzave të shumta për trafikim, për agjencitë e eskortit dhe gjëra të tjera, por unë e ndjek atë për shkak të asaj që thotë”. Për sa i përket ideologjisë, unë jam pro. Nëse ai nuk do të kishte të drejtë, ai nuk do të ishte një nga ndikuesit më të mëdhenj që lufton për të drejtat e burrave. Sulmet kundër tij janë të shumta pasi në botë ka shumë feminizëm të panevojshëm ndërkohë që fatkeqësisht në vendin tonë shohim një synim drejtë evropianizimit përmes asimilimit dhe devijimit.
F.I
F.I. tha se Tate thotë atë që askush tjetër nuk mund ta thotë, por të gjithë duan ta dëgjojnë. Sipas tij, maskilizmi i përhapur nga Tate nuk është toksik, përkundrazi, dëgjojmë njerëz që flasin për vlerat kur bota ka zhvilluar antivlera.
“Nuk është toksik në asnjë mënyrë; problemi i vetëm është se dëgjon shumë njerëz që flasin për vlera në një botë që ka arritur kulmin e antivlerave, në një botë materialiste”, tha F.I.
Ilir Saliu, mësues i gjuhës shqipe në një shkollë fillore në Shkup, përshkroi se sa i përhapur është Tate në mesin e fëmijëve. Adoleshenca, sipas tij, është mosha kur më së shumti dëgjon për Tate, sidomos nga djemtë që e marrin atë si shembull suksesi. Megjithatë, tek vajzat ai sheh të kundërtën, gjë që ia atribuon pjekurisë së tyre më të hershme.
“Si mësimdhënës në klasa të shkollës fillore më ka rastisur shumë here të dëgjoj për figurën e Andrew Tate, që nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë, veçanërisht nga fëmijët që janë në hyrje të adoleshencës, në klasën e tetë dhe të nëntë”, tha Saliu.
"Andrew Tate kërkon nga publiku i tij që, në një farë mënyre, atë ta marrin si shembullin e një burri të suksesshëm, dhe duke iu paraqitur me kaq shumë vetëbesim, shumë djem e marrin të mirëqenë që ai është i tillë, një figurë shembullore dhe pozitive që duhet ndjekur. Te vajzat shoh një tendencë të kundërt, sigurisht. Fillimisht nga fakti se ai thotë shumë gjëra negative për vajzat e gratë, por besoj edhe nga fakti që vajzat si biologjikisht ashtu edhe psikologjikisht fillojnë të piqen më herët sesa djemtë, dhe rrjedhimisht vënë më shumë në dyshim disa ide dhe njerëz, të tilla si idetë e Andrew Tate dhe vetë atë”, tha Saliu.
Sipas Saliut, qasja e Tates ndaj publikut ka ndikim tek djemtë që janë në adoleshencë ose në tranzicion nga fëmijëria në moshën madhore.
LEXO: Sindromi "Andrew Tate", si mund të ndikojë te të rinjtë në Maqedoninë e Veriut?
"Ajo që vlerësohet më shumë në karakterin e tij është shfaqja e tij si “maço” dhe “paprekshmëria” e tij ndaj gjithçkaje", tha Saliu.
Andrew Tate si personazh përcjell idenë e një njeriu që ka aftësinë të kontrollojë gjithçka, të fitojë çdo gjë, të arrijë gjithçka dhe të bëjë gjithçka pa pasoja. Ai është një lloj 'superhero egoist'. Si i tillë, ai prek një tel të thellë te djemtë adoleshentë që janë në fillimet e zhvillimit të identitetit të tyre si burra, duke krijuar kontakte të rëndësishme shoqërore dhe duke ndërtuar kështu personalitetin e tyre
Ilir Saliu
Saliu nuk anashkalon aspektet pozitive që Tate mund të ketë tek njerëzit që e dëgjojnë, por ai beson se Tate mbetet një “influencer” negativ sepse jo të gjithë mund të përpunojnë siç duhet atë që ai thotë.
“Nëse ata që e ndjekin do të kishin aftësinë për të menduar në mënyrë kritike për atë që ai thotë ose përcjell, do të thosha se edhe mund të ketë ndikim pozitiv; sigurisht ai thotë edhe diçka pozitive mes të gjitha gjërave që thotë”, tha Saliu. Por ai vazhdoi duke thënë se shumica e njerëzve, përfshirë të rriturit, nuk mendojnë në mënyrë kritike, gjë që bën që Tate të ketë ndikim negativ.
“Shumë nga mesazhet e tij janë mesazhe që sulmojnë, tallen, përqeshin dhe poshtërojnë, duke krijuar më shumë përçarje dhe urrejtje”, përfundoi Saliu.
Thëniet dhe intervistat e Tate mbeten nga temat më të diskutuara mes të rinjve. Një sondazh i kryer në janar 2023 nga Grupi i Fushatës Antifashiste Britanike “Shpresë, jo Urrejtje” (Hope not Hate) tregoi opinionet e 1200 njerëzve të moshës 16 deri në 24 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar. Nëpërmjet këtij hulumtimi u zbulua se 45% e meshkujve dhe djemve kanë një qëndrim pozitiv ndaj Tate, ndërsa 26% kanë mendim negativ. Nga ana tjetër, vetëm 1% e vajzave të moshës 16-17 vjeçe kanë mendim pozitiv për Tate, ndërsa 82% kanë mendim negativ për të.
Ky artikull është përgatitur nën mentorimin e gazetarit Dan Robrish në kuadër të programit vullnetar "Through the Ladybug's Lens". Dan Robrish është vullnetar i Korpusit të Paqes i cili aktualisht punon në Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Më herët ka punuar në disa medie në ShBA, ndër të cilat: The Associated Press, Eli Daily Times, The Mercury.
Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia