black-red-elimination-of-violence-against-women-facebook-cover-2.png

Pesë vite pre e dhunës, sa i ka kushtuar Gj.A.-së rruga drejt pavarësisë?

MARRE

October 7th, 2023

"Ajo çka më ka motivuar mua për të shpëtuar nga dhuna ka qenë dëshira për të pasur një jetë të re dhe dëshira për të mos qenë e varur nga askush. Mundemi të ia dalim edhe vetëm".

Gj.A ka gjetur rrugën për të shpëtuar nga cikli i dhunës që është ushtruar mbi të nga bashkëshorti i saj për pesë vite me radhë. Ajo ka qenë cak i ofendimeve, shpifjeve, izolimit social, dhunës psikike e fizike nga ana e personit i cili supozohej se duhej ta donte, mbronte e bënte të lumtur. Sot ajo është një zonjë e cila ia del vetë mbanë: ka filluar një jetë të re dhe punon tre punë, në mënyrë që të siguroj mbijetesën dhe të jetë e pavarur. 

Rruga drejt pavarësisë ekonomike nuk është e lehtë, sidomos për gratë të cilat hasin barriera të shumta në tregun e punës. Sipas një raporti të përgatitur nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, 46% e grave të afta për punë nuk janë të përfshira në tregun e punës.

“Te njëra punë shkoj paradite, te tjera pasdite dhe dy herë në javë shkoj në punën e tretë. Jam e pavarur ekonomikisht. Zonja Nebahat dhe zonja Monika më dhanë kurajë, më punësuan dhe kështu e fillova jetën time të re, plotësisht ndryshe nga ajo e kaluara, e qetë dhe pa stres. Nëse doni të ja arrini qëllimit, të jeni të pavarura në të gjitha aspektet, duhet të vraponi e jo të rrini duarkryq.”

Ri-integrimi dhe fillimi i një jete të re nuk ka qenë fare i lehtë për Gj.A shkaku i paragjykimeve të rrethit por edhe dyshimeve nëse ky rreth do ta pranonte ashtu siç ishte. Barra e mospërkrahjes nga familja vazhdon të jetë e rëndë për Gj.A, e cila shprehet falënderuese ndaj atyre që e kanë përkrahur por gjithashtu shpreh keqardhjen që familjen nuk e ka pasur pranë në këtë rrugëtim të vështirë.

“Shoqëria dhe rrethi ku jetoj më kanë përkrahur dhe i falënderoj nga zemra. Por edhe pse përkrahja e familjes është shumë e rëndësishme, sidomos në rastet e dhunës në familje, unë për fat të keq nuk e kam pasur këtë përkrahje për shkaqe të ndryshme.”

Si shpëtohet nga dhuna?

Nga mospasja e një rrugëdaljeje, Gj.A merr hapin dhe i drejtohet "Qendrës për Mbështetjen e Grave" në Tetovë. Sipas saj, dita që u paraqit në këtë qendër ka qenë dita e saj me fat. Në këtë qendër ajo takoi tre zonja: zonjën Nebahat, Monika dhe Arita të cilat i dhanë mbështetjen maksimale. 

GJ.A ishte ndarë nga burri i cili e kishte larguar nga shtëpia. Në gjendje të rëndë psikologjike dhe e lodhur fizikisht, ajo gjeti mbështetjen e duhur në "Qendrën për Mbështetjen e Grave". Sipas saj, stresi dhe frika ishin pjesë e pandashme e saj derisa gjeti mbështetje. 

“Nga ana e "Qendrës për Mbështetjen e Grave" në Tetovë më janë ofruar ndihma të shumta. Fillimisht gjetja e banesës dhe pagimi i qerasë për disa muaj radhazi deri sa u rimëkëmba, më kanë ndihmuar me produkte ushqimore, si dhe kam pasur seanca psikologjike me znj. Nebahate, si dhe ndihma të tjera.”

Gj.A ka pasur një eksperiencë të shkëlqyer me Qendrën Cortex dhe Qendrën për Punë Sociale në Tetovë, por të njëjtën gjë nuk mund ta thotë për policinë e Tetovës. Sipas saj, Policia pos që nuk ju del në ndihmë viktimave të dhunës në familje, ju jep leksione atyre se kur duhet e kur jo të paraqitet një rast në polici.

“Rastin e paraqita në polici që në ditën e parë por ata talleshin dhe nuk ndërmorën asgjë për dhunën psiqike dhe fizike të ushtruar nga bashkëshorti. Asnjë grua nuk largohet nga shtëpia nga qejfi, por policia e Tetovës nuk ndërmerr masa dhe nuk ju del aspak në ndihmë grave të cilat gjenden në këto situata. Ata thonin se nuk vihet ne polici çdo herë që një grua grindet me burrin.”

Ndryshe, "Qendra për Mbështetjen e Grave" në Tetovë e cila ofronte shërbime falas për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, që nga marsi i këtij viti ka ndaluar së dhëni shërbime për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Ndonëse vështirësitë financiare kanë qenë prezente që nga janari, ekipi profesional i kësaj qendre këshilluese ka punuar vullnetarisht deri në mars. Për të funksionuar qendrës i duhen përafërsisht 1.686.000 denarë në vit, andaj drejtuesit synojnë sensibilizimin e bizneseve të rajonit për të grumbulluar shumën e nevojshme.

LEXO: Këshillimorja për viktimat e dhunës në Tetovë ka ndërprerë shërbimet, nuk ka mbështetje financiare

Tags:

pasoja
Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia