Martesa lavender është bashkim mes dy personash, shpesh të dy pjesëtarë të komunitetit LGBTQ+, që bëhet për të fshehur tërheqjen ndaj të njëjtit seks, në një shoqëri ku të dalësh hapur queer mund të të kushtonte izolim shoqëror, shkatërrim karriere, madje edhe ndjekje penale.
Termi lindi në Hollywood-in e viteve 1920, kur kontratat e aktorëve filluan të përfshinin klauzola morali dhe studiot nisën t’i përdornin këto martesa për t’i mbrojtur karrierat e yjeve gej dhe lezbike. Emrin e morën nga ngjyra lavender, e lidhur me homoseksualitetin që prej asaj kohe.
Sot tingëllon si diçka që i është lënë historisë. Por megjithatë, fenomeni ekziston ende, madje edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Çdo gjë vjen si pasojë e nevojës”
Në një video të publikuar në TikTok, Lira, aktiviste dhe themeluese e Queer Albania, ka bërë thirrje për persona të interesuar për martesa lavender, duke ofruar t’i ndihmojë të njihen me njëri-tjetrin.
“Kërkohen çifte nëse jeni të interesuar. Nuk dua ta diskutoj temën e martesave lavender, janë apo s’janë etike, si, qysh tek, nuk më intereson fare, çdo gjë vjen si pasojë e nevojës, dhe në rrugëtime të ndryshme të njerëzve marrim vendime që na e bëjnë jetën më të lehtë. Nuk është e thënë që të ja vështirësojmë jetën vetes me patjetër. Kujt i ka shkuar mendja më shkruani në privat dhe unë do mundohem të ju njoftoj me njëri tjetrin”, shprehet ajo në videon të cilën mund ta gjeni KËTU.
Thirrja e saj e vendos fenomenin në kontekstin e zgjedhjeve personale dhe nevojave që mund t’i shtyjnë njerëzit drejt marrëveshjeve të tilla.
Lira nuk është e vetmja
Ekzistojnë edhe grupe online ku persona nga Ballkani Perëndimor kërkojnë njerëz të interesuar për t’u lidhur në martesa të këtij lloji. Mollëkuqja u përpoq të kontaktojë disa prej tyre, por për shkak të ndjeshmërisë së temës, shumica refuzuan të flasin. Megjithatë, në kushte anonimiteti, disa thanë se këtë lloj martese e shohin si shpëtim. Disa e bëjnë për t’u dukur “të pastër” para familjes, ndërsa të tjerë e zgjedhin për shkak të dëshirës për të pasur fëmijë, teksa paralelisht vazhdojnë të jetojnë edhe një jetë tjetër, të fshehur.
Martesat lavender nuk janë kategori e veçantë ligjore, por përkufizohen si term që përshkruan rrethanat dhe arsyet pas martesës, ndërsa marrëveshjet ndryshojnë nga një çift te tjetri.
Në Ballkanin Perëndimor, ku personat LGBTQ+ vazhdojnë të përballen me paragjykime, diskriminim dhe presion familjar e shoqëror, ky lloj i martesës mund të shihet nga disa si mënyrë për të fshehur orientimin seksual dhe për të shmangur pasojat e zbulimit të tij.
Edhe pse vendet e rajonit kanë bërë hapa në përmirësimin e mbrojtjes ligjore, pranimi shoqëror dhe zbatimi i të drejtave mbeten ende sfidë. Mollëkuqja tashmë ka raportuar për sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBTQ+ në secilin vend të rajonit veçmas.
Martesa lavender e sotme
Sot, martesat lavender po kthehen në një formë krejt tjetër, veçanërisht te Gen Z. Me çmimet e qerave që po shtrenjtohen, tregun e punës të paparashikueshëm dhe një refuzim gjithnjë e më të madh të idesë se çdo marrëdhënie duhet domosdoshmërisht të jetë romantike, shumë të rinj po e shohin këtë lloj martese jo si diçka që duhet fshehur, por si strategji e vetëdijshme. Një mënyrë për të ndërtuar jetë të përbashkët me dikë që respekton, kujdeset dhe mbështet, pavarësisht nëse ka tërheqje romantike apo jo.
Një shembull i mirë vjen pikërisht nga TikTok. Krijuesi Robbies Music, muzikant gej, ka postuar një video ku ftonte haptazi njerëz të interesuar të aplikonin si “bashkëshortë”, duke thënë diçka si “mund të bësh çfarë të duash me kë të duash, kërkesa ime e vetme është që kur vjen fatura mujore, të vish me gjysmën tënde.” Videoja u bë virale. Një komentues shkroi se prej 8 muajsh është në martesë lavender dhe ka ndier më shumë dashuri dhe kujdes se sa në 20 vite me ish-partnerin e tij.
Si funksionon vërtet një marrëdhënie e tillë?
S’ka një model të vetëm për si duhet të duket martesa lavender. Disa çifte mbeten krejtësisht platonike, të tjerë përfshijnë afërsi fizike, kujdes të ndërsjellë ose edhe prindërim të përbashkët. Ajo që i bashkon është një themel i qartë, ndërtuar mbi sinqeritet, respekt dhe një marrëveshje të hapur për atë çfarë kjo marrëdhënie është dhe çfarë nuk është.
Para se çdo gjë të fillojë, çiftet bisedojnë për gjithçka: financat, mënyrën e bashkëjetesës, nëse do kenë fëmijë, kufijtë për t’u takuar me persona të tjerë jashtë martesës, nevojat emocionale dhe çfarë do të thotë vërtet “angazhim” për ta. Shumë prej këtyre martesave janë të hapura, çka do të thotë se partnerët mund të kenë lidhje romantike apo seksuale jashtë marrëveshjes, pa e rrezikuar bazën e besimit që kanë ndërtuar. Dhe sikurse çdo marrëdhënie afatgjatë, edhe kjo ndryshon me kohën, duke kërkuar biseda të rregullta për të parë nëse marrëveshja fillestare ende i shërben të dyja palëve.
Nëntëdhjetë vjeç dhe më në fund e lirë
Elida Rose ishte 90 vjeçe kur tha për herë të parë me zë të lartë se i pëlqejnë gratë. Në fund të viteve ‘50, ajo ishte emigrante e re nga Kolumbia, infermiere dhe biseksuale, në një kohë kur kjo nuk mund të thuhej. U martua me Donaldin, një burrë gej që po bënte emër në Hollywood si artist dhe dizajner grafik, në industrinë ku një zbulim i tillë mund t’i jepte fund karrierës brenda natës.
Mes tyre nuk kishte gënjeshtra. Që në fillim, secili e dinte të vërtetën për tjetrin, dhe ranë dakord që të dy të ishin të lirë të kishin lidhje jashtë martese. Bënë dy vajza, pastaj erdhën nipërit, mbesat dhe stërnipërit. Ishin miqtë më të mirë të njëri-tjetrit për 63 vjet, deri në vdekjen e Donaldit në 2021.
Historia u bë e njohur në fund të 2024-s, kur nipi i saj e tregoi në TikTok dhe revista People e intervistoi Elidën. Ajo e quajti të bukur jetën që kishin bërë bashkë, por shtoi se mosmundësia për të qenë vetvetja i kishte bërë të ndiheshin si në burg.
Martesat lavender nuk janë histori dashurie të dështuara. Janë histori mbijetese, dhe çmimi i tyre shpesh paguhej me dekada të një jete të pajetuar.
A funksionojnë këto martesa?
Studime të drejtpërdrejta për këtë ende nuk ka. Por psikologët John dhe Julie Gottman, që kanë vëzhguar mijëra çifte për më shumë se katër dekada, kanë gjetur se parashikuesi më i mirë i një martese të qëndrueshme nuk është pasioni, por miqësia. Ajo do të thotë të njohësh botën e brendshme të tjetrit, të vësh re momentet e vogla të afërsisë dhe të dish të riparosh pas një grindjeje. Asnjë nga këto nuk kërkon tërheqje seksuale. Ndaj ndoshta pyetja e vërtetë nuk është nëse martesa lavender funksionon, por nëse dy njerëzit brenda saj e kanë zgjedhur lirisht, apo kanë qenë të detyruar.
Në Perëndim, martesat lavender janë kthyer në trend të TikTok-ut. Në Ballkanin Perëndimor, ku martesa ende pritet si detyrim ndaj familjes dhe ku shumica e personave LGBTQ+ e fshehin orientimin e tyre, ato nuk janë trend. Janë realitet i heshtur, për të cilin mediat e rajonit ende nuk kanë shkruar. Ndoshta sepse ata që jetojnë brenda tyre nuk mund të flasin. Dhe ndoshta sepse grave që janë martuar me to pa e ditur, askush nuk u ka bërë ende pyetje.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.



