September 3rd, 2023
Rindërtimi kirurgjik i himenit kërkohet më së shumti në shoqëritë ku virgjërisë i jepet rëndësi e veçantë, edhe pse rallëherë është vërtetë i nevojshëm për mirëqenien e gruas. Qëllimi kryesor i kësaj ndërhyrje është nxitje e gjakderdhjes gjatë kryerjes së marrëdhënies seksuale pas martesës, e cila ne aspektin kulturor zakonisht lidhet me dëshminë e virgjërisë. Një arsye tjetër, më e rrallë se pse disa gra mund të zgjedhin ta bëjnë këtë ndërhyrje është të rifitojnë ndjenjën e autonomisë seksuale pasi i kanë mbijetuar sulmit seksual.
Vetë procedura, e quajtur himenorrafi (nga greqishtja hymen - membranë dhe rhaphe - qepje), është relativisht e shpejtë: shumica e klinikave thonë se zgjat 30-45 minuta dhe nuk kërkon qëndrim në spital. Zakonisht ndërhyrja përfshinë qepjen e mbetjeve të indit ekzistues të himenit me fije të tretshme ose krijimin e një strukture të re të ngjashme me himenin duke përdorur indin vaginal përreth. Zakonisht duhen katër deri në gjashtë javë që himeni të shërohet plotësisht dhe gjatë kësaj kohe pacientët duhet të përmbahen nga aktiviteti seksual.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera të Ballkanit, rindërtimi i himenit kryhet kryesisht në klinika private për të siguruar diskrecion dhe anonimitet. Mjekja Shqipe Saraçini, gjinekologe në Spitalin e Specializuar për Obstetrikë dhe Gjinekologji “Nënë Tereza” në Çair, Shkup, për Mollëkuqja tha se në spitalet shtetërore ka më pak kërkesa për këtë procedurë, ndërsa në klinikat private kërkesa është më e lartë.
Për sa i përket moshës së grave që dëshirojnë këtë lloj operacioni, Saraçini tha: "Nga grup-moshat që më së shpeshti kerkojnë këtë lloj intervenimi janë pacientet e reja tek të cilat në ndonjë lloj mënyre ka ardhur deri tek prishja e himenit. Por dua të besoj se ky lloj intervenimi tani në shekullin 21-të mos jetë aq i shpeshtë për arsye kulturore siç ka qenë deri më sot”.
Mjekja Lule Zhuta Hoxha, e cila ka klinikën e saj private në Shkup, tha: "Në ordinancën time nuk e kryej këtë operacion edhe pse ka shumë kërkesa. E kuptoj që është hall i madh për pacientet, por më duket e padrejtë të fillosh jetën me një mashtrim dhe mendoj se nuk ndihmoj duke e bërë këtë."
Hoxha nuk pranoi të jepte emrat e kolegëve që kryejnë operacionet. Mollëkuqja kontaktoi 14 gjinekologë në Maqedoninë e Veriut për të intervistuar dikë që kryen rindërtimin të himenit. Dhjetë prej tyre nuk pranuan të përmendnin ndonjë kolegë apo kolege që bën këtë operacion dhe katër të tjerë nuk u përgjigjën fare.
Nuk dihet numri i saktë i grave që kryejnë rindërtimin e himenit çdo vit, pasi disa paciente e bëjnë ndërhyrjen në fshehtësi pa lënë asnjë shënim zyrtar. Kjo fshehtësi e bën të vështirë marrjen e statistikave gjithëpërfshirëse mbi incidencën e kësaj procedure dhe thekson ndjeshmërinë që lidhet me rëndësinë e saj kulturore.
Edhe pse ka raste kur ndërhyrja kirurgjike në himen është e nevojshme - kur membrana është plotësisht e mbyllur dhe pengon rrjedhjen menstruale - shqetësimi për gjendjen e tij është kryesisht shoqëror dhe jo mjekësor. Prania ose mungesa e tij nuk ka asnjë kuptim të dallueshëm për trupin e gruas.
"Rëndësia shoqërore e himenit i ka rrënjët në fokusin shtypës [të gruas] dhe obsesionin me 'pastërtinë femërore'," tha Eurisa Rukovci, themeluese e gazetës digjitale “Grazeta” dhe platformës për edukim seksual “Shnet”. "Ky fokus i panevojshëm shërben për të çfuqizuar gratë duke i nënshtruar ato ndaj gjykimeve morale për sjelljen e tyre seksuale."
Shikimi i virgjërisë përmes këndvështrimit objektiv, të shkëputur nga konteksti i saj kulturor, shoqëror dhe historik, e bën të qartë parëndësinë e saj mjekësore dhe biologjike.
"Nocioni se himeni tregon virgjërinë dhe se një himen i çarë është dëshmi e marrëdhënies seksuale është mit. Shumë njerëz lindin me një himen më të hapur dhe ai gjithashtu mund të zgjerohet ose të çahet për shumë arsye të ndryshme që nuk janë seksuale. Lidhja e himenit me virgjërinë është një konstrukt patriarkal që synon të kontrollojë seksualitetin e grave" shtoi Rukovci.
Megjithëse himenorrafia konsiderohet një operacion me rrezik të ulët, ajo mbart disa rreziqe.
“Rreziqet e mundshme që mund të pasojnë këtë lloj operacioni përfshijnë gjakderdhjen e tepërt, infeksionin, ngushtimin e tepërt të hyrjes vaginale dhe dhimbjet pas operacionit”, tha mjekja Saraçini.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se shumë gra nuk kanë gjakderdhje gjatë marrëdhënies së tyre të parë seksuale, sipas një studimi të Sara Patterson Brown, 63 për qind e vajzave nuk kanë gjakderdhje në marrëdhënien e parë seksuale. Edhe me rindërtimin e himenit, gjakderdhja e synuar mund të mos ndodhë.
Ky artikull është përgatitur nën mentorimin e gazetarit Dan Robrish në kuadër të programit vullnetar "Through the Ladybug's Lens". Dan Robrish është vullnetar i Korpusit të Paqes i cili aktualisht punon në Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Më herët ka punuar në disa medie në ShBA, ndër të cilat: The Associated Press, Eli Daily Times, The Mercury.
Fatos Grubi ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tetovës. Ai është shkrimtar, poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Fatosi ka punuar si mësimdhënës, kurse për momentin punon në “Sopro” si Ekzekutiv Marketingu.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia