pink-minimalist-gynecologist-logo---2023-12-25t210023.907.png

Të diskriminuara edhe prapa grilave, vajzat e mitura s'e vuajnë njëjtë dënimin me burg si djemtë

N'THELB

December 25th, 2023

Vajzat nën moshën 18 vjeçe të cilave ju është shqiptuar dënimi me burg si pasojë e kryerjes të ndonjë vepre penale, kanë trajtim dhe kushte ndryshe, përkatësisht më të këqija, për dallim prej djemve të mitur që kanë rënë ndesh me ligjin. Në këtë formë, shteti përveç që i diskriminon ato, shkel të drejtat themelore të parapara me ligjet pozitive në vend si dhe konventat ndërkombëtare për këtë. Mollëkuqja mëson se vajzat jomadhore vuajnë dënimin me burg në një hapësirë të përshtatur në pjesën e seksionit të grave të dënuara, në Burgun e Idrizovës.

Por edhe pse kompetentët arsyetohen me atë se këta të mitura janë të ndara nga të burgosurat tjera të moshës madhore, Mollëkuqja mëson se ata përsëri janë të ekspozuara ndaj kontakteve me të dënuarat madhore, edhe atë gjatë marrjes së vakteve nga kuzhina por edhe gjatë shfrytëzimit të të drejtës për dy orë të kaluara në oborrin e institucionit.

Këtë për Mollëkuqja e konfirmon edhe Avokati i Popullit.

“Fëmijët femra dërgohen në mbajtje të masës edukative - përmirësuese në Idrizovë, janë të ekspozuar ndaj kontakteve me të dënuarat madhore të cilat janë në vuajtje të dënimit me burg, e cila pa dyshim mund të ketë një efekt të dëmshëm për fëmijët dhe të penguan realizimin e procesit të riedukimit të tyre.” thanë nga Avokati i Popullit.

Neni 20 i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve i detyron institucionet që të sigurojnë kushte që të dënuarit tjerë të mos ndikojnë dëmshëm te fëmijët e burgosura, përkatësisht paralajmërohet për pasojat të cilat mund të vijnë nga qëndrimi i vajzave të mitura në një hapësirë me gratë e moshës madhore të dënuara për vepra më të rënda penale. 

Përpos kësaj, atyre nuk u është siguruar as e drejta e ndjekjes së procesit edukativo-arsimor, aftësimit profesional, aktiviteteve fizike dhe sportive. Biseduam me Avokatin e Popullit në lidhje me këtë, nga ky institucion thonë se vajzave me doemos duhet t’ju sigurohen kushte për arsim fillor dhe të mesëm, por jo vetëm.

Për vajzat e mitura të vendosura në Burgun e Idrizovës nuk ka kushte as për ofrimin e kujdesit shëndetësor, kjo zyrë është e vendosur në repartin e mbyllur të pjesës ku dënimin e vuajnë burrat.

“Për fëmijët femra të vendosura në INK ShEP Idrizovë nuk ekzistojnë kushtet për ofrimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor. Zyra e personit mjekësor dhe ordinanca dentare janë të vendosura në repartin e mbyllur të pjesës mashkullore të institucionit, prandaj, kur nevojitet ndihma mjekësore, vjen një mjek në departamentin ku janë të vendosura vajzat. Është e paqartë se si mjeku kryen ekzaminimet mjekësore te fëmijët femra, në kushtet ku në reparitn në të cilin ato janë të vendosurta nuk ka ordinancë mjeksore e as paisje mjeksore.” thanë nga Avokati i Popullit.

Situata nuk është e njejtë në burgun për fëmijë të djemve.

“Fëmijët e gjinisë femërore të dërguara në mbajtje të masës edukuese përmirësuese në INK ShEP Idrizovë janë të diskriminuar ndaj bashkëmoshatarëve të tyre meshkuj të cilët të njëjtën masë e mbajnë në Shtëpinë edukuese-përmirësuses Tetovë. Fëmijët meshkuj të dërguar për të mbajtur masë edukuese-përmirësuese janë të vendosur në një institucion ku kushtet e jetesës janë më të mira, ka mundësi për realizim të aktiviteteteve arsimore dhe kreative, ekzistojnë kushte adekuate për zhvillimin e shprehive pozitive dhe shfrytëzimi cilësor i kohës së lirë.” thanë për Mollëkuqja nga Avokati i Popullit.

Raporti i Përgjithshëm i Komitetit Evropian për Parandalimin e torturës dhe trajtimit ose dënimit çnjerëzor ose poshtërues (2015), rekomandon që të miturit djem dhe vajza që janë të vendosur në të njëjtin institucion duhet të vendosen veçmas në njësi të veçanta, por mund të bashkohen për aktivitete të organizuara gjatë ditës, nën mbikëqyrjen e duhur.

As e ligjore, as e njerëzishme

Krejt kjo, pamundëson realizimin e qëllimit të sanksioneve penale të cilat ju shqiptohen vajzave të mitura. Blerta Ahmedi është profesoreshë e sferës penale në UEJL, shpesh herë ka hulumtuar politikat e delikuencës së fëmijëve në vend. Thotë për ‘Mollëkuqja’ se e gjithë kjo situatë është fillimisht e kundërligjshme, më pas e papranueshme në aspektin moral dhe njerëzor.

“Aktualisht edhe pse de lege (sipas ligjit) kjo gjë parashihet që në entet ndëshkuese-korrektuese dhe ato edukuese-korrektuese për fëmijë të realizohet procesi edukativo-arsimor detyrimisht, de facto (faktikisht) fëmijëve të gjykuar në Shtëpinë edukuese përmirësuerse në Vollkovi, në burgun për fëmijë në Ohër si dhe në atë të Idrizovës ju mohohet e drejta elementare e tyre - arsimi. Sipas legjislacionit vendas dhe ndërkombëtar nëse kjo nuk është e realizueshme në entet përkatëse, fëmijët duhet që të vijojnë arsimimin në shkollat e përafërta ku e ka selinë institucioni.” tha Blerta Ahmedi.

“Pasojat nga kjo gjendje faktike pa dyshim se mundësojnë mosrealizim të qëllimit të saksioneve penale për fëmijët - pamundësi të arritjes së edukimit, resocializimit  dhe mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijës, pamundësim të realizimit të mirëfilltë të programit penitensiar të fëmijëve të cilat kanë kontakt me persona madhorë të dëniuar të cilat padyshim se mund të ndikojnë negativisht në personalitetin e fëmijëve.” shtoi Ahmedi.

Çfarë thotë ligji?

Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, i cili rregullon në përgjithsi ekzekutimin e sanksioneve penale, shprehimisht parasheh edhe kushtet të cilat duhet përmbushur në zbatimin e sanksioneve të cilat u shqiptohen fëmijëve. Kështu në nenin 17 të këtij ligji parashihet që dënimi me burg për fëmijë ekzekutohet ndarazi nga personat në moshë madhore të dënuar me dënim me burg, neni 30 parasheh se personat e dënuar detyrimisht e vuajnë dënimin me burg për fëmijë në institucion të veçantë për fëmijë dhe neni 291 thekson se fëmijët dënimin me burg e vuajnë në institucion të posaçëm ndëshkues përmirësues, të ndarë nga personat e rritur si dhe fëmijët e gjinisë mashkullore vendosen veçmas nga fëmijët e gjinisë femërore.

Ky ligj gjithashtu rregullon edhe sferën sociale të delikuentëve, kështu në përcakton që fëmijëve duhet t’u sigurohen kushte të cilat, aq sa është e mundur, do t’i mbrojnë nga ndikimi i dëmshëm i personave tjerë të dënuar, si dhe t’u krijojnë kushte për jetë dhe punë dhe për aktivitete kulturore, sportive dhe tjera adekuate për moshën e tyre (neni 20), poashtu përcakton se  duhet t’u ofrohen kushte të volitshme që do ta nxisin përfshirjen e tyre në aktivitete në institucionin për fëmijë, zhvillimin e shenjave pozitive të personalitetit dhe vetërespektimit (neni 304).

Nga Komisioni për Ndalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi na thanë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë në lidhje me këtë.  Ndryshe, Mollëkuqja gjithashtu kontaktoi Drejtorinë për Ekzekutimin e Saknksioneve por nga e njejta nuk morrëm përgjigje nëse kjo drejtori do të nëdrmer hapa për përmirësimin e situatës së vajzave që janë në vuajtje të sanksioneve në Idrizovë.

Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia