E ftuar në “Llafe Grash”, dirigjentja Agona Çupi ka folur për profesionin e saj si dirigjente, duke theksuar që i njëjti vazhdon të dominohet nga burrat, por që sipas asaj, stereotipi vetëm se është thyer.
“Tani është thyer stereotipi që dirigjimi është profesion i burrave, me shumë konferenca, me shumë përpjekje, me shumë filma. Është bërë aktuale tema, dhe përderisa tema aktualizohet gjysmën e luftës e ka të humbur problematika që shfaqet”, thekson Çupi.
Ajo ka folur edhe për momentin kur ka vendosur për t’u bërë nënë dhe gatishmërinë e një gruaje për të lindur dhe rritur fëmijë.
“Vjen një moment që thua unë dua, dhe ky është momenti kur duhet. Me fëmijën vijnë shumë sakrifica, shumë momente të vështira, shumë sfida. Dhe nuk e di nëse pastaj nëna ka durimin t’i kalojë, ose fuqinë t’i kalojë, nëse nuk është plotësisht vendimi i saj momenti se kur dëshiron të bëhet nënë”, thekson Çupi.
Ajo ka folur edhe për balansin mes profesionit dhe jetës personale, si dhe ndihmën për të cilën një grua ka nevojë kur vendos të bëhet nënë.