Në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 52 raste të reja me HIV/AIDS nga fillimi i vitit deri më 31 tetor 2026. Numri tashmë është më i lartë se ai i regjistruar deri më 27 nëntor në vitin 2024 (51 raste) dhe në vitin 2025 (38 raste), sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik.
Nga fillimi i regjistrimit në vitin 1987, janë evidentuar gjithsej 781 raste, prej të cilave 521 persona jetojnë me HIV, 146 kanë ndërruar jetë dhe 114 evidentohen si të humbur nga ndjekja.
Për të kuptuar si është gjendja aktuale me sëmundjen në vend, çfarë tregojnë të dhënat dhe çfarë bëjnë institucionet, Mollëkuqja bisedoi me infektologun Fadil Cana, njëkohësisht drejtor i Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup.
Cana shpjegon se Maqedonia e Veriut vazhdon të konsiderohet vend me prevalencë relativisht të ulët të HIV-it. Megjithatë, rastet e reja që regjistrohen vazhdimisht tregojnë se infeksioni mbetet sfidë e rëndësishme për shëndetin publik.
“Duhet theksuar se numri i rasteve të diagnostikuara nuk pasqyron domosdoshmërisht numrin real të personave që jetojnë me HIV, pasi një pjesë e tyre mund të mos jenë të vetëdijshëm për statusin e tyre”, thotë Cana.
Për këtë arsye, sipas tij, institucionet duhet ta përqendrojnë vëmendjen te parandalimi, zbulimi i hershëm dhe përfshirja sa më e shpejtë në trajtim e personave të diagnostikuar.
Sa është i qasshëm trajtimi për personat që jetojnë me HIV?
Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup është institucioni qendror për trajtimin dhe ndjekjen e personave që jetojnë me HIV në vend.
Cana tregon se pacientëve u ofrohen terapi antiretrovirale, kujdes i specializuar mjekësor dhe monitorim laboratorik. Falë terapive bashkëkohore, shpjegon ai, HIV-i është shndërruar nga një infeksion me prognozë të rëndë në një gjendje kronike që mund të kontrollohet me sukses.
I pyetur për qasjen në terapi dhe pengesat e mundshme në trajtim, ai thekson nevojën për vazhdimësi të kujdesit dhe furnizim të qëndrueshëm me barna.
“Si institucion, prioritet ynë është sigurimi i vazhdimësisë së trajtimit, qasjes së barabartë dhe ruajtjes së cilësisë së kujdesit shëndetësor. Për këtë nevojiten furnizim i qëndrueshëm me barna, planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet përgjegjëse”, deklaron Cana.
Ai thekson se ndërprerja e terapisë antiretrovirale duhet të shmanget, pasi mund të ndikojë negativisht në kontrollin e infeksionit dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të rezistencës ndaj barnave.
“Qëllimi ynë është që çdo pacient të marrë trajtim të sigurt, cilësor dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thotë infektologu.
Sa testohen qytetarët dhe cilat janë mangësitë e sistemit?
Sa i përket zbulimit të hershëm, Cana vlerëson se mundësitë për testim që ofrohen nga institucionet shëndetësore dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të zgjerohen. Veçanërisht e nevojshme, sipas tij, është që testimi vullnetar dhe konfidencial të bëhet më lehtë i qasshëm.
“Sfidat kryesore mbeten stigma dhe frika nga diskriminimi, informimi i pamjaftueshëm, si dhe nevoja për fuqizimin e programeve parandaluese dhe identifikimin e hershëm të personave të infektuar. Është e rëndësishme që testimi të integrohet më gjerësisht edhe në praktikën e përditshme shëndetësore, sipas indikacioneve klinike dhe faktorëve të rrezikut”, thekson ai.
Për Canën, përgjigjja ndaj HIV-it kërkon që kujdesi mjekësor të shoqërohet me edukim, parandalim dhe luftim të stigmës.
“Si mjek infektolog dhe drejtor i Klinikës, dua të theksoj se diagnostikimi i hershëm dhe fillimi në kohë i terapisë mundësojnë jetë të gjatë dhe cilësore. Gjithashtu, personat që marrin rregullisht terapi dhe arrijnë të mbajnë ngarkesë virale të pazbulueshme nuk e transmetojnë HIV-in përmes marrëdhënieve seksuale, sipas parimit shkencërisht të dëshmuar U=U”, shpjegon Cana.
Mesazhi i infektologut Cana është i qartë: sot HIV-i është gjendje që mund të kontrollohet, por vetëm nëse zbulohet në kohë. Kjo kërkon testim më të qasshëm, informim të saktë dhe më pak stigmë, sepse, siç thotë ai, stigma dhe frika nga diskriminimi mbeten sfidat kryesore.
Informacione të përgjithshme për HIV-in, për çfarë infeksioni bëhet fjalë?
HIV-i (Human Immunodeficiency Virus) është virus që sulmon sistemin imunitar, pra mbrojtjen natyrore të organizmit kundër infeksioneve.
Pa trajtim, HIV-i mund ta dobësojë gradualisht imunitetin dhe të çojë në zhvillimin e AIDS-it (sindroma e imunodeficiencës së fituar). Sot, falë terapisë moderne antiretrovirale, personat që jetojnë me HIV mund të kenë jetë të gjatë dhe cilësore. Zbulimi i hershëm dhe fillimi i terapisë kanë rëndësi të madhe.
Si (nuk) transmetohet HIV?
HIV-i mund të transmetohet përmes: kontaktit seksual të pambrojtur me një person të infektuar; kontaktit me gjak të infektuar; përdorimit të gjilpërave ose mjeteve të tjera të përbashkëta te personat që injektojnë droga; nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji, nëse nuk zbatohen masat e duhura.
HIV-i nuk transmetohet përmes: shtrëngimit të duarve, përqafimit ose kontaktit të përditshëm; përdorimit të të njëjtave mjete për të ngrënë; kollitjes ose teshtitjes; qëndrimit në të njëjtin ambient me një person që jeton me HIV.
Cilat janë simptomat?
Në fazën e hershme mund të shfaqen simptoma të ngjashme me gripin: temperaturë; lodhje; dhimbje muskujsh; zmadhim i nyjave limfatike; skuqje në lëkurë. Më pas, infeksioni mund të mos shfaqë simptoma për një kohë të gjatë.
Si mund të parandalohet?
HIV-i mund të parandalohet përmes përdorimit të prezervativit; testimi i rregullt për HIV; përdorimi i mjeteve sterile gjatë procedurave mjekësore dhe procedurave të tjera; përdorimi vetëm i gjakut të testuar për transfuzion; masat parandaluese dhe terapeutike sipas rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë.
Ku mund të testoheni?
Qendrat për Shëndet Publik në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Shkupin, Manastirin, Kumanovën, Prilepin, Koçanin dhe Tetovën, ofrojnë testim vullnetar për HIV, në shumicën e rasteve falas dhe anonim. Për informata dhe drejtim te qendra më e afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni Institutin për Shëndet Publik.
Përveç institucioneve publike në vend ka edhe institucione private shëndetësore të cilat ofrojnë testime për HIV. Mollëkquja përcjell në infografikun më poshtë disa prej tyre.

Mesazhi i infektologut Cana është i qartë: sot HIV-i është gjendje që mund të kontrollohet, por vetëm nëse zbulohet në kohë. Kjo kërkon testim më të qasshëm, informim të saktë dhe më pak stigmë, sepse, siç thotë ai, stigma dhe frika nga diskriminimi mbeten sfidat kryesore. Testimi në Qendrat për Shëndet Publik është në shumicën e rasteve falas dhe anonim, ndërsa kushdo që merr terapi rregullisht dhe arrin ngarkesë virale të pazbulueshme nuk e transmeton HIV-in përmes marrëdhënieve seksuale.
Lexo edhe këto:
- INTERVISTË | “Shumë as s’e dinë se i kanë”, infektologu Saveski flet për rastet me sëmundje seksualisht të transmetueshme në Maqedoni
- 765 raste me HIV në Maqedoni që nga 1987, çfarë duhet të dini dhe ku mund të testoheni
This publication was produced within the framework of the project “Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog”, implemented by the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja”. The project is implemented as part of the broader regional project “Together for LGBTQI+ Equality”, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, the Ministry of Regional Investment Development and Cooperation with Non-Governmental Organisations, CCE, or the project partners.



