Foto: Agnesa Çavolli, e përdorur me leje
Foto: Agnesa Çavolli, e përdorur me leje

INTERVISTË | Agnesa Çavolli: Mediat nuk duhet të raportojnë vetëm për incidente ndëretnike, është koha të kërkojnë edhe atë që i bashkon njerëzit

Sfera mediatike në Maqedoninë e Veriut mbetet e ndarë përgjatë vijave gjuhësore dhe etnike, dhe sipas gazetares Agnesa Çavolli, mënyra se si mediat i trajtojnë këto dallime shpesh e thellon distancën mes komuniteteve. Kur flasim për komunitetet e tjera vetëm në raste konflikti, incidenti apo problemi politik, thotë ajo, pa dashje krijojmë përshtypjen se dallimi është vetë problemi, ndërsa historitë e përditshme të njerëzve që jetojnë, punojnë dhe përballen me të njëjtat vështirësi mbeten në plan të dytë.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut e përshkruan situatën ndëretnike si përgjithësisht të qëndrueshme, por vë në dukje se debatet për zbatimin e të drejtave gjuhësore dhe për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve jomajoritare rikthehen vazhdimisht. Po aty thuhet se interneti dhe rrjetet sociale janë bërë platforma kryesore e gjuhës së urrejtjes, ku incidentet e regjistruara në vitin 2025 janë bazuar më shpesh, ndër të tjera, te etniciteti, ndërsa Këshilli i Etikës në Media ka pranuar një numër rekord prej 244 ankesash, kryesisht për përmbajtje në portale në internet.

Çavolli e njeh këtë realitet nga afër, nga përvoja e saj profesionale në media në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Mollëkuqja bisedoi me të për rolin e mediave në marrëdhëniet ndëretnike, për mënyrën se si raportimi mund të ushqejë stereotipa dhe për nevojën për më shumë histori që nuk lidhen me konfliktin. Sipas saj, mediat duhet të fillojnë të kërkojnë atë që i bashkon njerëzit, jo vetëm atë që i ndan.

Sa mediat në Maqedoninë e Veriut kontribuojnë në ndërtimin e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve etnike, dhe sa ende fokusohen te dallimet dhe konfliktet ndërmjet tyre?

Mendoj se mediat mund të bëjnë shumë më tepër. Shpesh flasim për komunitetet e ndryshme vetëm kur ka ndonjë konflikt, incident apo problem politik. Dhe kështu, pa dashje, krijojmë përshtypjen se dallimi është problemi.

Ndërsa ka plot gjëra që na bashkojnë dhe për të cilat flasim shumë më pak.

Unë kam punuar dhe kam jetuar gjithmonë në të dyja komunitetet, në gjuhën shqipe dhe maqedonase etj, dhe për mua kjo nuk ka qenë diçka e veçantë, ka qenë dhe është jeta ime. Prandaj edhe në punën time gjithmonë kam pasur dëshirë t’i tregoj njerëzit përtej përkatësisë së tyre.

Mendoj se media shpesh është shumë e fokusuar te politika, konfliktet dhe dallimet. Ndërsa mua më interesojnë më shumë njerëzit: kush janë, çfarë bëjnë, çfarë ëndërrojnë, çfarë i frikëson.

Dhe pikërisht aty shoh shumë më tepër bashkëjetesë sesa në politikë.

Ndonjëherë një fotografi, një intervistë ose një histori për një person mund të bëjë më shumë për t’i afruar njerëzit sesa dhjetë debate televizive.

Në çfarë mënyrash mediat mund të nxisin, edhe pa qëllim, narrative negative, stereotipa dhe ndarje etnike? A vëreni shembuj të tillë veçanërisht në raportimin për të rinjtë?

Shumë lehtë. Ndonjëherë mjafton një titull ta ndajmë. Qe shumica e bëjnë për clickbait apo agjendë.

Për shembull, nëse një person bën diçka dhe ne e theksojmë menjëherë se cilit komunitet i përket, edhe kur kjo nuk ka lidhje me ngjarjen, lexuesi fillon ta lidhë atë veprim me një grup të tërë.

Dhe kjo është veçanërisht problematike me të rinjtë.

Nëse një i ri për komunitetin tjetër dëgjon vetëm kur ka konflikt, dhunë ose politikë, atëherë normalisht krijon një imazh të caktuar.

A mendoni se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut marrin mjaftueshëm përmbajtje mediatike përmes së cilave njihen me jetën, kulturën dhe problemet e të rinjve nga komunitetet e tjera? Çfarë mungon?

Jo. Mendoj se jo. Dhe kjo është pak ironike, sepse të rinjtë sot janë ndoshta më të lidhur se kurrë përmes internetit, por, prapë mund të jetojnë në dy realitete krejtësisht të ndryshme.

Jo gjithmonë duhet të bëjmë një storie për “bashkëjetesën”.

Ndonjëherë mjafton të tregojmë dy të rinj që kanë të njëjtin problem, dëgjojnë të njëjtën muzikë, duan të largohen nga vendi, kërkojnë punë, bien në dashuri, kanë probleme me prindërit…

Kur e sheh tjetrin si njeri dhe jo vetëm si pjesëtar të një komuniteti, shumë më lehtë e kupton.

Çfarë mund të bëjnë konkretisht mediat për të kaluar nga raportimi i thjeshtë mbi ndarjet etnike drejt promovimit aktiv të dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës ndërmjet të rinjve?

Mendoj se duhet të fillojmë të kërkojmë edhe historitë që nuk janë konflikt.

Si gazetarë, shpesh pyesim: “Ku është problemi?” Ndoshta duhet të pyesim edhe: Cila është mënyra për të funksionuar?”

Të bëjmë më shumë intervista dhe reportazhe ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme flasin bashkë, jo vetëm kur ka ndonjë problem. E keni parasysh? Dhe mbi të gjitha, të kemi kujdes me gjuhën.

Përfundimisht, nuk mendoj se qëllimi është të bëjmë sikur nuk kemi dallime. I kemi…edhe është shume okej. Por pyetja është: a do t’i përdorim ato dallime për t’u larguar nga njëri-tjetri, apo për ta njohur më mirë njëri-tjetrin?

Kërkesa e Çavollit nuk është vetëm për gazetarët. Raporti i Komisionit Evropian vë në dukje se industria mediatike në vend është shumë e fragmentuar dhe vepron në një treg me të ardhura të kufizuara nga reklamat, gjë që dobëson qëndrueshmërinë dhe investimin në përmbajtje cilësore. Mediat lokale dhe rajonale, përfshirë ato jofitimprurëse dhe komunitare, vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha financiare, ndërsa rreth gjysma e gazetarëve paguhen nën pagën mesatare kombëtare. Historitë që kërkojnë kohë, terren dhe punë në më shumë se një gjuhë kanë nevojë për redaksi që kanë burime për t’i bërë.

Të tjera