Në një vit me shtatë femicide, tri organizata të shoqërisë civile kërkojnë që institucionet të ndalojnë ceremonitë dhe të marrin vendime konkrete. Mes gjashtë kërkesave të tyre është edhe tërheqja e ndryshimeve në edukimin seksual në shkolla, që Ministria e Arsimit (MASH) e ktheu pa barazinë gjinore, pa kontracepsionin dhe pa asnjë përmbajtje për diversitetin seksual dhe homofobinë.
Kërkesat i kanë parashtruar Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Platforma për Barazi Gjinore, dhe i ftojnë qytetarët të mbështesin protestën e 25 nëntorit, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Ndryshimet prekin sidomos nxënësit LGBTQ+. Koalicioni MARGINI paralajmëron se pa këto përmbajtje shkolla mbetet vend i pasigurt për ta: sipas hulumtimeve që citojnë, pothuajse 37% e nxënësve kanë deklaruar se në shkollën e tyre ka pasur dhunë mes bashkëmoshatarëve për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, ndërsa 63% e nxënësve LGBTIQ+ në vend e fshehin identitetin e tyre në shkollë.
Organizatat thonë në njoftim se nuk mund të lejojnë një fushatë tjetër me konferenca, ceremoni dhe gjeste simbolike, teksa gratë vazhdojnë të vriten, madje edhe kur dhuna është raportuar paraprakisht. Kërkojnë moratorium për ngjarjet protokollare të institucioneve gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit, por jo për aktivizmin qytetar.
Gjashtë kërkesat e organizatave
- Miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, të dorëzuara në Kuvend më 26 gusht, më së voni deri më 10 dhjetor.
- Pakon e ndryshimeve në tetë ligje, përfshirë ato për Policinë dhe për Familjen, për koordinim më të mirë mes policisë, mbrojtjes sociale dhe gjyqësorit.
- Së paku 200 milionë denarë në Buxhetin e vitit 2027 për shërbime të specializuara për viktimat dhe programe për kryerësit e dhunës.
- Miratimin dhe publikimin e konkluzioneve nga debati mbikëqyrës parlamentar për dhunën me bazë gjinore, me afate dhe përgjegjësi konkrete.
- Tërheqjen e ndryshimeve regresive në arsim: në ligjet për arsimin fillor, tekstet shkollore, udhëzimin për mbrojtjen nga dhuna dhe programin e edukimit seksual, të cilat, sipas tyre, kanë dobësuar mbrojtjen nga diskriminimi, barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës.
- Përgjegjësi individuale dhe institucionale për të gjitha femicidet, përfshirë rastin e fundit të një vajze 17 vjeçare nga Bogdanci, me kontroll të pavarur të veprimeve të institucioneve.
Më 10 dhjetor, kur përfundon kampanja, organizatat thonë se nuk duan të numërojnë ngjarje të mbajtura dhe fotografi të publikuara, por të dinë cilat ligje janë miratuar, sa mjete janë siguruar, cilat masa janë marrë dhe kush ka marrë përgjegjësi.
Çfarë u fshi nga programi: gjinia, kontracepsioni dhe homofobia
Programi i mëparshëm për Edukimin Gjithëpërfshirës Seksual u tërhoq në fillim të shtatorit, pak ditë pasi peshkopi Jakov Stobiski, me një letër të hapur, i kërkoi ministres Vesna Janevska ta tërhiqte. Ai e kritikoi ministren se, derisa ishte në opozitë, kundërshtonte termin “gjini”, ndërsa pas ardhjes në pushtet po e mbështeste programin që e përmbante.
“Ministre Janevska, tërhiqeni këtë program të indoktrinimit ideologjik të rinisë sonë”, kishte kërkuar peshkopi në letrën e hapur.
Ministrja e tërhoqi programin për rishikim, por një javë më vonë tha se e kishte lexuar vetë dhe nuk kishte gjetur asgjë kontestuese. Megjithatë, programi u rikthye me ndryshime pikërisht aty ku ishin kundërshtimet. Tani quhet “Shëndeti dhe mbrojtja e shëndetit” dhe ka të njëjtin numër orësh dhe temash, por pa disa nga termat që shpjegojnë format e diskriminimit dhe dhunës.
Ndryshimet kryesore:
- Tema “Gjinia dhe barazia gjinore” tani titullohet vetëm “Barazia”. Mësimi për stereotipat, diskriminimin gjinor dhe seksizmin është bërë “Barazia: stereotipat dhe paragjykimet, diskriminimi”.
- “Shëndeti seksual dhe riprodhues” tani është vetëm “Shëndeti riprodhues”. Nga dy orët për shtatzëninë dhe kontracepsionin është larguar termi “kontracepsion”.
- Tema “Të drejtat seksuale dhe riprodhuese” tani quhet “Të drejtat dhe përgjegjësitë që lidhen me shëndetin”, dhe nga ajo janë larguar përmbajtjet që përmendnin shprehimisht diversitetin seksual dhe homofobinë. Mësimi për diskriminimin dhe homofobinë, respektimin e dallimeve dhe kundërshtimin e diskriminimit është kufizuar në “Diskriminimi: respektimi, trajtimi i barabartë dhe kundërshtimi i diskriminimit”.
Pra, nxënësit vazhdojnë të mësojnë për diskriminimin, stereotipat dhe dhunën, por pa disa nga konceptet që ndihmojnë të kuptohen format dhe shkaqet e tyre.
MASH i arsyeton ndryshimet me analizën e mendimeve profesionale dhe publike dhe mohon se ato janë bërë për shkak të reagimeve fetare.
“Ndryshimet në programin mësimor të lëndës zgjedhore në fjalë janë bërë pas analizës së opinionit publik dhe atij profesional, përfshirë qëndrimet e përfaqësuesve të Odës së Psikologëve, dhe jo në bazë të mendimit apo reagimit të përfaqësuesve të ndonjë bashkësie fetare”, kishin deklaruar nga ministria për 360 Gradë.
Sipas ministrisë, thelbi i lëndës mbetet i njëjtë, ndërsa qëllimi është edukimi i të rinjve për mbrojtjen e shëndetit personal.
MARGINI: Shkollat nuk janë të sigurta për të gjithë, MASH largoi përmbajtjet për LGBT dhe homofobinë
Koalicioni MARGINI ka reaguar veçanërisht ndaj heqjes së përmbajtjeve për diversitetin seksual dhe homofobinë, duke thënë se ndryshimet e dobësojnë rolin e programit në parandalimin e diskriminimit dhe dhunës ndaj të rinjve LGBTI.
“MASH u detyrohet qytetarëve një shpjegim publik se mbi bazën e cilave vlerësime profesionale është bërë ky ndryshim dhe si kontribuon ai në arritjen e qëllimeve të arsimit. Shkolla nuk është e sigurt për të gjithë. Këtë e dimë, sepse e kemi dokumentuar. Hulumtimet tregojnë se pothuajse 37% e nxënësve kanë deklaruar se në shkollën e tyre ka pasur dhunë mes bashkëmoshatarëve për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor. Në Maqedoninë e Veriut, 63% e nxënësve LGBTIQ e fshehin identitetin e tyre në shkollë, ndërsa 61% e të anketuarve kanë deklaruar se çështjet LGBTIQ nuk janë trajtuar asnjëherë gjatë arsimimit të tyre”, thonë nga MARGINI.
Sipas kësaj organizate, në vend që këto të dhëna të shërbejnë për fuqizimin e politikave parandaluese, ministria ka zgjedhur t’i largojë nga programi përmbajtjet që trajtojnë drejtpërdrejt homofobinë. MARGINI kërkon rikthimin e përmbajtjeve për diversitetin seksual, homofobinë, barazinë gjinore dhe të drejtat seksuale e riprodhuese, publikimin e vlerësimeve profesionale mbi të cilat janë bërë ndryshimet, mekanizma konfidencialë për raportimin e dhunës homofobike dhe transfobike në shkolla dhe përfshirjen e të rinjve në hartimin e politikave arsimore.
“MASH duhet të ndalojë së përshtaturi politikat arsimore sipas paragjykimeve”, thuhet në reagimin e Koalicionit.
Instituti për Studime Gjinore: Nxënësit mbeten pa terminologjinë për t’i kuptuar problemet
Instituti për Studime Gjinore i Fakultetit Filozofik në Shkup ka kërkuar nga MASH dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit që, para zbatimit të programit në gjimnaze, të rikthehen termat “gjini”, “barazi gjinore”, “role gjinore”, “stereotipe gjinorë” dhe “dhunë me bazë gjinore”.
Sipas Institutit, programi përmban kundërthënie: nga nxënësit kërkohet të shpjegojnë dallimin ndërmjet karakteristikave biologjike të seksit dhe pritshmërive shoqërore për sjelljen e individëve, por termi shkencor që e shpjegon këtë dallim është larguar.
“Rishikimi që i përgjigjet kundërshtimit duke e fshirë termin nuk e zgjidh problemin, por ua bart atë mësimdhënësve dhe nxënësve, të cilët mbeten pa terminologjinë e nevojshme për të shpjeguar dukuritë që programi megjithatë kërkon t’i analizojnë. Përgjigjja ndaj kundërshtimit është përcaktimi i qartë, i saktë dhe i përshtatshëm për moshën i kuptimit të termit në vetë programin”, thuhet në reagimin e Institutit.
Ata theksojnë se terminologjia e hequr përdoret edhe në legjislacionin e vendit. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i përcakton seksin, gjininë dhe identitetin gjinor si baza të veçanta të diskriminimit, ndërsa termi “dhunë me bazë gjinore” përdoret në legjislacionin vendor dhe në Konventën e Stambollit.
Platforma për Barazi Gjinore: Pabarazia nuk zhduket duke e fshirë fjalën “gjini”
Platforma i cilëson ndryshimet pjesë të një trendi më të gjerë të mënjanimit të barazisë gjinore nga politikat publike dhe legjislacioni.
“Ne nuk e shohim këtë vendim si rast të izoluar, as si një ndryshim të thjeshtë terminologjik. Ai është tjetër hap në trendin shqetësues të mënjanimit institucional të barazisë gjinore nga politikat publike dhe legjislacioni, të cilin e kemi ndjekur gjatë viteve të fundit”, thuhet në reagimin e Platformës.
Nëse sistemi arsimor nuk i emëron këto dukuri dhe nuk i ndihmon të rinjtë t’i kuptojnë shkaqet e tyre, thonë nga aty, ai nuk kontribuon në tejkalimin e tyre, por në heshtjen për to. Platforma kërkon që MASH ta rishikojë programin para zbatimit, t’i publikojë argumentet profesionale mbi të cilat janë bazuar ndryshimet dhe të garantojë që politikat arsimore të mos ndryshohen nën presionin e grupeve që kundërshtojnë barazinë gjinore.
BE-ja e përmend rastin në raportin e progresit
Komisioni Evropian në raportin më të ri të progresit e përmend rastin. Raporti thekson se Gjykata Kushtetuese ka pranuar dy iniciativa që kontestojnë kushtetutshmërinë e ndryshimeve të vitit 2025 në ligjet për arsimin, të cilat kanë të bëjnë me heqjen e përmbajtjeve për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe barazinë gjinore.
“Çështja e heqjes së përmbajtjeve për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe barazinë gjinore nga arsimi fillor dhe i mesëm mbetet ende për t’u adresuar”, thuhet në raport.
Mollëkuqja.mk ka raportuar edhe më herët për tërheqjen e Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual dhe shqetësimet që ky vendim shkaktoi te profesionistët shëndetësorë, psikologët dhe organizatat qytetare.
Rikujtojmë se programi për Edukimin Gjithëpërfshirës Seksual mori dritën jeshile në vitin 2019, ndërsa zbatimi i tij në formë pilot filloi në vitin 2021, në vetëm tri shkolla në Shkup dhe Tetovë. Në njërën prej tyre programi u anulua për shkak të presionit nga prindërit.
Ndërkohë, edukimi seksual ofrohet në shumë vende evropiane, përfshirë Holandën, Suedinë, Finlandën, Zvicrën, Norvegjinë, Austrinë, Estoninë, Portugalinë, Belgjikën, Irlandën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Në rajon, Shqipëria e ka përfshirë Edukimin Gjithëpërfshirës Seksual në shkollat fillore dhe të mesme që nga viti 2012, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë zbatohet prej disa vitesh si lëndë zgjedhore në disa kantone.
This publication was produced within the framework of the project “Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog”, implemented by the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja”. The project is implemented as part of the broader regional project “Together for LGBTQI+ Equality”, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, the Ministry of Regional Investment Development and Cooperation with Non-Governmental Organisations, CCE, or the project partners.



