Foto: Faton Selami, faqja në Facebook
Foto: Faton Selami, faqja në Facebook

INTERVISTË | Faton Selami, Avokat i Popullit: një e pesta e ankesave për diskriminim lidhet me etninë, kryesisht në marrëdhëniet e punës

Në Maqedoninë e Veriut, barazia mes komuniteteve është e garantuar me ligj, por në praktikë një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të përballen me diskriminim për shkak të përkatësisë etnike, sidomos në marrëdhëniet e punës.

Sipas Avokatit të Popullit, Faton Selami, rreth 20 përqind e parashtresave që pranon institucioni çdo vit në fushën e diskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë lidhen me origjinën, përkatësinë kombëtare ose etnike. Shumica e tyre vijnë nga marrëdhëniet e punës, ku ankesat më të shpeshta drejtohen kundër personave eprorë dhe menaxhmentit të institucioneve.

Të njëjtën tablo e përshkruan edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, në vitin 2025 Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi shqyrtoi 559 raste, ku shumica e ankesave u bazuan në origjinën kombëtare ose etnike, ndërsa mbi gjysma e diskriminimit lidhej me punën dhe punësimin. Raporti vë në dukje edhe se Avokati i Popullit dhe Komisioni vazhdojnë të kenë mungesë burimesh financiare dhe njerëzore, gjë që e kufizon aftësinë e tyre për ta ushtruar plotësisht mandatin ligjor.

Problemi shfaqet edhe aty ku ankesa gjen përgjigje. Avokati i Popullit mund të japë udhëzime, rekomandime dhe mendime, por nuk ka kompetencë t’i detyrojë institucionet t’i zbatojnë ato.

Për të kuptuar se ku haset më shpesh diskriminimi etnik, sa respektohen rekomandimet e tij dhe çfarë duhet të ndryshojë që barazia të mos mbetet vetëm një parim ligjor, Mollëkuqja bisedoi me Avokatin e Popullit, Faton Selamin.

Nga parashtresat që i pranoni, cilat janë problemet më të shpeshta që lidhen me përkatësinë etnike?

Rreth 20% e parashtresave të pranuara në nivel vjetor nga Avokati i Popullit, në Seksionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat, kanë të bëjnë me diskriminimin e kryer në bazë të origjinës, përkatësisë kombëtare ose etnike (neni 5), në të gjitha fushat e përcaktuara me ligj, të cilat përfshihen në nenin 3 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Numri më i madh i këtyre parashtresave kanë të bëjnë me diskriminimin e kryer në fushën e marrëdhënieve të punës. Ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me diskriminimin e kryer nga personat eprorë, përkatësisht nga menaxhmenti i institucioneve/enteve ndaj të cilave Avokati i Popullit ka kompetencë ligjore për të vepruar, persona të cilët, nëpërmjet përdorimit të pozitës dhe fuqisë së tyre, ndërmarrin veprime të caktuara diskriminuese.

Duhet të theksohet se, kur pretendohet për diskriminim të kryer mbi këtë bazë, qytetarët theksojnë edhe baza të tjera, si: feja ose bindja fetare, gjuha, bindja politike etj. Zakonisht, te ky lloj i parashtresave, diskriminimi shpesh lidhet edhe me ngacmimin e kryer në vendin e punës – mobingun, veprime këto që përbëjnë pjesë përbërëse të diskriminimit.

Kur Avokati i Popullit konstaton diskriminim nga ana e një institucioni, sa shpesh institucionet i zbatojnë rekomandimet tuaja dhe çfarë ndodh kur nuk i zbatojnë?

Në rastet e diskriminimit të konstatuar, Avokati i Popullit, në përputhje me nenin 32 të Ligjit për Avokatin e Popullit, autorit të diskriminimit i drejton udhëzim, rekomandim ose mendim përkatës lidhur me mënyrën e mënjanimit të shkeljeve të kryera, me çka palës së dëmtuar do t’i sigurohej trajtim i barabartë me personat e tjerë te punëdhënësi ku ka pësuar diskriminim mbi një bazë të caktuar. Përkatësisht, jepen udhëzime dhe masa me të cilat do të mënjanoheshin të gjitha shkeljet e kryera, me çka parashtruesi i parashtresës do të mund t’i realizonte të drejtat e tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj.

Mund të themi se, në numrin më të madh të procedurave, autori i diskriminimit vepron sipas udhëzimeve të dhëna nga Avokati i Popullit, me çka mënjanohet shkelja e kryer. Megjithatë, në një numër të caktuar rastesh, autorët e diskriminimit, për arsye të njohura vetëm prej tyre, vazhdojnë me veprimet me të cilat kryejnë shkelje të të drejtave të parashtruesit të parashtresës dhe nuk veprojnë sipas udhëzimeve të dhëna me shkrim nga Avokati i Popullit.

Në këtë rast, veprohet në përputhje me nenin 25 të Ligjit për Avokatin e Popullit, ku përcaktohet se, për mosveprimin sipas udhëzimeve të dhëna nga Avokati i Popullit, njoftohet organi drejtpërdrejt më i lartë, ndërsa, në raste të caktuara, këto shkelje paraqiten edhe në Raportin Vjetor të Avokatit të Popullit.

Në një numër të caktuar rastesh, të cilat rrallë përdoren nga Avokati i Popullit, për mosveprimin sipas udhëzimeve, rekomandimeve ose mendimeve të tij, mund të njoftohet edhe publiku më i gjerë nëpërmjet mjeteve të informimit publik.

A keni raste në të cilat institucionet nuk kanë arritur të sigurojnë trajtim të barabartë për qytetarët nga komunitete të ndryshme? Ku shfaqen më shpesh këto probleme?

Në kuadër të fushëveprimit të veprimit tonë janë zhvilluar procedura lidhur me parashtresa në të cilat, në nivel të një vetëqeverisjeje të caktuar lokale, është kryer diskriminim në bazë politike në fushën e marrëdhënieve të punës, me ç’rast pushteti i sapozgjedhur dhe kryetari i ri i komunës nuk i kanë respektuar udhëzimet e Avokatit të Popullit, me të cilat do të mënjanoheshin veprimet diskriminuese ndaj një grupi më të madh personash të punësuar në vetëqeverisjen lokale.

Në rastin konkret, personat të cilët pësuan pasoja të dëmshme nga trajtimi i pabarabartë kanë iniciuar kontest gjyqësor pranë gjykatës me kompetencë territoriale, me çka, në mënyrë ligjore, ka pushuar mundësia për veprimin tonë të mëtejshëm lidhur me rastin konkret.

A janë mekanizmat aktualë institucionalë mjaftueshëm të fuqishëm për parandalimin e diskriminimit etnik, apo Avokati i Popullit shpesh mund vetëm të rekomandojë, pa mundësi reale për t’i detyruar institucionet të veprojnë?

Në përputhje me kompetencat ekzistuese ligjore të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjin për Avokatin e Popullit, nuk ekzistojnë mundësi që institucionet/entet, përkatësisht autorët e diskriminimit, të detyrohen t’i zbatojnë udhëzimet e dhëna nga Avokati i Popullit, pasi pozita jonë kushtetuese dhe ligjore nuk është që të jemi organ inspektues apo gjyqësor, por institucion për realizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, i cili, nëpërmjet fuqisë së fjalës së tij, kompetencës, veprimit të ligjshëm dhe profesional, do të ndikojë te subjektet kompetente që të veprojnë sipas udhëzimeve, rekomandimeve ose mendimeve të dhëna. Me këtë do të mënjanoheshin shkeljet e caktuara të të drejtave të qytetarëve që kanë paraqitur parashtresë, ose të një grupi më të madh personash, për të cilët Avokati i Popullit ka hapur lëndë me iniciativë të vet.

Çfarë duhet konkretisht të ndryshojë në institucione, në ligje, kontroll, përgjegjësi ose sanksione, që barazia ndërmjet komuniteteve të mos mbetet vetëm në letër?

Nga praktika jonë e deritanishme në veprim, mund të thuhet se kemi legjislacion solid, i cili mundëson të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet e përfshira në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por sigurisht që mbetet problemi i zbatimit.

Nga përgjigjet e Avokatit të Popullit del një tablo e qartë: ligji ekziston, por zbatimi varet nga vullneti i institucioneve, ndërsa institucioni që e ndjek zbatimin nuk ka mjete t’i detyrojë ato. Raporti i Komisionit Evropian e vë të njëjtin boshllëk në qendër dhe u rekomandon autoriteteve që të emërojnë tetë zëvendësavokatët e popullit dhe t’u sigurojnë Avokatit të Popullit dhe Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore, në mënyrë që të punojnë në mënyrë të pavarur dhe efektive.

Të tjera