February 6th, 2024
Ekzistimi i pëlqimit ose jo para marëdhënieve seksuale do të jetë përcaktues kyç në rastet e sulmeve seksuale në Maqedoninë e Veriut. Me ndryshimet në Kodin Penal (neni 186), viktimat e përdhunimit lirohen nga detyrimi për të dëshmuar se gjatë aktit, ndaj tyre është përdorur dhunë apo ndonjë lloj i frikësimit ndërsa ata në mënyrë aktive janë mbrojtur ose kanë kundërshtuar, ashtu siç ka qenë deri tani.
Kjo është shumë e rëndësishme pasi shpesh herë, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhen viktimat, shokit dhe frikës, s’janë të afta ta kundërshtojnë në mënyrë aktive sulmin, por edhe sepse është e mundur që të ketë sulm seksual apo përdhunim pa përdorim të dhunës fizike.
Ky është përcaktimi i ri ligjor i sulmit seksual.
"Personi që kundër vullnetit të shprehur qartë të personit tjetër, të vlerësuar në kontekstin e rrethanave të ngjarjes, mbi të do të ushtrojë marrëdhënie seksuale ose çfarë do lloj vepre tjetër të së njëjtës natyrë seksuale, që përfshin penetrim vaginal, anal ose oral me cilën do pjesë të trupit apo ndonjë mjet tjetër, ose do të ushtrojë shtypje mbi një person tjetër që pa vullnetin e tij të kryejë marrëdhënie apo çfarë do vepre tjetër seksuale me një person të tretë, apo të kryejë vepër seksuale mbi veten, do të dënohet me burgim prej 1 deri 8 vite."
Nëse viktima e sulmit seksual është e moshës nën 15 vjeçe, kryerësi i veprës do të dënohet me më së paku 3 vite burg ndërsa nëse gjatë kryerjes së aktit, gjithashtu është përdorur dhunë apo kërcënim, kryerësi do të dënohet nga 3 deri në 10 vite burg.
Këto ndryshime vijnë si pasojë e harmonizimit të ligjeve me Konventën e Stambollit ndërsa një standard të tillë e ka vendosur edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilës, përcaktues i sulmit seksual duhet të jetë (mos) pëlqimi i dhënë nga viktima.
Fakti që sulmet seksuale pa përdorim të dhunës fizike apo kërcënimit nuk kanë qenë të inkriminuara, kanë lënë vendin pa statistika të qarta të rasteve të përdhunimit në Maqedoninë e Veriut. Aktivistët me të cilët bisedoi ‘Mollëkuqja’ thonë se statistikat reale të ‘përdhunimit’ janë shumë më të larta se ata që kumtohen nga kompetentët.
“Nuk e dimë se sa gra të tilla mund të kishin përjetuar sulm seksual pa dhunë fizike, në qendrën tonë për përkrahje të grave viktima të të gjitha llojeve të dhunës kemi pasur viktima të përdhunimit, por jo të përdhunimit pa forcë fizike” i tha gazetarit të ‘Mollëkuqja” Nebahat Ziberi Imeri nga Qendra e Grave për Përkrahje në Tetovë.
Ziberi Imeri shtoi se “mendoj se s’ka pasur denoncime të tilla deri te ne pasi kjo s’ka qenë e rregulluar ligjërisht dhe gratë nuk kanë qenë të informuara se bëhet fjalë për përdhunim”, duke lënë të nënkuptohet se vetëm për faktin që nuk ka ekzistuar në ligj, nuk do të thotë se nuk ka pasur raste të tilla.
Paralelisht me ndryshimet ligjore, është e nevojshme që të trajnohen edhe punonjësit e policisë për shkak të mendësisë që një pjesë e tyre e kanë se gratë, sidomos me partnerët intim, e kanë të patjetërsueshme të kryejnë marrëdhënie seksuale, përkundër vullnetit të tyre.
Ka pasur raste kur viktimave të përdhunimit nga punonjës të policisë ju është thënë që meqë ata nuk kanë rezistuar apo kundërshtuar në mënyrë aktive, kanë dashur që të kryejnë marrëdhënie seksuale.
Zyrtarisht, nga viti 2020 deri në vitin 2023 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 115 raste të sulmit gjinor dhe përdhunimit.
2020 – 38 raste
2021- 25 raste
2022 – 18 raste
2023 – 34 raste
Ritheksojmë se ky numër mendohet të jetë shumë më i lartë, e para pasi rregullimi ligjor i sulmeve seksuale deri tani nuk ka qenë në favor të viktimave si dhe frika, stigma dhe turpi i detyron shumë viktima që mos ta denoncojnë fare rastin.
Biseduam me Dragana Drdanevska nga koalicioni “Margini” për rëndësinë e këtyre ndryshimeve ligjore, thotë se pas ndryshimeve ligjore pason ndryshimi i mendësisë pasi shpesh herë ‘faji’ për sulmin seksual drejtohet padrejtësisht nga viktima.
“Pas denoncimit viktimat përballen me viktimizim si nga ana e institucioneve ashtu edhe nga rrethi, për këtë lirshëm mund të themi se rrethina është bashkëkryerëse përmes fajësimit të viktimës, etiketimit të saj si e pamoralshme duke i thënë “vetë e ke kërkuar”, ndërsa nga ana tjetër relativizimi i fajit të kryerësit dhe arsyetimi i veprës së tij. Shumë shpesh rrethi nuk i beson viktimës, për kryerësit flitet si person “I mirë/familjar”, ndërsa viktima etiketohet si “keqbërëse/Shtrigë” dhe ngjashëm, thuhet se e ka denoncuar që t’i hakmerret dhe ngjashëm” tha Drdanevska.
Tashmë Maqedonia e Veriut i njeh dhe sanksionon edhe përdhunimet në çift. Drdanevka shtoi se deri tani “kjo as nuk është përceptuar si përdhunim, por si formë e dhunës seksuale pasi besohet që në martesë kryerja e marrëdhënieve seksuale është e drejtë e burrit, ndërsa detyrë e gruas”.
Ajo shtoi se tash është koha që shteti t’i përveshë krahët dhe të punojë në drejtim të përforcimit të kapaciteteve të institucioneve të cilat ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës gjinore dhe vetëdija e përgjithshme në lidhje me rëndësinë e ekzistimit të pëlqimit apo pajtueshmërisë.
“Kemi qendra për paraqitje dhe udhëzimin e viktimave të dhunës seksuale të cilat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme. Me fjalë tjera, nga njëra anë kemi probeme shumështresore, ndërsa nga ana tjetër, nuk shohë interes serioz dhe investim nga ana e institucioneve në zgjidhjen e këtyre problemeve. Ende nuk kemi informacione dhe nuk e dimë se si dhe a po zbatohen ndryshimet e Kodit Penal, nëse institucionet veprojnë më profesionalisht me viktimat e dhunës seksuale dhe se si në praktikë vlerësohet pajtueshmëria.” tha Dragana Drdanevska për ‘Mollëkuqja’.
Sipas një analize të “Amnesty International”, vetëm 12 nga 31 shtete në Evropë kanë ligj që e definon përdhunimin si seks pa pëlqim, edhe atë: Belgjika, Kroacia, Qipra, Danimarka, Gjermania, Greqia, Islanda, Irlanda, Luksemburgi, Malta, Suedia dhe Britania e Madhe. Në këto shtete çdo marrëdhënie seksuale pa pëlqim të të dy palëve është përdhunim, asgjë më pak dhe asgjë më shumë.
Në këto shtete madje thuhet se bëhet fjalë për përdhunim edhe në rastet kur viktima është në gjendje të dehur apo e droguar, ose në qoftë se ajo ka vendosur të shkojë në shtëpi me dikë, edhe në qoftë se është e veshur në mënyrë provokative, por edhe nëse ajo nuk ka thënë një “jo” shumë të qartë apo nuk e ka kundërshtuar aktin fizikisht.
Ka studime që vërtetojnë se programet për edukim-seksual kanë pasur rezultat në reduktimin e kulturës së përdhumimit në shtetet ku ligjërohet kjo lëndë. Në Maqedoninë e Veriut ky program u pilotua në vitin 2021 në disa shkolla fillore, por assesi që të përfshihet në kurrikulat formale si lëndë e posaçme apo zgjedhore të shkollave.
Në lidhje me këtë, biseduam me një prej edukatoreve (peer educator) të kësaj lënde, Marija Gjorgjievska, ajo thotë se edhe pse pilot-programi ka rezultuar me vlerësime pozitive dhe rrjedhimisht HERA bashkë me Byronë për Zhvillimin e Arsimit kishin përgatitur strategji për vendosjen e lëndës në kurrikulat formale, procesi ka ngec në integrimin e strategjisë.
“Megjithatë, HERA vazhdon të organizojë ligjërata për edukim gjithëpërfshirës seksual, brenda dhe jashtë shkollave, të cilat janë të qasshme për të gjithë të rinjtë. Për suksesin e këtyre ligjëratave flet fakti që shumë shpesh me vetë iniciativë nga ana e të rinjve, kuadrit mësimor dhe prindërve, kërkohet që të realizohen ato” tha Marija Gjorgjievska.
Ajo thotë se përgjatë ligjëratave rëndësi të veçantë i kanë kushtuar temës së ‘pëlqimit’.
“Përgjatë ligjëratave jemi përballur me profile të ndryshme të të rinjve me prejardhje të ndryshme socio-ekonomike. Marrë këtë parasysh, informimi për këto tema, varionte nga njëri ekstrem te tjetri. Mirëpo, të rinjtë gjithmonë janë të gatshëm për t’i zgjeruar njohuritë e tyre dhe janë të hapur për të diskutuar në lidhje me këto tema, ndërsa ne jemi këtu për të ju ndihmuar që të thyhen të gjitha mitet dhe dilemat të cilat i kanë. Në këto ligjërata, rëndësia për dhënien e pëlqimit, potencohet në mënyrë argëtuese dhe joformale, përmes akronimeve dhe lojërave, me qëllim që ta kuptojnë dhe mos e harrojnë” shtoi Marija Gjorgjievska.
Përpos që ende nuk ligjërohet edukimi gjithëpërfshirës seksual në shkolla, ‘Mollëkuqja’ ka pasur një hulumtim sipas të cilit rezultoi që mësimdhënësit në disa shkolla e kapërcenin kapitullin për riprodhimin seksual në lëndën e biologjisë, duke mos e ligjëruar me arsyetimin se nuk është i nevojshëm për nxënësit e klasave të 9-ta ajo ligjëratë.
Rikujtojmë që në Maqedoninë e V. numri i personave me sëmundje seksualisht të transmetueshme, abortit të vajzave nën moshën 20 vjeçe dhe sulmeve seksuale është i lartë.
Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia