Teknologjitë e reja u kanë mundësuar grave që të lindin fëmijë pa pasur një partner. Maqedonia e Veriut është një ndër shtetet me rregullimin më të mirë ligjor në rajon në lidhje me këtë. Ajo që ngelet e diskutueshme sot është fakti që kjo metodë sfidon mënyrat tradicionale të krijimit të familjes. Për aspektin ligjor dhe praktik, biseduam me Arta Mero, profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore.
Si është i rregulluar riprodhimi i asistuar në legjislacionin tonë, a ekzistojnë zbrazëtirat ligjore dhe cilat ndryshime do të përmirësonin rregullimin e kësaj fushe?
Riprodhimi i asistuar në RMV rregullohet me Ligjin për Fekondim të Asistuar Biomjekësor (LFAB) të vitit 2008, me ndryshimet dhe plotësimet në vitin 2014 ku në detaje rregullohet edhe procesi i amësisë surrogate. Ky ligj rregullon të drejtën e fekondimit të asistuar biomjekësor; kushtet për realizimin e kësaj të drejte; sigurinë e donimit; sigurinë, testimin, përpunimin, ruajtjen, shpërndarjen dhe zbatimin e qelizave gjatë realizimit të fekondimit të asistuar biomjekësor; të drejtat dhe obligimet e pacientit; punëtorët shëndetësor dhe institucionet shëndetësore; kushtet për zbatimin e fekondimit të asistuar biomjekësor, mbikëqyrjen. Metodat që rregullohen sipas Ligjit për FAB- IVF, riprodhimi post’human, e drejta e gruas së vetme për të themeluar familje përmes spermës së dhuruar, amësia surrogate.
Disa nga zbrazëtirat ligjore të Ligjit FAB:
1. Ndryshe nga bashkëshortët martesorë, problemet lindin kur si shfrytëzues të FAB paraqiten bashkëshortët jashtëmartesorë. Sipas Ligjit për Familjen, bashkësia e jetës së burrit dhe gruas e cila nuk është krijuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Familjen (bashkësi jashtëmartesore) dhe e cila ka zgjatur më së paku një vit, është e barabartë me bashkësinë martesore në aspekt të së drejtës së mbajtjes reciproke dhe pronës së fituar gjatë kohëzgjatjes së asaj bashkësie (neni 13). Duke pasur parasysh se koncepti i bashkësisë jashtëmartesore “të paregjistruar” është i pranuar në legjislacionin familjar, në praktikën gjyqësore paraqitet problemi i vërtetimit të ekzistimit dhe kohëzgjatjes së bashkësisë jashtëmartesore. Institucionet mjekësore në RVM që kryejnë fekondim të asistuar biomjekësor nuk kanë asnjë mënyrë për të verifikuar nëse vërtet ekziston bashkësia jashtëmartesore midis një burri dhe një gruaje që kërkojnë realizimin e fekondimit të asistuar biomjekësor.
2. Ligji për FBA i lejon një gruaje beqare (të vetme), e cila nuk është e martuar dhe nuk ka partner jashtëmartesor, të aplikojë për fekondim të asistuar biomjekësor. Si rezultati këtij fekondimi, fëmija që do të lindë nuk do të ketë baba të njohur, sepse dispozitat e Ligjit për Familjen për vërtetimin e atësisë nuk i referohen fekondimit të asistuar biomjekësor, ku dhuruesi është anonim. Kjo zgjidhje, e cila përfundimisht rezulton në faktin se fëmija i ngjizur me fekondim të asistuar biomjekësor nuk do të ketë baba, është në kundërshtim me dokumentin më të rëndësishëm ndërkombëtar që rregullon dhe mbron të drejtat e fëmijëve,- Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, ratifikuar edhe nga RM.
3. Të vendoset një kufi moshe (bazuar në njohuritë mjekësore dhe shkencore) deri në të cilin gratë mund të aplikojnë si shfrytëzuese të procedurës FAB.
Shembull: në Serbi “është e ndaluar shfrytëzimi i FAB nga gruaja e cila sipas moshës apo gjendjes së përgjithshme shëndetësore nuk është e aftë të lindë, gjegjësisht e cila është në moshën që nuk është e përshtatshme për lindje”.
4 Aktualisht fëmijët e lindur përmes ndonjërës nga metodat e riprodhimit artificial nuk kanë të drejtën e njohjes së prejardhjes gjenetike. Koncepti për identitetin e hapur në fushën e riprodhimit duhet të vendoset në Ligjin për Familjen dhe Ligjin për Fekondim të Asistuar Biomjekësor.
Akti i fekondimit të asistuar (riprodhimit artificial) duhet të sjell perspektivë ndaj të drejtave të fëmijëve dhe të promovoj interesin e tij më të mirë para interesave dhe dëshirave të donatorëve dhe prindërve.
Informatat për identitetin dhe prejardhjen gjenetike janë të drejta themelore dhe të cilat nuk e rrezikojnë prindërinë juridike. Bazuar në LFAB, fëmija i lindur me anë të fekondimit me qeliza gjinore ose embrione të dhuruara, nëse i ka mbushur 18 vjet dhe është i aftë të gjykojë, mundet vetëm për shkaqe të arsyeshme mjekësore dhe me leje paraprake nga Komisioni Shtetëror, të kërkojë këqyrje në të dhënat për gjendjen shëndetësore të donatorit ose donatorëve, në Regjistrin Shtetëror për FAB.
5. Sipas Ligjit për FAB amësia surrogate mund të shfrytëzohet si alternativë për themelimin e prindërisë vetëm nga bashkëshortët martesorë.Kjo zgjidhje paraqet diskriminim ndaj bashkëshortëve jashtëmartesore, i cili vështirë se mund të justifikohet dhe të pranohet, nëse merret parasysh se në të drejtën tonë familjare, bashkësia jashtëmartesore barazohet me martesën në shumë aspekte dhe gjithashtu edhe në vet Ligjin për FAB bashkëshortët jashtëmartesorë mund të jenë shfrytëzues të të gjitha metodave tjera të riprodhimit artificial përveç amësisë surrogate. Në këtë rast kemi një situatë absolutisht të palogjikshme në vet Ligjin për FAB, sipas të cilit bashkëshortët jashtëmartesor mund të jenë shfrytëzues të të gjitha procedurave të fekondimit të asistuar biomjekësor, përfshirë edhe riprodhimit posthuman, por në këtë rast përjashtohen nga mundësia e amësisë surrogate.
Ky kufizim ligjor nuk ka asnjë justifikim logjik dhe të arsyeshëm, përveç ndoshta përcaktimit ideologjik se martesa duhet të mbrohet, e cila doli në plan të parë me ndryshimet e propozuara të Kushtetutës, në të cilën martesa përkufizohej si bashkësi e një burri dhe një gruaje.
Por të kufizohet e drejta e riprodhimit të një burri dhe një gruaje vetëm për shkak se ata nuk janë të martuar është në kundërshtim me zgjidhjet e dhëna në të gjitha rastet e tjera të fekondimit të asistuar biomjekësor që i rregullon Ligji për FAB dhe nuk i përgjigjet një shoqëri moderne demokratike.
Si përcaktohet prindëria juridike në rastet e riprodhimit të asistuar, veçanërisht në situata si surrogacia?
Donatorët e qelizave gjinore dhe embrioneve, nuk kanë të drejta dhe obligime prindërore, ndaj fëmijës së ngjizur me shfrytëzimin e qelizave të tyre gjinore me procedurat e FAB-së. Fëmija pavarësishtë prejardhjes gjenetike, në librin amëz të të linudrve regjistrohet si fëmijë i prindërve të cilët do të kujdesen për të.
Në rastin e amësisë surrogate: Sipas të drejtës së RMV-së, nëna surrogate nuk ka të drejta dhe obligime prindërore ndaj fëmijës, gjegjësisht fëmijëve që do ti lind për bashkëshortët martesorë. Deklarata e dhënë për pëlqim për zbatimin e procedurës së FAB-së me bartëse të shtatzënisë, ka rëndësi juridike të deklaratës për heqje dorë nga pranimi i amësisë pas lindjes së fëmijës, përkatësisht fëmijëve. Nëna surrogate nuk llogaritet nënë e fëmijëve të lindur.
Si prindër, pas lindjes së fëmijës nga një grua mbajtëse, në Librin Amzë të të Lindurve regjistrohen bashkëshortët martesorë me kërkesë të të cilëve është iniciuar procedura e FAB-së me bartëse të shtatzënisë.
Organi kompetent për mbajtjen e Librave Amzë të të Lindurve i regjistron si prindër, bashkëshortët martesorë, me kërkesën e të cilëve është iniciuar procedura e FAB-së me bartëse të shtatzënisë, në bazë të vërtetimit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë
Të dhënat për gruan surrogate dhe mënyrën sipas të cilës ai fëmijë është ngjizur dhe lindur mund t’i tregohen fëmijës së lindur përmes FAB me bartëse të shtatzënisë pas mbushjes së moshës 5 vjeçare.
Si garantohen të drejtat dhe interesi më i mirë i fëmijës të lindur përmes teknikave të riprodhimit të asistuar, përfshirë të drejtën për të njohur origjinën biologjike?
E drejta e fëmijës për identitet personal i referohet njohjes se cilët janë prindërit e tij biologjikë dhe të drejtës për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie personale nëse të dyja palët tregojnë interes për këtë.
Respektimi i të drejtave së fëmijëve përmbush edhe një nga kërkesat e të drejtës familjare, që është respektimi i dinjitetit njerëzor.
Koncepti i identitetit interpretohet nga disa aspekte: aspektet juridike, personale, psikologjike, sociologjike, për të cilat sigurisht jepen përkufizime specifike.
E drejta për të njohur origjinën gjenetike përfaqëson një element të rëndësishëm në përcaktimin e identitetit të një personi i cili ka të drejtë të merr informata relevante për të vërtetuar të vërtetën mbi identitetin e prindërve të tij. E drejta për të njohur prejardhjen është në varshmëri me të drejtën për të njohur mënyrën e ngjizjes.
Duhet të ketë një mekanizëm të detyrueshëm për zbulimin e informatave, si p.sh.: regjistrimet e identitetit të donatorit në Librat amzë të të lindurve, lidhja formale e informacionit me Librat amzë të të lindurve, madje edhe testet e detyrueshme të ADN-së.
Fshehtësia, nga ana tjetër, mund të parandalojë komunikimin midis prindërve dhe fëmijëve dhe të krijojë marrëdhënie armiqësore të urrejtjes, fajit dhe mosbesimit.
Përveç të drejtës së fëmijës për njohjen e prejardhjes së tij, shtrohet edhe çështja e anonimitet të donatorit në rastin e fekondimit alogjenik. Përplasja mes këtyre dy të drejtave gjithmonë hap diskutime edhe në fushën e harmonizimit të ligjeve.
Argumentet se e drejta e fëmijës për të ditur origjinën e tij duhet të mbizotërojë mbi interesat e donatorëve dhe prindërve juridik:
- Promovimi i barazisë së të gjithë fëmijëve, pa diskriminim lidhur me natyrën e ngjizjes të tyre dhe zgjedhjen riprodhuese të prindërve të tyre;
- Promovimi i interesit më të lartë të fëmijës për shkak të informacioneve thelbësor mjekësore për sëmundjet trashëguese dhe gjenetike;
- Mbizotërimi i së drejtës për identitet personal si një ndërtim kompleks në kotekst të jetës familjare, marrëdhënieve prindërore dhe gjinore mbi dëshirat e donatorëve anonimë dhe prindërve që pretendojnë ekskluzivitetin e prindërisë së tyre;
- Mbizotërimi i konceptit që i trajton fëmijët si subjekte aktive dhe i vlerëson si të rëndësishme qëndrimet e tyre për çështjet që i prekin në krahasim me qasjen prindërore të prindërve për të marrë vendime paraprakisht në emër të fëmijëve;
- Rëndësia e njohjes së lidhjeve gjenetike mund të parandalojë marrëdhëniet incestuoze me të afërmit me të cilët fëmijët kanë lidhje gjaku, gjë që mund të rrisë shanset që pasardhësit të preken nga gjenet recesive ose mutacionet e dëmshme;
- Siguria psikologjike e fëmijëve, donatorëve dhe prindërve juridik si lehtësim nga ankthi i ruajtjes së sekreteve.
Cilat janë rreziqet juridike dhe praktike që lindin gjatë zbatimit të riprodhimit të asistuar në praktikë dhe si mund të adresohen ato?
Zhvillimi i shpejtë i mjekësisë riprodhuese mundëson që fekondimi i asistuar biomjekësor të bëhet “një procedurë rutinë e ofrimit të ndihmës për çiftet infertile në vendet evropiane”.
Dilemat serioze lidhur me të cilat ligjvënësit duhet të gjejnë përgjigje janë çështjet në lidhje me: anonimitetin e dhuruesve/donatorëve të materialit riprodhues, mbrojtjen e të drejtave të personave, të cilët janë shfrytëzues të fekondimit të asistuar biomjekësor,
rregullimin e statusit juridik të fëmijëve të lindur përmes metodave të teknologjive të reja për riprodhim artificial, mbrojtjen e të drejtave prindërore, rregullimin e konflikteve që burojnë nga e drejta e fëmijës për të njohur prindërit biologjikë dhe të drejtën e anonimitetit të donatorit, rregullimin e mundësisë së kryerjes së eksperimenteve shkencore me embrionet njerëzore, nevoja për të parandaluar komercializimin e procesit të riprodhimit, dhe një numër të madh çështjesh të tjera.
Si ndikon riprodhimi i asistuar në shoqëritë tradicionale dhe a po vërehet një pranim më i madh i këtyre metodave, apo ende ekziston hezitim ndaj tyre?
Në të gjitha vendet evropiane, përfshirë RMV, po ndodhin transformime të thella në strukturën familjare: Numri i martesave po zvogëlohet; Shkurorëzimet po rritet në mënyrë dramatike;Familjet monoprindërore dhe të rekomponuara po rriten; Bashkësite jashtëmartesore dhe fëmijët e lindur jashtëmartese po shtohen; Nataliteti po bie ndjeshëm.
Modeli tradicional i familjes (baba+nënë+fëmijë brenda martesës) nuk është më model dominant. Pluralizmi i formave familjare po bëhet jo vetëm realitet shoqëror, por gjithnjë e më shumë edhe realitet juridik.Ka një tendencë në rritje të pranimit të FAB dhe metodave të reja riprodhuese edhe në shoqëritë tradicionale, por hezitimi ende ekziston, sidomos ndaj: Gruas beqare si shfrytëzuese e FAB; Amësisë surrogate; shfrytëzimit të materialeve gejentike të donuara.
Ligji vetë pasqyron këtë tension, duke lejuar gruan beqare të aplikojë, por duke kufizuar amësinë surrogate vetëm për çiftet martesore, duke diskriminuar në këtë aspekt bashkëshortët jashtëmartesorë, si dhe burrat e vetëm. Kjo tregon hapur se ligjvënësi ju përgjigjet gradualisht transformimeve shoqërore, por me kujdes dhe duke mbajtur balancën midis vlerave tradicionale dhe të drejtave individuale, në veçanti lirisë riprodhuese.


