Shpesh fillon pa zë; me fjalë të thëna pa u menduar, me pritshmëri të heshtura, me role të vendosura që askush nuk i vë në dyshim. Është një proces i ngadaltë, pothuajse i padukshëm, përmes të cilit vajzat mësojnë se sa vend zënë në botë dhe sa zë u lejohet të kenë. Dhe pikërisht sepse është kaq i zakonshëm, ky realitet rrallë sfidohet, ai pranohet, përsëritet dhe, me kalimin e kohës, bëhet normë.
Thuhet se ‘seksizmi’ dhe ‘mizogjinia’ janë koncepte që vërehen lehtësisht — mjafton të dimë ku të shohim. Fillimisht mund t’i analizojmë në formën më të thjeshtë të shprehjes njerëzore: gjuhën dhe komunikimin. Mënyra se si i themi gjërat, dhe ajo që themi, tregon shumë për mënyrën se si e shohim botën; në fund të fundit, gjuha është akti i parë njerëzor i të kuptuarit të botës rreth nesh.
Nëse një fjalë ka strukturë fyese ndaj një grupi të margjinalizuar, fëmija që rritet në një mjedis ku kjo fjalë përdoret vazhdimisht pa asnjë kontekst nuk do ta vërë kurrë në dyshim kuptimin e saj. Por kjo do të shkaktojë formimin e një rrjedhe specifike mendimi, një lloj mendësie ‘është ashtu sepse është ashtu’. E gjithë kjo çon në një proces mendimi kolektiv të quajtur ‘egregore’ – që do të thotë se, nëse mjaftueshëm njerëz e besojnë dhe e praktikojnë diçka, ajo bëhet mendim i natyrshëm; për shembull, disa stereotipe gjinore: gratë janë emocionale, burrat janë të logjikshëm.
Shumica e vajzave lindin dhe rriten në mjedise që nuk janë mikpritëse ndaj tyre. Ato trajtohen sikur të ishin qytetare të dorës së dytë; jetojnë në vende ku nuk ka ligje që diktojnë se çfarë bën një burrë me trupin e tij, por ka plot ligje e paragjykime kundër grave.
Të kesh urrejtje ndaj një personi është një gjë, por të urresh dikë për diçka që nuk e ka zgjedhur vetë është diçka krejt tjetër.
Ndoshta individët që përhapin aq shumë urrejtje kanë një krizë identiteti: nuk e njohin veten dhe nuk e shohin realitetin. Për ta, gjithçka që ndodhet në anën tjetër të murit u duket kërcënim. Është, sigurisht, një mentalitet spartan, ku nuk e kuptoj dot nëse shkaku është testosteroni steroid që ua ka fryrë trurin pothuajse jashtë kafkës, apo thjesht frika nga e panjohura – frika se ndoshta do të humbnin fuqinë e tyre, e bashkë me të edhe burrërinë. E gjithë kjo mbi faktin se, kur një individ nuk ka asnjë atribut të mirë vetjak, do të shtyjë e do të mbrojë fanatikisht ide të tilla si etnia, feja, madje edhe ideologjitë gjinore.
Kjo sjellje e dëmshme është shumë e rëndë për të gjithë, jo vetëm për gratë, por edhe për burrat.
Nuk kam arritur t’ia gjej thelbin apo arsyen e krejt padrejtësive dhe diskriminimit të vazhdueshëm ndaj grave. Mbase vjen nga frika, mbase nga mungesa e aftësisë për të kuptuar, ose mbase diskriminimi ndër vite është shndërruar në një zakon të pashkruar që u ka ardhur për shtat burrave, e gjithë këtë mendësi e mbrojnë si sytë e ballit.
Sfida nuk qëndron vetëm në identifikimin e padrejtësive, por në thyerjen e ciklit që i mban ato gjallë në mënyra të padukshme dhe të përditshme. Ndryshimi fillon kur heshtja zëvendësohet me vetëdije, kur normalja vihet në pikëpyetje dhe kur secili individ merr përgjegjësi për gjuhën dhe veprimet e veta. Vetëm përmes një përpjekjeje të vazhdueshme kolektive mund të ndërtohet një shoqëri ku barazia nuk është thjesht një ideal i deklaruar, por një realitet i jetuar.


