Gratë prodhuan automjetin e parë ushtarak shqiptar, e pagëzuan me emrin SHOTA

Gratë, udhëheqëse të kompanisë “Timak”, kanë prodhuar automjetin ushtarak të parë shqiptar. Ata këtë automjet e pagëzuan me emrin “Shota” ndërsa sipërmarrësja nga kjo kompani, Arjeta Muca, tha se makina është përfunduar brenda një kohe shumë të shkurtër, rreth 3 muaj.

“SHOTA, automjeti i parë ushtarak shqiptar, i lindur nga zemra e kombit tonë dhe krijuar nga forca e grave të jashtëzakonshme shqiptare. E fortë, sypatrembur, krenare – SHOTA mishëron frymën e inovacionit dhe fuqizimit.” shkruan kompania “Timak” në Facebook.

Kompania e cila ka prodhuar këtë automjetin “SHOTA” ka një ekip me 75% vajza të reja, ata kanë arritur që deri tani të eksportojnë makina në 20 shtete të botës ndërsa së fundmi, patën guximin që të futen edhe në tregun e industrisë ushtarake.

“Më mori dikush në telefon nga Izraeli. Ishte shqiptare dhe kishte parë një ambulancë izraelite Made in Albania dhe ishte çuditur. Më ndodh shpesh që takoj njerëz që çuditen me ne. Ndërsa unë çuditem me çudinë e tyre,” kishte deklaruar më herët Arjeta Muca.

Automjeti do të prezantohet në panairin e Parisit në datat 17-21 qershor. Automjeti deri tani ka pasur shumë interes dhe veçse janë rezervuar shumë takime.

Më të interesuar për këtë automjet janë kompanitë nga Polonia, Çekia dhe Ukraina. Ata dëshirojnë që të ndërtojnë fabrika në Shqipëri për të prodhuar dronë ushtarakë.

Të tjera