Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar ndryshime në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor që u japin grave me diagnozë dismenorre sekondare mundësinë të marrin deri në dy ditë pushim mujor, të paguar, për shkak të dhimbjeve menstruale.
E rëndësishme është të theksohet se kjo e drejtë nuk shtrihet automatikisht te çdo grua që ka cikël menstrual, por rezervohet vetëm për ato raste kur dhimbjet kanë bazë mjekësore të vërtetuar, si endometrioza, mioma, polipe në mitër, inflamacione të vezoreve apo sindroma e vezoreve policistike, gjendje që shpesh shoqërohen me dhimbje intensive, gjakderdhje të tepërt apo probleme fertiliteti. Vendosja e diagnozës mbetet kompetencë e mjekut specialist.
Pavarësisht kufizimit vetëm te rastet e diagnostikuara, ligji konsiderohet një moment domethënës për njohjen zyrtare të asaj se si menstruacionet mund të ndikojnë në jetën e përditshme dhe profesionale të grave.
Në aspektin praktik, pushimi do të konsiderohet një lloj i veçantë paaftësie të përkohshme pune dhe do të paguhet njësoj si pushimi mjekësor i zakonshëm. Femrat që përfitojnë do të jenë të detyruara të rinovojnë çdo vit certifikatën mjekësore dhe t’ia dorëzojnë punëdhënësit brenda afateve ligjore.
Autorja e nismës është deputetja e pavarur Jevrosima Pejović, e cila e paraqiti projektligjin pak para 8 Marsit. Teksti kaloi njëzëri si në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ashtu edhe në atë të Legjislacionit, para se të merrte miratimin final në Kuvend.
Në arsyetimin ligjor thuhet se objektivi kryesor është trajtimi adekuat i dismenoresë sekondare, uljen e stigmës që gratë hasin në ambientet e punës, si dhe krijimi i një balance më të drejtë mes kujdesit për shëndetin femëror dhe detyrimeve profesionale.
Pas votimit, Pejović e cilësoi këtë si arritje të rëndësishme për vendin, produkt i muajve të gjatë bisedash me mjekë, shoqata dhe vetë gratë që jetojnë me këto diagnoza. Sipas saj, synimi nuk është t’u jepen privilegje grave, por të pranohet zyrtarisht një nevojë shëndetësore reale që deri tani ka mbetur jashtë vëmendjes së politikave publike.
Me këtë hap, Mali i Zi bashkohet me një numër në rritje vendesh që po e trajtojnë dhimbjen menstruale si çështje të shëndetit publik dhe të drejtave në punë, jo vetëm si problem privat i grave.




