Sot protestuesit në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup u mblodhën për mbrojtje të vajzave dhe grave duke kërkuar që institucionet t’i mbajnë përgjegjës dhunuesit. Protesta erdhi si pasojë e përdhunimit të një vajze të mitur, 11 vjeçare, për 7 orë rresht nga 5 dhunues në Prishtinë të Kosovës.
Me thirrjet “Mos m’prek”, Në park shkoj me lujt, jo me u dhunu”, “Dhuna nuk justifikohet”, “Pedofilët në burg të përjetshëm” protestuesit në Shkup edhe njëherë kërkuan që institucionet të marrin seriozisht dhunën që ushtrohet ndaj grave në të tri shtetet, garantimin dhe mbrojtjen e të njëjtave si dhe marrjen e masave kundër dhunuesve.
“Me anë të kësaj proteste kërkojmë që shtetet të risin masat e mbrojtjes dhe sigurisë për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë dhe me dënime më të ashpra të dhunës, legalizimin dhe shpërndarjen e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje, regjistër të pedofilëve, të respektohen konventat ndërkombëtare, me theks të veçantë ajo e Stambollit, trajnim të profesionistëve që punojnë me viktimat, rritje të ndërgjegjësimit për format e dhunës, përfshirja e çështjeve të barazisë gjinore në kurikulat arsimore, bashkëpunim me OJQ-të, mediat dhe sektorin privat për ndërgjegjësim të publikut, krijimin e shërbimeve të specializuara për viktimat dhe fëmijët, institucionet e drejtësisë të ju përgjigjen thirrjeve për ndihmë”, tha mes tjerash Njomza Shaqiri.
Për të njëjtin rast sot është protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në ora 12:00. Protesta u thirr nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Qytetarët hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Këshillit Gjyqësor. Protestuesit kërkuan dënimin e të dyshuarve e dhunimit të të miturës. Ngjyrë hodhën edhe në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës.