Velimir Saveski. Foto: HERA
Velimir Saveski. Foto: HERA

INTERVISTË | “Shumë as s’e dinë se i kanë”, infektologu Saveski flet për rastet me sëmundje seksualisht të transmetueshme në Maqedoni

“Nuk kemi kohë”, thotë specialisti infektolog Velimir Saveski, duke paralajmëruar se rastet me HIV në Maqedoninë e Veriut po rriten me shpejtësi. Vendi ende klasifikohet zyrtarisht si shtet me prevalencë të ulët të HIV-it, por 32 përqind e të gjitha rasteve të regjistruara që nga viti 1987 janë diagnostikuar vetëm gjatë pesë viteve të fundit.

Vetëm në gusht janë raportuar 10 raste të reja me sëmundje seksualisht të transmetueshme (pesë gonorre, tri klamidia, dy hepatit B) dhe pesë raste të reja të HIV/AIDS. Sipas Saveskit, këto shifra nuk e tregojnë përmasën reale të problemit, pasi testimi dhe raportimi mbeten të pamjaftueshme, ndërsa në ambulanca po shihen gjithnjë e më shumë pacientë të rinj.

Në një bisedë për Mollëkuqja, ai shpjegon pse shumë infeksione kalojnë pa simptoma, kur duhet të bëhet testimi dhe pse një rezultat negativ nuk e përjashton gjithmonë infeksionin, si dhe flet për pasojat e diagnostikimit të vonshëm te HIV-i, sifilizi, gonorrea dhe klamidia.

Ai ngriti edhe problemin e stigmës dhe të qasjes në testim, veçanërisht jashtë Shkupit, dhe kërkoi më shumë edukim seksual, parandalim dhe normalizim të testimit për HIV dhe sëmundje seksualisht të transmetueshme.

Cilat infeksione seksualisht të transmetueshme (IST) hasen më shpesh dhe cilat grupmosha janë më të prekura?

Dihet se më shumë se 30 baktere, viruse dhe parazitë të ndryshëm transmetohen përmes marrëdhënieve seksuale, përfshirë seksin vaginal, anal dhe oral. Disa infeksione seksualisht të transmetueshme (IST) mund të transmetohen edhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji.

Tetë IST janë më të zakonshmet në nivel global. Katër prej tyre aktualisht janë të shërueshme: sifilizi, gonorrea, klamidia dhe trikomoniaza. Katër të tjerat janë infeksione virale: hepatiti B, virusi herpes simplex (HSV), HIV dhe virusi i papillomës njerëzore (HPV).

Të gjitha infeksionet seksualisht të transmetueshme i hasim në praktikën e përditshme. Natyrisht, popullata më e prekur është ajo seksualisht aktive.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për gushtin e vitit 2026, në grupin e infeksioneve seksualisht dhe përmes gjakut të transmetueshme (pa HIV/AIDS) janë regjistruar 10 persona të sëmurë, përkatësisht janë raportuar pesë raste të gonorresë, tri raste të klamidias dhe dy raste të hepatitit viral B. Gjatë muajit gusht janë raportuar edhe pesë raste të reja të HIV/AIDS.

Të dhënat më të qarta për moshën i kemi për HIV-in. Sipas të dhënave kumulative për HIV/AIDS në Maqedoni, deri më 27 nëntor 2025, mosha mesatare e rasteve të regjistruara në momentin e diagnostikimit ka qenë 34 vjeç. Shpërndarja sipas moshës tregon se më të prekurit janë personat seksualisht aktivë të moshës 20 deri në 39 vjeç, që përbëjnë rreth tre të katërtat e rasteve të diagnostikuara.

Interpretimi i të dhënave duhet të bëhet me kujdes, sepse vetëm pesë rastet e raportuara të gonorresë nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se në të gjithë shtetin kanë qenë vetëm pesë infeksione. Te IST-të ekziston testim i pamjaftueshëm, si dhe zbulim dhe raportim jo i plotë i rasteve.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në vlerësimin e sistemit maqedonas të mbikëqyrjes, ka dhënë rekomandim për analizimin e kësaj gjendjeje dhe forcimin e sistemit. Në ambulanca shohim gjithnjë e më shumë pacientë të rinj me ndonjë IST.

Pse shumë njerëz nuk kanë simptoma dhe kur duhet të testohen?

Çdo ditë, në nivel global, te personat e moshës 15 deri në 49 vjeç shfaqen më shumë se një milion infeksione seksualisht të transmetueshme (IST) të shërueshme, shumica e të cilave janë asimptomatike.

Në vitin 2020, janë regjistruar 374 milionë infeksione të reja te personat e moshës 15 deri në 49 vjeç me njërin nga katër infeksionet seksualisht të transmetueshme të shërueshme: klamidia, gonorrea, sifilizi dhe trikomoniaza.

Infeksionet seksualisht të transmetueshme shpesh janë asimptomatike. Kur shfaqen simptoma, ato mund të jenë jospecifike dhe të mos tregojnë se për cilin infeksion bëhet fjalë. Prandaj përdoren teste të caktuara diagnostikuese, por ndonjëherë pamja klinike e një infeksioni është aq e qartë saqë menjëherë fillohet trajtimi.

Çdo person seksualisht aktiv duhet të testohet. Rekomandimet ndryshojnë për gratë shtatzëna dhe personat që jetojnë me HIV, por do të theksoja se pacientët nuk duhet të bëjnë teste me iniciativën e tyre, sepse një test negativ jo gjithmonë e përjashton infeksionin apo sëmundjen. Pra, rezultati negativ nuk do të thotë gjithmonë se nuk ekziston infeksioni, për shkak të të ashtuquajturës “periudhë dritare”. Interpretimi i rezultatit duhet të bëhet nga një profesionist i trajnuar shëndetësor.

Sa problem është diagnostikimi i vonshëm dhe çfarë mund të ndodhë nëse IST-ja nuk trajtohet?

Varet se për cilin infeksion bëhet fjalë. Zbulimi i vonshëm është problemi më i madh, veçanërisht te infeksioni me HIV.

Te HIV-i, diagnoza e hershme është veçanërisht e rëndësishme, sepse mundëson zbulimin dhe trajtimin në kohë me terapinë moderne antiretrovirale. Në këtë mënyrë infeksioni vihet nën kontroll dhe parandalohet përhapja e mëtejshme e HIV-it.

Në përgjithësi, IST-të kanë ndikim serioz në shëndetin seksual dhe riprodhues, por mund të shkaktojnë edhe pasoja serioze përtej ndikimit të drejtpërdrejtë të vetë infeksionit. Për shembull, infeksionet me herpes, gonorre dhe sifiliz mund ta rrisin rrezikun e marrjes së HIV-it.

Transmetimi i IST-ve nga nëna te fëmija mund të rezultojë me lindje të vdekur, vdekje neonatale, peshë të ulët në lindje dhe lindje të parakohshme, sepsë, konjunktivit neonatal dhe deformime të lindura.

Në vitin 2022, në nivel global janë shënuar 1.1 milionë vdekje të lidhura me hepatitin B, kryesisht nga cirroza dhe karcinoma hepatocelulare.

Klamidia dhe gonorrea e patrajtuar, për shembull, te gratë mund të shkaktojnë sëmundje inflamatore të legenit, infertilitet dhe shtatzëni ektopike, ndërsa te burrat mund të shkaktojnë inflamacion të epididimit. Sifilizi i patrajtuar me kalimin e kohës mund të dëmtojë sistemin nervor dhe atë kardiovaskular.

Sigurisht, një nga pasojat është edhe infertiliteti. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut lindin gjithnjë e më pak fëmijë, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz përballen me probleme të infertilitetit.

A nënkuptojnë rastet e HIV-it dhe sifilizit se realisht po rritet transmetimi apo thjesht po bëhen më shumë testime?

Nevojitet një analizë e thellë. Numri i rasteve të diagnostikuara është rezultat si i përhapjes reale të infeksionit, ashtu edhe i asaj se sa aktivisht kërkojmë, testojmë dhe raportojmë rastet.

Te sifilizi kjo është veçanërisht e qartë. Është fakt se po raportohen më shumë raste, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se më parë nuk janë diagnostikuar dhe trajtuar.

Maqedonia e Veriut vazhdon të klasifikohet si vend me prevalencë të ulët të HIV-it, por ISHP-ja tregon një trend afatgjatë në rritje: 32 përqind e të gjitha rasteve të regjistruara të HIV/AIDS nga viti 1987 deri në fund të nëntorit 2025 janë regjistruar në pesë vitet e fundit.

Sifilizi shpesh mbetet i panjohur për shkak të spektrit të gjerë të manifestimeve klinike. Te HIV-i duhet të punohet më shumë në eliminimin e barrierave, stigmës dhe diskriminimit, si dhe mosbesimit ndaj sistemit, të cilat i largojnë njerëzit nga testimi.

Çdo person seksualisht aktiv duhet të testohet.

Ku mund të testohen qytetarët dhe çfarë duhet të bëjnë nëse dyshojnë se janë infektuar?

Të shkojnë te mjeku. Nëse ekzistojnë shqetësime apo rrezik për ndonjë IST, përfshirë HIV-in, nuk duhet të marrin antibiotikë me iniciativën e tyre dhe as të përdorin kremra apo xhele pa këshillë mjekësore.

Ekziston këshillimorja për HIV në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, si dhe shërbimet e dermatovenerologëve. Përveç sistemit publik shëndetësor, janë edhe HERA, “Së Bashku më të Fortë” dhe EGAL.

Shërbimet janë falas, konfidenciale dhe anonime.

Do të theksoja rëndësinë e parandalimit, përdorimit të prezervativit gjatë çdo marrëdhënieje seksuale, por edhe përdorimit të profilaksisë para ekspozimit ndaj HIV-it (PrEP).

Sa më e madhe të jetë ndërgjegjësimi për HIV-in dhe IST-të, aq më i madh është edhe parandalimi.

A bëjnë institucionet mjaftueshëm për informimin dhe ngritjen e vetëdijes? Ku mund të testoheni?

Gjithmonë mund dhe duhet të bëhet më shumë dhe më mirë!

Deri tani është bërë shumë, por situata me IST-të dhe HIV-in mbetet ende shqetësuese. Po, ekzistojnë programe dhe shërbime, por ka hapësirë për përmirësim të konsiderueshëm të mbulimit, vazhdimësisë dhe qasshmërisë së tyre.

Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që jetojnë me HIV ende nuk e dinë statusin e tyre. Te të rinjtë ekziston informim i pamjaftueshëm për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Nevojitet edukim i vazhdueshëm shëndetësor për HIV-in dhe IST-të në të gjitha nivelet e sektorit shëndetësor, normalizimi i testimit, qasje më e madhe në testim jashtë Shkupit, raportim më i mirë i IST-ve dhe ulje e stigmës.

Testimi për IST dhe HIV duhet të shihet si pjesë normale e kujdesit për shëndetin personal, ndërsa edukimi seksual si një urgjencë dhe një nga masat më të mira parandaluese dhe më të leverdishme në planin afatgjatë.

Nuk kemi kohë. Institucionet duhet të mbështesin fuqishëm edukimin gjithëpërfshirës seksual dhe të forcohet lufta kundër dezinformatave.

Ku mund të testoheni?

Testimi i hershëm mbetet mënyra më e sigurt për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe të partnerëve tuaj.

Qendrat për Shëndet Publik
Në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Shkupin, Manastirin, Kumanovën, Prilepin, Koçanin dhe Tetovën, ofrojnë testim vullnetar për HIV, në shumicën e rasteve falas dhe anonim. Për informata dhe drejtim te qendra më e afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni Institutin për Shëndet Publik.

HERA, Qendra Rinore “Sakam da znam”
Testim falas dhe konfidencial për HIV dhe infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme, me mundësi caktimi edhe online. Shërbimi fizik ndodhet në Shkup, në Vodno.

Qendra për HIV, “Zaedno Posilni”
Testim falas çdo ditë pune, pa takim paraprak. I vetmi grup i vetorganizuar i personave që jetojnë me HIV në vend, me këshillim nga bashkëmoshatarë.

  • 7:30 deri 13:00, çdo ditë pune
  • zp.mk

Zbulimi i hershëm mund t’ju shpëtojë jetën. Nëse keni pasur kontakt të rrezikshëm ose thjesht dëshironi qetësi mendore, mos ngurroni të testoheni. Është falas, i shpejtë dhe në shumicën e rasteve, anonim.

Rekomandime të përgjithshme për parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme

Për të zvogëluar rrezikun nga këto infeksione, rekomandohet përdorimi i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale dhe testimi i rregullt, veçanërisht te personat me partnerë të rinj ose më shumë se një partner seksual, si dhe te ata që dyshojnë se kanë qenë të ekspozuar ndaj infeksionit.

Në rast se shfaqen simptoma si sekrecione të pazakonta, djegie gjatë urinimit, dhimbje në zonën gjenitale ose ndryshime në lëkurë a mukozë, është e rëndësishme të vizitoni mjekun sa më shpejt. Antibiotikët dhe barnat e tjera nuk duhet të merren pa rekomandim mjekësor.

Vaksinimi kundër HPV-së dhe hepatitit B mbetet një nga mjetet më efektive të parandalimit, ndërsa komunikimi i hapur me partnerin dhe një sjellje seksuale e përgjegjshme mbeten po aq të rëndësishme sa vetë mbrojtja fizike.

This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.

Të tjera