Foto nga solidari.te (Instagram)
Foto nga solidari.te (Instagram)

“Çdo grua e vrarë është dështim i gjithë shoqërisë”, aktivistët kërkojnë një zë të vetëm kundër femicidit

“Femicidi nuk njeh etni”, thonë aktivistët dhe organizatat për të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar që lufta kundër dhunës ndaj grave të mos ndahet sipas gjuhës, përkatësisë etnike apo komunitetit nga vjen viktima. Thirrjet vijnë pas shifrave të larta të vrasjeve të grave në vend, që në gjuhën e specialistëve përkufizohen si femicid, dhe pas disa rasteve të rënda brenda pak ditësh.

Vrasja e 17-vjeçares Biljana Kiriq nga Bogdanci shkaktoi reagime të shumta dhe e rihapi debatin mbi përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e viktimave. Pak më pas pasuan dy raste të tjera. Në Ohër, një grua 26-vjeçare, Sara Gjeorgievska, u sulmua dhe pësoi lëndime të rënda, ndërsa i dyshuari u la në liri me masa kujdesi. Në Manastir, një grua 21-vjeçare kishte denoncuar dhunë afatgjatë dhe kërcënime me vrasje, por i dyshuari ka ikur përmes dritares së stacionit të policisë. Në Shkup u mbajt një marsh protestues, i organizuar nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë!”, që kërkoi llogari për dështimet institucionale.

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dolën me një reagim të përbashkët për mënyrën se si institucionet po i trajtojnë këto raste, ndërsa kërkesave iu bashkua edhe Mollëkuqja. Në reagim theksohet se përgjegjësia sistemike nuk e përjashton atë individuale dhe kritikohet edhe gjuha publike e zyrtarëve. Sipas tyre, kur kryeministri e cilëson dhunën në familje “shkelje e vogël”, ai e minimizon seriozitetin e saj.

Çfarë kërkohet nga institucionet

  • Kërkesë urgjente për paraburgim në rastin e Ohrit, me baza ligjore të arsyetuara, dhe hetim për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.
  • Gjetje urgjente e të dyshuarit në Manastir dhe përcaktim i përgjegjësisë për arratisjen e tij.
  • Kontroll gjithëpërfshirës i lëshimeve institucionale para femicidit në Bogdanci.
  • Mbrojtje dhe mbështetje afatgjatë për gratë të ekspozuara ndaj dhunës.
  • Ndryshime ligjore pa kushtëzime antigjinore, sanksionim i mesazheve publike që justifikojnë dhunën dhe raportim i përgjegjshëm mediatik.

Shifra alarmante të vrasjes së grave

Në Maqedoninë e Veriut, nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë vrarë 26 gra. Vetëm në vitin 2023 humbën jetën 9 gra dhe, sipas të dhënave të Eurostatit, atë vit vendi kishte një nga normat më të larta të femicidit në Evropë, me 6 raste për një milion banorë.

Për një kohë të gjatë, mungesa e një përkufizimi të qartë ligjor e ka vështirësuar përcaktimin e numrit të saktë të rasteve. Termi femicid nuk përdoret shprehimisht në Kodin Penal, por në vitin 2023 neni 123 u plotësua me paragrafin 2-a, që sanksionon vrasjen e një gruaje ose vajze deri në moshën 18-vjeçare si pasojë e dhunës me bazë gjinore.

Shifrat e Ministrisë së Brendshme, të cituara në raportin e fundit të Komisionit Evropian, flasin për 5 raste femicidi në vitin 2023, 3 në vitin 2024 dhe 6 në vitin 2025. Të njëjtat të dhëna tregojnë se policia ka regjistruar 5.300 raportime të dhunës ndaj grave në vitin 2023, 4.210 në vitin 2024 dhe 5.436 në vitin 2025. Këto numra dallojnë nga ato më lart, çka e ilustron vështirësinë e numërimit.

Çfarë thotë raporti i BE-së

Problemet që ngrenë aktivistët gjenden, me gjuhë më diplomatike, edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i publikuar javën e kaluar. Dhuna me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje, atë psikologjike, ekonomike dhe kibernetike, si dhe femicidi, cilësohen aty si çështje serioze e të drejtave të njeriut.

Sipas raportit, kuadri ligjor dhe institucional për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore është ende i paplotë, ndërsa zbatimi duhet përmirësuar. Ndryshimet në Kodin Penal, të miratuara në janar, e kanë forcuar përgjigjen penale ndaj dhunës në familje, por legjislacioni nuk është ende plotësisht i harmonizuar me Direktivën e BE-së për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje. Mbeten boshllëqe, ndër të tjera te kriminalizimi i martesës së detyruar dhe i dhunës psikologjike. Ligji për barazinë gjinore ende nuk është miratuar, edhe pse në janar të vitit 2026 u miratua Plani Kombëtar i Veprimit për Barazi Gjinore 2025 deri 2027.

Raporti vë në dukje edhe mangësi në raportim, hetim dhe ndjekje penale të rasteve. Një pjesë e shërbimeve të specializuara për viktimat nuk funksionojnë ose nuk i plotësojnë standardet e kërkuara, ndërsa mungesa e stafit dhe e financimit dhe licencimi i pazgjidhur i ofruesve të shërbimeve nga shoqëria civile e vështirësojnë punën e tyre. Qasja në drejtësi mbetet e kufizuar, mes tjerash për shkak të kostos së lartë të procedurave gjyqësore dhe mungesës së ndihmës juridike falas. Komisioni paralajmëron gjithashtu për narrativat antigjinore, që po ndikojnë në diskutimet politike dhe në debatin publik, dhe për gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut, që përballen me gjuhë urrejtjeje e kërcënime, sidomos në internet. Mes rekomandimeve për vitin që vjen është edhe ofrimi i mbështetjes së mjaftueshme për gratë që i kanë mbijetuar dhunës me bazë gjinore.

Problem që bashkon aktivistët

Përtej ligjeve dhe statistikave, aktivistët kërkojnë që dhuna ndaj grave të mos shihet si problem i një komuniteti të vetëm. Në një shoqëri si ajo e Maqedonisë së Veriut, ku dallimet etnike shpesh ndikojnë edhe në mënyrën se si trajtohen çështjet publike, ata bëjnë thirrje që kjo luftë të mos ndahet në vija etnike, por të shndërrohet në përpjekje të përbashkët.

Elena Dimushevska, kryetare e Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, thekson për Mollëkuqja se bashkimi i aktivistëve është thelbësor, por se kjo luftë nuk mund të jetë vetëm detyrë e tyre.

“Dhuna ndaj grave nuk njeh përkatësi etnike, gjini, moshë apo status social, prandaj edhe përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, solidare dhe e ndërlidhur. Por kjo luftë nuk është detyrë vetëm e aktivistëve: nevojitet mbështetja e të gjithë qytetarëve dhe qytetareve, sepse çdo komunitet ka përgjegjësi të ngrihet kundër dhunës dhe të mbrojë të drejtën për jetë dhe dinjitet”, thotë Dimushevska.

Ajo shton se bashkëpunimi mes grupeve të ndryshme është i domosdoshëm për të kërkuar përgjegjësi institucionale, politika më të mira dhe parandalim sistemik.

“Për ta ndërtuar këtë front, nevojiten besim, komunikim i vazhdueshëm, përfshirja e të gjitha komuniteteve dhe përkushtim i qartë se çdo grua ka të drejtë të jetojë pa dhunë”, thotë ajo.

Edhe Donika Luma nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” thotë se femicidi nuk mund të trajtohet si problem i njërës apo tjetrës etni, ndërsa bashkimi i aktivistëve është i domosdoshëm për të kërkuar drejtësi.

“Çdo grua e vrarë është dështim i të gjithë shoqërisë dhe pikërisht për këtë arsye edhe lufta kundër dhunës duhet të jetë e përbashkët. Aktivistët duhet të bashkohen, të flasin me një zë dhe të mos lejojnë që kjo çështje të politizohet apo të ndahet në baza etnike. Nëse kërkojmë drejtësi për gratë, atëherë duhet ta kërkojmë së bashku, pavarësisht nëse viktima është shqiptare, maqedonase, rome, turke apo i përket ndonjë komuniteti tjetër”, thotë Luma.

Fushatë që i tejkalon dallimet etnike

Thirrjet për bashkim janë përcjellë edhe përmes nismës Solidari.te, e cila përdor artin dhe mesazhet publike për të trajtuar probleme shoqërore që prekin qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre. “Femicidi nuk njeh etni”, shkruhet në një pankartë të vendosur në Tetovë. Një poster tjetër shpreh revoltë ndaj mënyrës se si gratë e vrara shpesh kujtohen me lule, në vend që t’u sillet drejtësi: “Nuk dua trëndafil, dua drejtësi për motrat e vrara”.

Edhe në Kosovë, protesta pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Vrasja e grave mbetet problem edhe në Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2026 janë regjistruar 62 gra viktima të vrasjeve brenda familjes. Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila kishte denoncuar dhunën paraprakisht, një javë më vonë janë suspenduar 11 policë, kryeprokurorja, një prokurore dhe një koordinatore për dhunë në familje. Drejtori i përgjithshëm i policisë ka dhënë dorëheqjen, në Kuvend është formuar komision hetimor për rastin dhe protestat vazhdojnë në disa qytete. Në Maqedoninë e Veriut, një javë pas vrasjes së Biljana Kiriqit, e cila gjithashtu e kishte denoncuar dhunën paraprakisht, nuk ka pasur dorëheqje apo suspendime.

Lexo edhe këto:

Të tjera