Protestë në Shkup kundër femicidit (08.11.2026). Foto nga Portalb.mk
Protestë në Shkup kundër femicidit (08.11.2026). Foto nga Portalb.mk

Shkupi protestoi kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave: Asnjë më shumë!

Qytetarë dhe aktivistë marshuan në Shkup kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave, duke kërkuar llogari për dështimet institucionale në mbrojtjen e grave dhe vajzave. Protesta u nxit nga vrasja e 17-vjeçares Biljana Kiriq nga Bogdanci.

Marshimi u organizua nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë!”. Ai nisi në parkun “Gruaja Luftëtare”, në qendër të Shkupit, kaloi pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe përfundoi para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Nuk do të na zhdukni”

Protestuesit mbanin pankarta kundër dhunës. Në krye të marshimit ishte mesazhi “Nuk do të na zhdukni”.

Trupi i Biljana Kiriq u gjet në bagazhin e një automjeti të djegur. Rasti shkaktoi reagime të shumta dhe rihapi debatin mbi përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Elena Petrova, pjesëmarrëse në protestë, deklaroi se dhunuesi ka histori dhune.

“Kur një vajzë kërkon mbrojtje dhe më pas vritet, kjo është çështje e përgjegjësisë konkrete. Ky është femicid. Çdo vrasje e një gruaje nuk është vetëm akt dhune, por pasqyrim i një dështimi shumë më të thellë të sistemit tonë”, tha ajo.

Organizatorët dhe protestuesit kërkuan përcaktimin e përgjegjësisë dhe sanksione për të gjitha lëshimet institucionale. Ata bënë thirrje për miratimin urgjent të ndryshimeve ligjore për mbrojtjen nga dhuna dhe rikthimin e gjinisë e të barazisë gjinore në ligje, programe dhe arsim.

U kërkua edhe shkarkimi i funksionarëve publikë që arsyetojnë dhunën ndaj grave ose e paraqesin nënshtrimin e tyre si normal.

Petrova shtoi se “nuk mund ta luftojmë dhunën me bazë gjinore, ndërkohë që politikisht po e minojmë vetë bazën për njohjen e saj”.

Para Ministrisë së Drejtësisë, protestuesit fishkëllyen dhe bënë thirrje kundër dhunës dhe mosveprimit institucional.

Një banore e Bogdancit akuzoi mësimdhënësit dhe policinë se e dinin për dhunën ndaj Biljanës, por nuk kishin ndërhyrë për ta mbrojtur. Sipas saj, vajza kishte munguar në shkollë për javë të tëra dhe dhuna ishte denoncuar disa herë në polici.

“Dhuna ishte denoncuar në polici disa herë, një herë edhe një muaj para se vajza të vritej. Vëllai im dhe shokët e tij e kishin mbrojtur nga ai derisa të vinte policia, por më pas policia e liroi menjëherë dhe ai më vonë e vrau”, tha ajo.

Të dhëna alarmante për femicidin

Femicidi dhe dhuna ndaj grave mbeten probleme serioze në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave për vitet 2021–2025, në vend u vranë 26 gra, nëntë prej tyre në vitin 2023. Sipas Eurostatit, atë vit vendi kishte një nga normat më të larta të vrasjeve të grave në Evropë apo gjashtë raste për një milion banorë.

Kodi Penal nuk e përmend shprehimisht termin femicid. Megjithatë, plotësimi i nenit 123 në vitin 2023 parashikoi dënimin e vrasjes së një gruaje ose vajze si pasojë e dhunës me bazë gjinore.

Edhe Kosova në protesta pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Edhe në Kosovë së fundmi është ngritur alarmi për vrasjen e grave. Ditë më parë në Prishtinë u mbajtën protestapër të kërkuar përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj më 25 tetor.

Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje institucionale nga dhuna dhe kërcënimet. Vetëm pak ditë para vrasjes, ajo kishte njoftuar Prokurorinë se jeta e saj ishte në rrezik. Rasti nxiti protesta edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, nga viti 2010 deri në gusht 2026 u regjistruan 62 gra viktima të vrasjeve brenda familjes.

Lexo edhe këto:

Të tjera