“Nuk do të lejoj që fëmiju im të mësojë seksin në shkollë” i tha gazetarit të Mollëkuqja një prej prindërve që kishte nënshkruar një peticion të prindërve në shkollën fillore “Bajram Shabani” kundër përfshirjes së edukimit gjithëpërfshirës seksual në kurrikulat shkollore, edhe pse kjo lëndë ende nuk ligjërohet në shkolla.
Tentuam të kuptojmë se sa është numri i përgjithshëm i prindërve që kishin nënshkruar këtë peticion, por pa sukses, pasi që nga kjo shkollë nuk përgjigjen në pyetjet tona gazetareske, të dërguara përmes postës elektronike.
Por përkundër kësaj – pilot programi i ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përmes së cilit kjo lëndë është ligjëruar në disa shkolla specifike për një periudhë të caktuar kohore – dhe i cili më pas, do të shërbente për analiza të mëtejshme se çfarë (nuk) duhet ndryshuar, tashmë ka përfunduar.
Jo me nxënësit, por autoriteteve arsimore ju ka dalë punë me prindërit dhe mësimdhënësit
Paralelisht me vlerësimin e pilot-programit në tre shkollat fillore dhe dhënien e rekomandimeve për revidimin e programit, Byroja për Zhvillim të Arsimit, bashkë me organizatat HERA dhe UNFPA po punojnë edhe në vetëdijësimin e prindërve dhe mësimdhënësve.
Në muajit në vijim do të bëhen aktivitete për sensibilizimin e prindërve dhe mësimdhënësve në lidhje me përmbajtjen e programës që të vazhdohet me realizimin e programës për edukim seksual si lëndë zgjedhore në klasën e nëntë
Byroja për Zhvillim të Arsimit
Mollëkuqja mëson se nuk përjashtohet edhe integrimi i përmbajtjeve të kësaj lënde në disa lëndë përkatëse si shkencat natyrore, edukimi qytetar dhe tjera, kështu kanë vepruar Shqipëria dhe Kosova.
Një mori dezinformatash për edukimin gjithëpërfshirës seksual qarkullojnë në rrjetet-sociale
“E kemi menduar ta ndryshojmë emrin e lëndës, njerëzit tek ne frikësohen nga fjala seks” tha në bisedë e sipër një prej personave që punon në përfshirjen e kësaj lënde në kurrikulat shkollore.
Në fakt, përkundër stigmës dhe dezinformatave – edukimi seksual do të ndihmonte në parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, për të cilat Mollëkuqja pak kohë më parë informoi se janë shumë prezente në Maqedoninë e Veriut.
Përveç kësaj, ajo që parasheh në thelb kjo lëndë janë temat për gjininë, shëndetin reproduktiv dhe seksual, diskriminimi gjinor si dhe aspektet tjera qytetare, lidhjet dhe marrëdhëniet, dhuna seksuale, trupi dhe marrëdhëniet me trupin.
Sipas studimeve, nga HERA na thanë në vendet ku ka implementim të lëndës së edukimit seksual, ka pasur ulje të dhunës seksuale, sëmundjeve seksualisht transmetuese si dhe dhunës në familje, për këtë, sipas tyre kjo lëndë është e domosdoshme.
Të rinjtë në vendin tonë kanë marrëdhëniet e para seksuale relativisht më herët, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e Evropës Perëndimore, pa informacion të mjaftueshëm të verifikuar dhe pa mbrojtje. Ata theksojnë se rreth 36% e djemve dhe 3% e vajzave në moshën 15-vjeçare kanë pasur tashmë përvojë seksuale. Marrëdhëniet seksuale të mbrojtura janë praktikë vetëm te 20% e vajzave dhe 62% e djemve në popullatën shqiptare dhe te 64% e djemve dhe 52% e vajzave në popullatën maqedonase.
Prandaj, nëse dëshiron të ketë të rinj të shëndetshëm që do të dinë të kujdesen për veten dhe shëndetin e tyre, shteti duhet t’u sigurojë atyre edukim në kohë në shkolla dhe edukim seksual, ose më mirë informacion të verifikuar që do të jetë i përshtatshëm
HERA
Një mësim që anashkalohet në lëndën e biologjisë dhe interneti nuk guxojnë të jenë të vetmet burime të informacionit për të rinjtë në lidhje me trupin e tyre dhe shëndetin seksual
Mundësia e vetme ku nxënësit mund të mësojnë për trupin e tyre dhe shëndetin seksual është lënda e biologjisë, ku informacionet për trupin e njeriut mësohen sipërfaqësisht në një kapitull. Kur jemi këtu, nëpër shkolla ka raste kur arsimtarët e anashkalojnë këtë pjesë, duke u mohuar kështu të drejtën në informacion nxënësve.
Sociologët thonë se përfshirja e temave apo elementeve për edukim seksual në sistemin arsimor është e nevojshme ndërkaq refuzimi i kësaj, ndodh për shkak të shoqërisë konservatore.
Edukimi seksual ofrohet në Holandë, Suedi, Finlandë, Zvicër, Norvegji, Austri, Estoni, Portugali, Belgjikë, Irlandë, Gjermani dhe Britani të Madhe. Në Shqipëri, EGJS është futur që nga viti 2012 në shkollat fillore dhe të mesme. Në Bosnje dhe Hercegovinë, programi EGJS është zbatuar si program zgjedhor në disa kantone për disa vite.
Rikujtojmë që pilot-programi për këtë në Maqedoninë e Veriut e mori dritën jeshile në vitin 2019 ndërsa u zbatua si pilot-program gjatë vitit 2021 në vetëm tre shkolla në vend, edhe atë në Shkup dhe në Tetovë. Në një nga shkollat u anulua për shkak të presionit nga prindërit.
- LEXO: Në RMV së fundmi ka pasur epidemi të disa sëmundjeve seksuale, qytetarët të painformuar për shëndetin reproduktiv
- LEXO: RMV, nuk ka edukim seksual për fëmijët deri në 4 vjet
- LEXO: Mësimdhënësit anashkalojnë përmbajtjet për trupin e njeriut në lëndën e biologjisë, nxënësit me pasoja nga mos informimi
- LEXO: Pasojat e mungesës së informacioneve janë më të mëdha se “marrja” e edukimit për disa tema “tabu”
- LEXO: Kush dhe pse ka frikë nga Edukimi Gjithpërfshirës Seksual në shkolla?