“Last Duel” filmi i bazuar në denoncimin e parë të një gruaje për dhunë seksuale

Ai që një rrugë e ka trasuar i pari e mba mend mirë, sidomos kur pasojat janë paguar me jetë. Sot ne flasim për përdhunimet dhe ka një artikulim ligjor që ndërmarrësi i ka parasysh para se të bëj aktin qyqar. Por dikur nuk ishte kështu.

Dhuna seksuale ka qenë prezente gjithmonë pavarësisht nësë është njohur si e tillë. Një nga rastet e hershme të njohura për trajtimin juridik të dhunës seksuale është rasti që u trajtua në shekullin e XIV dhe që është bazë për filmin “The Last Duel”. Ky rast konsiderohet një nga të parët ku një akuzë për përdhunim u mor seriozisht dhe u vendos në qendër të një procesi gjyqësor publik.  Në Francën mesjetare, Lady Marguerite de Carrouges akuzoi Jacques Le Gris për përdhunim seksual. Kjo akuzë, e paprecedentë në atë kohë, jo vetëm që u denoncua publikisht, por u bë temë e një gjykimi që përfundoi me duel ligjor. Ky rast do ishte i fundit që do të zgjidhej me duel, ndaj dhe filmi mban këtë titull.

Ishte rast shokues, pasi për herë të parë një grua dëgjohej në gjykatë dhe dëgjohej për diçka të pamenduar më parë. Në atë kohë gratë kishin shumë pak të drejta dhe nuk ishin dëshmitare të besueshme. Kështu, në vend të një hetimi tradicional, akuza për përdhunim u vendos me një duel deri në vdekje mes burrit të saj, Jean de Carrouges, dhe të akuzuarit, Jacques Le Gris. Ky ishte një rast i veçantë, pasi duelët zakonisht trajtonin mosmarrëveshje pronësore ose politike, jo akuza për dhunë seksuale. Por, a nuk trajtohet edhe sot e kësaj dite në disa vende si në Francën mesjetare gruaja si pronë e  burrit?!

Ajo çka e vështirësonte situatën, ishte fakti se nëse burri i Marguerites humbiste duelin, ajo do të konsiderohej gënjeshtare dhe do të dënohej me vdekje. Kështu zgjidhej drejtësia me vullnetin e Zotit, pasi e vërteta në mesjetë nuk kishte fare rëndësi.

Pse ky rast konsiderohet si denoncimi i parë publik i dhunës seksuale?

Edhe pse ky rast është ndër më të njohurit  në histori, sigurisht dhuna seksuale nuk ka filluar këtu, por denoncimi po. Ka pasur raste të tjera të padokumentuara ku gratë  kanë folur kundër dhunës seksuale në rrethe të ngushta, por ky është rasti i parë publik me të cilin u mor e gjithë Franca. Në shoqëritë tradicionale dhe të lashta, denoncimi shpesh mbetej në hapësira private, për shkak të frikës, normave shoqërore dhe mungesës së sistemeve juridike mbështetëse. Rasti i Marguerite de Carrouges është një shembull i hershëm dhe frymëzues i guximit për të folur kundër dhunës, pavarësisht rrezikut dhe pasojave.

Filmi ” Last duel” vjen me regji nga Ridly Scot, Lady Marguerite de Carrouges e interpreton  Jodie Comer,  Jacques Le Grisin e luan mjeshtërisht Adam Driver, ndërsa bashkëshortin e saj Jean de Carrouges e luan Matt Damon. I mbështetur në kronikat e kohës, “Dueli”  i cili shënoi një precedent historik, u zhvillua më 29 dhjetor 1386 dhe konsiderohet si një nga gjyqet e fundit të zgjidhura me luftë në Francë. Në fakt, para se të bëhej ky film, ishte një libër që u bë më pas skenar. ” Një histori e vërtetë e krimit, skandalit dhe gjyqit nga lufta në Francën mesjetare”  është një libër i vitit 2004 nga autori amerikan Eric Jager.

Historia rrëfehet nga tri perspektiva: ajo e Jean de Carrouges, Jacques Le Gris dhe Marguerite de Carrouges. Ridley Scott dhe skenaristët Matt Damon, Ben Affleck dhe Nicole Holofcener përmes këtij filmi  bënë ngjarjet të rezonojnë edhe në kontekstin modern të lëvizjeve me të famshmëm që u shtri edhe në RMV, si #MeToo.

Në film, Marguerite përballet me një shoqëri që nuk e mbështet, siç shpesh ndodh dhe sot që shpesh gishti drejtohet për të kërkuar fajin nga gratë. Nëse burri i saj do të humbiste duelin, ajo do të dënohej me vdekje për “dëshmi të rreme” . Ky fakt pasqyron frikën dhe pasojat ekstreme që gratë viktima të dhunës seksuale hasnin në atë kohë. Filmi nuk është vetëm një tregim historik, por edhe një koment aktual mbi sfidat që viktimat e dhunës seksuale përballen edhe sot. Theksi vihet mbi shtypjen e grave në shoqëritë patriarkale dhe se si dhuna seksuale përdoret si një mjet pushteti mbi gratë. Shpreh nevojën për drejtësi dhe besim ndaj viktimave, duke reflektuar mbi paragjykimet dhe stigmën që ato përballen. Dhe artikulon rëndësinë e zbulimit të së vërtetës, pavarësisht rreziqeve dhe sfidave personale.

Kështu ” The Last Duel” është një film që jo vetëm rrëfen një histori tragjike, por gjithashtu nxit një diskutim të thellë mbi dinamikën e pushtetit dhe pabarazinë gjinore, duke krijuar paralele mes të kaluarës dhe realitetit modern. Atëbotë absurde, kompensimi material i shlyhej një personit mashkull, babait ose në këtë rast burrit, pavarësisht që krimi është bërë ndaj një gruaje.

Fakti që po flasim për ngjarjen me skandaloze të Francës, për një film të bazuar në kronikat e kohës që ngriten mbi thashethemnajën që e mbylli një grua prapa dyerve të shtëpisë dhe gati përfundoi si e çmendur nuk e bën të largët si mentalitet, pasi gra të tilla, të pashpresa që janë në shenjestrin e gojëve të liga ka shumë dhe sot, le të jetë ky rast një motivim se ka një shteg prej nga shpëtohet nga dhuna seksuale.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Related