Bashkëjetesa mes komuniteteve nuk ndërtohet thjesht me deklarata politike apo me fjalë të mira në raste solemne, por me mundësi reale, me përfshirje të vazhdueshme dhe me hapësirën që çdo komunitet, e brenda tij në veçanti gratë, ta ndjejë veten pjesë të plotë të shoqërisë, jo thjesht të pranishëm në të.
Për komunitetin rom, e në veçanti për gratë dhe vajzat rome që shpesh përballen me një dyfish barrë diskriminimi, kjo do të thotë diçka shumë konkrete, më shumë qasje në arsim, më shumë mundësi për pjesëmarrje e përfaqësim politik, angazhim real të të rinjve, në vendimmarrje, dhe mbi të gjitha, thyerjen e paragjykimeve dhe stereotipave që, pavarësisht kalimit të kohës, vazhdojnë të mbeten të rrënjosura thellë në shoqëri.
Për këto çështje, dhe shumë të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të komunitetit rom, sidomos të grave dhe vajzave brenda tij, Mollëkuqja bisedoi me aktivisten Selva Mustafi, një nga zërat e grave rome që punojnë për këto çështje, e cila ndau me ne perspektivën e saj mbi atë çka duhet të ndryshojë realisht, dhe mbi rolin që të rinjtë romë mund dhe duhet ta luajnë si pjesë aktive e këtyre ndryshimeve, jo si thjesht vëzhgues të tyre
Cilat janë sot problemet kryesore me të cilat përballen romët në Maqedoninë e Veriut dhe ku mendoni se diskriminimi është ende më i pranishëm?
Edhe pse tashmë dy vjet nuk jetoj në Maqedoni dhe ndoshta nuk i përjetoj të njëjtat probleme që i kemi pasur më herët, është e dukshme se romët ende përballen me të njëjtat probleme si më parë, si varfëria, shkalla e ulët e punësimit, diskriminimi, racizmi etj. Në fakt, këto janë probleme me të cilat përballet popullsia në përgjithësi, vetëm se romët i përjetojnë ato tri herë më shumë se komunitetet e tjera, si rezultat i dekadave të përjashtimit, mospranimit, racizmit sistematik etj.
Mendoj se diskriminimi është i pranishëm kudo dhe, për fat të keq, po rritet – veçanërisht në institucione dhe në rrjetet sociale. Sidomos me rritjen e së djathtës dhe nacionalizmit, të cilat po e bëjnë të vetën.
A vëreni ndryshime pozitive në pozitën e romëve gjatë viteve të fundit, veçanërisht në qasjen në arsim, punësim dhe drejtësi?
Ndryshime pozitive ka. Kemi progres në arsimin e lartë të romëve dhe ndoshta edhe në fushën e kulturës, por jo në atë të punësimit dhe drejtësisë.
Edhe një pjesë e ndryshimeve që kanë ndodhur janë falë organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare dhe rome joqeveritare, të cilat investojnë në fuqizimin e çështjes rome përmes këtyre fushave. Ndërsa shteti ka bërë shumë pak, pothuajse aspak, gjatë viteve të fundit.
Sa ndikojnë aktivizmi dhe angazhimi i të rinjve romë në ndryshimin e mënyrës se si flitet për komunitetin rom dhe në luftën kundër stereotipeve?
Ndikon vetëm nëse është i vazhdueshëm dhe nëse institucionet ndiejnë presion të mjaftueshëm përmes këtij aktivizmi dhe avokimit, në mënyrë që të ndryshojnë politika të caktuara.
Në të kundërtën, aktivizmi nuk është luftë kundër stereotipeve që të tjerët i kanë ndaj nesh. Ky është një problem që duhet ta zgjidhin ata (jo-romët), sepse urrejtjen dhe stereotipet i përhapin ata. Nuk e kuptoj pse të diskriminuarit duhet të përpiqen t’ua ndryshojnë mendimin racistëve ose atyre që i urrejnë të tjerët.
Si aktiviste rome, a mendoni se përfaqësimi i romëve në institucione, profesionet juridike dhe proceset e vendimmarrjes po rritet? Çfarë ndryshimi sjell kjo?
Mendoj se për momentin përfaqësimi në vendin tonë ka ngecur, ndërsa para disa vitesh kishte një rritje të madhe. E di se ka shembuj pozitivë edhe në vendet e rajonit.
Sa i përket procesit të vendimmarrjes, ndoshta po. Në Maqedoni kemi 21 këshilltarë romë në disa komuna dhe ata, si përfaqësues politikë romë, mund të marrin pjesë dhe të ndikojnë në ndryshimin e vendimeve nga pozita e këshilltarit.
Edhe sektori civil ka qenë mjaft i përfshirë dhe vazhdon të jetë pjesë e trupave të ndryshëm pranë institucioneve, të cilat mundësojnë që zëri ynë të dëgjohet. Por nuk jam e sigurt nëse ai zë gjithmonë merret parasysh.
Çfarë duhet të ndryshojë në shoqëri dhe institucione që romët të mos shihen vetëm përmes problemeve dhe diskriminimit, por edhe përmes potencialit, suksesit dhe kontributit të tyre?
Para së gjithash, duhet të përmirësohet demokracia dhe proceset demokratike. Përderisa politikat shtetërore dhe sundimi i ligjit nuk përmirësohen, problemet do të rriten jo vetëm për romët, por për të gjithë qytetarët.
Romëve duhet t’u ofrohet më shumë mbështetje dhe mundësi për pjesëmarrje dhe avancim, sepse pika e nisjes nuk është e njëjtë me atë të të tjerëve.
Nga ana tjetër, shteti duhet të krijojë kushte për përmirësimin e ekonomisë, punësueshmërisë dhe bashkëjetesës, në mënyrë që të krijohen kushte për secilin qytetar.
Të rinjtë po e largohen çdo ditë e më shumë nga shteti. Besoj se kjo nuk ndodh për shkak të kushteve të mrekullueshme, por sepse nuk shohin shpresë se gjërat mund të përmirësohen.
Edhe mediat duhet të punojnë për ndryshimin e narrativeve. Njerëzve u janë bërë bajat partitë dhe liderët partiakë, të cilët i shohim pesë herë në ditë në lajme. Në vend të programeve edukative, pjesëmarrjes dhe punësimit, ne po shohim rritje të urrejtjes, nacionalizmit etj.
Më e rëndësishmja është mënyra se si shteti i organizon zgjedhjet dhe premton përmirësim. Nuk mund të bësh fushatë duke thënë se, nëse fiton, nesër do të jetë më mirë, ndërsa shkon në lagjet më të varfra, blen votat e njerëzve më të cenueshëm dhe menjëherë të nesërmen i harron. E aq më pak të mos kesh asnjë llogaridhënie për manipulimet zgjedhore.
Këtu fillon gjithçka. Nëse nuk kemi demokraci dhe zgjedhje të drejta, ne kurrë nuk mund të përparojmë.



