Intervistë | Monika Zajkova, kryetarja e vetme grua e një partie parlamentare, për Mollëkuqja: Nuk lindim me paragjykime, dikush na i mëson

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut rriten mes dallimeve etnike, kulturore dhe sociale, por sa shpesh këto dallime shndërrohen në barriera? Në një shoqëri ku politika vazhdon t’i përdorë temat etnike për të prodhuar frikë dhe ndarje, të rinjtë shpesh përballen me paragjykime ndaj komuniteteve të tjera pa pasur ndonjëherë mundësinë t’i njohin ato. Këto barriera nuk peshojnë njëlloj për të gjithë, vajzat dhe gratë e reja shpesh përballen me një shtresë shtesë paragjykimi, që lidhet jo vetëm me përkatësinë etnike, por edhe me gjininë.

A janë ndarjet mes të rinjve reale, apo janë të ushqyera nga politika dhe sistemi në të cilin rriten? Çfarë roli kanë shkollat, institucionet dhe vetë politika në krijimin e hapësirave ku të rinjtë, pavarësisht etnisë apo gjinisë, mund të njihen, të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë besim?

Për këto çështje dhe jo vetëm, Mollëkuqja bisedoi me Monika Zajkovën, kryetare e Partisë Liberal-Demokrate dhe deputete, një nga të paktat gra që drejtojnë sot një parti politike në Maqedoninë e Veriut. Ajo thotë se politika ka përgjegjësi të madhe në krijimin e narrativeve ndarëse, por thekson se të rinjtë kanë shumë më tepër probleme dhe interesa të përbashkëta sesa arsye për t’u ndarë

Sa ndikojnë politika dhe propaganda “etnike” te të rinjtë, duke bërë që ata, pa u njohur me njëri-tjetrin, të fillojnë ta shohin njëri-tjetrin si “kërcënim”? Si mund të ndryshohet ky narrativ?

Politika ka përgjegjësi të madhe, sepse në Maqedoni temat etnike për një kohë të gjatë janë përdorur si valuta më e lirë politike. Kur nuk ka rezultate për standard më të mirë jetese, arsim, shëndetësi apo institucione funksionale, mënyra më e lehtë është të drejtohet gishti nga “tjetri” dhe të prodhohet frikë. Dhe më e rrezikshmja është kur këtë frikë e trashëgojnë të rinjtë që asnjëherë nuk janë njohur me njëri-tjetrin.

Nuk lindim me paragjykime, dikush na i mëson ato. Dhe shumë shpesh, pikërisht politikanët, përmes narrativit të tyre, janë mësuesit. Prandaj duhet të krijojmë më shumë hapësira ku të rinjtë do të mësojnë, punojnë, merren me sport dhe krijojnë së bashku, ndërsa politikanët më në fund duhet ta kuptojnë se nuk mund të ndezin zjarre etnike gjatë ditës, e në mbrëmje të mbajnë fjalime për bashkëjetesën.

Pse është e rëndësishme që të rinjtë të rriten me mendje të hapur dhe pa paragjykime ndaj “të tjerëve”? Çfarë përfiton shoqëria jonë nga kjo?

Si liberal-demokrate, për mua njeri i lirë është ai që e formon vetë qëndrimin e tij, e jo ai që jeton me frikërat dhe paragjykimet që ia kanë lënë të tjerët. Dua një Maqedoni në të cilën një i ri nuk do të vlerësohet sipas emrit, mbiemrit, përkatësisë etnike, fesë, gjinisë apo statusit social, por sipas asaj se çfarë njeriu është, çfarë di dhe çfarë mund të krijojë.

Një i ri maqedonas nuk ia merr të ardhmen të riut shqiptar, rom, boshnjak, serb etj., e as anasjelltas. Përkundrazi, të gjithë së bashku mund të krijojnë ndryshime dhe një të ardhme më të mirë. Sepse të ardhmen ua marrin korrupsioni, partiakizimi, varfëria dhe sistemi që i bind se pa lidhje dhe librezë partiake nuk kanë shans. Kur ta kuptojmë këtë, do të jetë shumë më e vështirë që dikush të na ndajë për të sunduar më lehtë.

A mendoni se të rinjtë sot janë më të hapur ndaj dallimeve etnike, kulturore dhe sociale sesa gjeneratat e mëparshme, apo ndarjet ende ndikojnë fuqishëm në mënyrën se si e shohin njëri-tjetrin?

Besoj se të rinjtë janë më të hapur sesa sistemi politik në të cilin rriten. Ata dëgjojnë të njëjtën muzikë, udhëtojnë, komunikojnë në të njëjtat platforma, kanë të njëjtat ambicie profesionale dhe shumë më shpesh e identifikojnë njëri-tjetrin përmes interesave sesa përkatësisë etnike.

Por ndarjet ende janë reale, veçanërisht aty ku ne, si shtet, praktikisht u kemi krijuar botë paralele. Nëse fëmijët i ndajmë që nga mosha më e hershme, nuk mund t’i pyesim në moshën 20-vjeçare pse nuk i besojnë njëri-tjetrit. Nuk mjafton që maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të gjithë të tjerët thjesht të jetojnë pranë njëri-tjetrit. Bashkëjetesa do të thotë të jetojmë me njëri-tjetrin.

Sa bëjnë institucionet, shkollat dhe politika për t’u krijuar të rinjve hapësira ku mund të njihen, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë të jetojnë me dallimet? Ku dështojmë?

Ekzistojnë iniciativa të mira, por në mënyrë sistematike ende bëjmë shumë pak. Bashkëjetesa nuk duhet të shihet si një projekt që zgjat aq sa zgjat granti, por si një politikë shtetërore afatgjatë. Nga puna ime shumëvjeçare me të rinjtë kam mësuar diçka shumë të thjeshtë: kur i ulni në të njëjtën tryezë, do të shihni se kanë shumë më tepër probleme të përbashkëta sesa arsye për ndarje. Pavarësisht se si quhen, i shqetësojnë standardi studentor, çmimet, transporti publik, cilësia e arsimit, punësimi dhe pasiguria, përkatësisht pyetja nëse kanë fare të ardhme këtu.

Prandaj na duhen projekte të përbashkëta shkollore dhe studentore, qendra rinore, sport, kulturë, shkëmbime mes komunave dhe pjesëmarrje e vërtetë e të rinjve në institucione. Bashkëjetesa nuk ndërtohet me një panel diskutimi, një fotografi dhe një komunikatë, ndërsa nga ana tjetër vazhdon retorika e ndarjeve dhe nacionalizmi i rremë. Ajo ndërtohet kur të rinjtë realisht do të kenë arsye të njihen dhe diçka për të krijuar së bashku.

Si politikane dhe deputete, çfarë duhet të ndryshojë konkretisht që gjenerata e re të rritet me më pak frikë, paragjykime dhe urrejtje ndaj “tjetrit”, dhe me më shumë besim e solidaritet?

Së pari, politikanët duhet të ndalojnë së përdoruri kartën etnike sa herë që nuk kanë rezultate me të cilat do të dalin para qytetarëve.

Çdo qytetar përballet me të njëjtat probleme, nuk ka reagentë në spitale, nuk ka terapi onkologjike, proceset gjyqësore për qytetarët zgjasin gjithë jetën, ndërsa për njerëzit e fuqishëm parashkruhen, ka shpenzime enorme për një mori funksionesh të shpikura etj, nuk mund të vazhdojnë të na defokusojnë me tema të së kaluarës që tashmë janë jashtë kontekstit.

Së dyti, arsimi duhet të na lidhë, përmes aktiviteteve të përbashkëta, edukimit qytetar, mësimit të gjuhëve, sportit, kulturës dhe njohjes me komunitetet e ndryshme që e përbëjnë Maqedoninë, shtëpinë tonë të përbashkët.

Së treti, duhet të ketë një reagim shumë më serioz institucional ndaj gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, veçanërisht në rrjetet sociale.

Dhe së fundi, duhet t’u japim të rinjve perspektivë, sepse varfëria, padrejtësia dhe mungesa e shpresës janë terren pjellor për radikalizëm.

Unë nuk dua një Maqedoni në të cilën politika do të na numërojë dhe do të na frikësojë nga njëri-tjetri. Dua një shtet që do të na vlerësojë sipas asaj që dimë, sa punojmë dhe çfarë krijojmë. Patriotizëm nuk është t’ia mësosh fëmijës tënd kë duhet të urrejë; patriotizëm është të krijosh një shtet në të cilin edhe fëmija yt, edhe fëmija i “tjetrit” do të duan të qëndrojnë, do ta duan njësoj si të tyrin dhe së bashku do të kontribuojnë për zhvillimin e tij.

Të tjera