Në Maqedoninë e Veriut, të rinjtë jetojnë në të njëjtat qytete, por shpesh në realitete paralele. Gjuha, përkatësia etnike, gjinia, shkolla, lagjja apo rrethi shoqëror janë ato që përcaktojnë me kë shoqërohen dhe me kë komunikojnë, dhe shpesh edhe sa hapësirë kanë për ta ngritur zërin. Në rrjetet sociale kjo ndarje bëhet edhe më e theksuar, sidomos kur algoritmet i mbajnë njerëzit brenda rretheve të mbyllura, aty ku dëgjojnë kryesisht mendime që u ngjajnë të tyret.
Në këtë realitet, hapësirat ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme mund të takohen rreth diçkaje të përbashkët janë të rralla. Pikërisht këtë zbrazëti synojnë ta mbushin Shtëpitë e Evropës (Europe Houses), që funksionojnë në Shkup, Tetovë, Strugë, Manastir, Veles, Strumicë dhe Kriva Pallankë, duke krijuar vende takimi ku të rinjtë marrin pjesë së bashku në aktivitete të përbashkëta, pa marrë parasysh kush janë apo nga vijnë
Ideja nuk është që të rinjtë të mblidhen për të diskutuar thjesht “bashkëjetesën”. Përkundrazi, ata bashkohen rreth diçkaje konkrete, një aktiviteti, një ideje, artit, kulturës, një debati, një projekti apo një problemi që duan ta zgjidhin së bashku. Nga Europe House thonë se pikërisht këtu qëndron qasja e tyre. Të rinjtë afrohen përmes asaj që kanë të përbashkët, e jo të ndahen nga ajo që i dallon.
“Misioni i Europe House është të bashkojë të rinjtë dhe të kontribuojë në afrimin e tyre përmes interesave, ideve dhe sfidave të përbashkëta, dhe jo përmes prejardhjes së tyre sociale, etnike apo fetare”, thonë nga Europe House.

Kjo qasje krijon mundësi për takime të vërteta dhe nxit komunikim të vazhdueshëm. Distanca mes komuniteteve të ndryshme zvogëlohet, dhe të rinjtë njihen me njëri-tjetrin, bashkëpunojnë dhe ndërtojnë, pak e nga pak, besim të ndërsjellë.
Një shembull i mirë vjen nga aktivitetet e fundit në Europe House Shkup dhe Tetovë, për të cilat Mollëkuqja kishte raportuar më herët. Në mbrëmjet e poezisë, poetë të rinj lexuan në shqip dhe maqedonisht përpara një publiku të larmishëm. Nuk kishte nevojë që dikush të shpjegonte pse dy gjuhë duhet të jenë në të njëjtën hapësirë. Poezia e bëri këtë vetë.
Nga Europe House e marrin shpesh këtë moment si shembull se si aktivitetet kulturore mund t’i afrojnë njerëzit, pa e kthyer përkatësinë etnike apo gjuhësore në qëllimin kryesor të takimit.
Hapësirat fizike janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse komunikimi ballë për ballë krijon një nivel tjetër mirëkuptimi dhe besimi, krahasuar me atë çfarë ndodh në rrjetet sociale. Në mjedisin digjital, të rinjtë shpesh ekspozohen ndaj grupeve me mendime të njëjta, gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjeve që theksojnë dallimet dhe ndarjet.
“Kur takohen personalisht, flasin dhe punojnë drejt një qëllimi të përbashkët, bëhet shumë më e vështirë që ta shohin njëri-tjetrin vetëm përmes stereotipeve ose dallimeve. Europe House ofron pikërisht një mjedis të tillë, një hapsirë ku mund të shprehen mendime të ndryshme me respekt dhe ku mospajtimet mund të shndërrohen në dialog, mësim dhe bashkëpunim”, thonë nga Europe House.
Sipas tyre, të rinjtë kanë nevojë për më shumë mundësi për takime të rregullta dhe kuptimplota, dhe jo vetëm për aktivitete të njëhershme ose formale.
“Është veçanërisht e rëndësishme që aktivitetet të jenë të qasshme në gjuhë të ndryshme dhe të hapura për të rinj nga qytete, komunitete dhe prejardhje të ndryshme sociale”, thonë nga aty.

Përfshirja që synojnë Europe Houses nuk ndalet te bashkëjetesa ndëretnike. Një pjesë e rëndësishme e punës së tyre lidhet edhe me barazinë gjinore, dhe këtë vit kjo është veçanërisht në fokus përmes iniciativës “Wear the Change”, e cila nisi më 8 mars dhe vazhdon gjatë gjithë vitit në qytete dhe rajone të ndryshme.
Në këto aktivitete flitet hapur për barazinë gjinore, dhe krijohen hapësira ku vajzat dhe gratë e reja mund t’i shprehin më lirshëm mendimet e tyre, duke marrë kështu një rol më aktiv në komunitetin ku jetojnë.
“Në këtë mënyrë, po krijojmë një mjedis ku të rinjtë, pavarësisht gjinisë, prejardhjes etnike apo vendit nga vijnë, mund të ndihen të barabartë, të respektuar dhe të përfshirë”, theksojnë nga Europe House.
Në fund të fundit, kjo është ajo që Europe Houses në shtatë qytete po përpiqet të ndërtojë. Jo një hapësirë ku dallimet mohohen, por një vend ku ato nuk janë arsye për të mos u njohur.



