Rasti në Kratovë: Vrasja e partnerit abuziv s’duhet trajtuar si vrasje, por vetëmbrojtje

Vrasja e dyfishtë në Kratovë tregon që viktimat e dhunës në familje kanë filluar të mbrohen vetë, kjo vjen si pasojë e mos veprimit të institucioneve, thotë avokatja Katerina Koteska Stinovska. Prokuroria Publike në vijim do të vlerësojë se për çfarë vepre do ta akuzojnë V.I, gruan nga Kratova e cila vrau burrin dhe vjehrin.

Nën hashtagun #DrejtësiPërValen po bashkohen organizatat joqeveritare, avokatë, persona publikë dhe qytetarë tjerë të cilët besojnë se 36 vjeçarja V.I nga Kratova duhet të lihet e lirë,  ajo me thikë vrau vjehrin dhe burrin të cilët sipas prokurorisë paraprakisht e kishin sulmuar fizikisht.

Ky akt në publik interpretohet si vetëmbrojtje pas dhunës familjare e cila ndër vite është ushtruar ndaj saj dhe dy fëmijëve të saj, thonë burimet të cilat e njohin këtë familje.

“Pas përjetimit të dhunës familjare më 13 qershor, e dyshuara me paramendim e ka vrarë bashkëshortin dhe vjehrin. Pas përleshjes verbale paraprake, bashkëshorti fizikisht e kishte sulmuar të dyshuarën, duke i rënë me grushta në kokë dhe trup, më pas me duar e ka kap për fyti dhe ka tentuar ta ngulfasë. Ajo arriti që ta heq dhe nga kuzhina ka marrë thikë buke, me të cilin fillimisht e ka vrarë burrin, më pas edhe babain e tij. Nga lëndimet, ndërruan jetë në vendin e ngjarjes”, kumtuan nga Prokuroria Publike në Kumanovë më 15 qershor.

Gjykata ka shqiptuar paraburgim 30 ditor për të dyshuarën.

Ky është më së paku rasti i tretë në tre vitet e fundit të vrasjes së partnerit apo bashkëshortit, pas rastit të gruas nga Velesi Pale Iloska në vitin 2021 dhe rasti i Tankica Mlladenovska nga Koçani në vitin 2023.

Iliovska e vrau partnerin e saj jashtëmartesor i cili ishte polic, i cili sipas raportit të policisë, para aktit e kishte kapur për fyti me qëllim që ta ngulfasë. Gjykata themelore në Veles konstatoi se akti ishte kryer në mbrojtje dhe e liroi nga akuza për vrasje.

Mladenovska vitin e kaluar u vra nga partneri i saj jashtëmartesor Usein Rashidov me 40 goditje me thikë. Rashidov u dënua me burg të përjetshëm, mirëpo para dy javësh, më 8 qershor, u gjet i vdekur në burgun e Kumanovës. Nga burgu informuar se ai ishte vetëvra me çarçaf.

Këto raste kanë nxitur reaksione të mëdha në publik, pas informacioneve se gratë kanë qenë të mallëtretuara ndër vite, kanë denoncuar në polici por nuk kanë marrë mbrojtje.

Vetmbrojtje apo vrasje me paramendim?

Të ndalojë praktika e trajtimit gabim të rasteve të dhunës familjare nga ana e gjyqësorit, kërkojnë nga Platforma për Barazi Gjinore.

“Konsiderojmë se në rastin konkret bëhet fjalë për akt gjatë vetmbrojtjes, përkatësisht, për institutit vetëmbrojtje e pashmangshme, dhe jo për kryerje të veprës penale ‘vrasje me paramendim’, siç thotë Prokuroria Publike. Tejet paradoksale është fakti që viktima e dhunës familjare tash po ndiqet nga Prokuroria Publike si kryerëse e dhunës familjare”, thanë nga Platforma për Barazi Gjinore.

Nga kjo platformë kërkojnë që “ky të jetë rasti i fundit i trajtimit gabim të dhunës familjare dhe kërkimi i përgjegjësisë te gratë të cilët më së shumti janë të goditura nga dhuna, përfshirë edhe mungesën e reagimit në kohë dhe adekuate të institucioneve.”

Avokati Janaki Mitrovski ofroi që të jetë avokat mbrojtës i gruas nga Kratova. Asaj ndërkohë i është ndarë avokat sipas detyrës zyrtare.

“Nga informacionet e limituara të Prokurorisë në Kumanovë, duket që bëhet fjalë për vetmbrojtje të pashmangshme. Në këtë moment po realizohet hetim për vrasje të dyfishte me potecial të burgut të përjetshëm. Kjo mund të ndryshohet pas përfundimit të hetimit dhe marrjes së vendimit të prokurorisë publike. Momenti kyç është nëse në momentin që e ka kryer aktin, asaj i është rrezikuar jeta. Nëse në atë moment i është rrezikuar jeta apo psiqika e saj e beson këtë, sidomos pas përsëritjes të dhunës fizike, në atë rast bëhet fjalë për vetmbrojtje të pashmangshme. Në të kundërtën, duhet të shkohet me vrasje të çastit, sepse e njëjta në atë moment ka qenë e ndikuar nga sulmi i kundërligjshëm që po i bëhej.” tha Mitrovski.

Sipas tij, shumë janë të “buta” dënimet për kryerësit e dhunës në familje.

“Unë momentalisht jam rast me viktimë të dhunës familjare në të cilën bashkëshorti i dhunshëm në katër lëndë ka marrë dënime me kusht, tek në të pestën mori dënim me burg për 1 vjet, dënim i cili nuk është i plotfuqishëm dhe e ka ankimuar. Është fakt që me këto dënime, dhunuesit i kuptojnë veprimet e gjykatës si tallje dhe kjo vetëm i nxit që të jenë edhe më të dhunshëm” tha Mitrovski.

Koteska Stinovska: Viktimat nga dëshpërimi fillojnë që vetë të mbrohen

Vrasja e dyfishtë në Kratovë është edhe një dështim i institucioneve tona në luftën kundër dhunës në familje, tha avokatja Katerina Koteska Stinovska.

Ajo njihet pasi fitoi rastin e “dhomës publike” dhe shpesh herë përfaqëson në gjykatë viktimat e dhunës në familje.

“Vitin e kaluar kishte 5 viktima të dhunës në familje të cilat i mbrojta, ndërsa këtë vit, edhe pse jemi në gjysmë të vitit, kjo është viktima e tretë ose e katërt. Kjo është tragjedi e politikave të deritanishme kundër dhunës në familje. U tregua që kjo politikë s’ka qenë efikase, për shkak të disa faktorëve: mungesa e motivimit dhe e trajnimit të institucioneve, regullimi joadekuat ligjor, procese të gjata dhe joefikase gjyqësore, sindromi i vendit të vogël apo gjetjes së lidhjeve për shpëtim nga përgjegjësia, viktimizimi dhe gjykimi i viktimave, ndihmë joadekuate apo joekzistente financiare për viktimat.” Tha Koteska Stinovska.

Sipas saj, edhe rasti në Kratovë duhet të tregojë se viktimat janë të lëna vetëm.

“Vrasja e dyfishtë në Kratovë na tregon që në dëshpërim viktimat fillojnë që të mbrohen vetë. Kjo është pasojë e mos veprimit të institucioneve pas denoncimit të dhunës familjare. Këto shembuj duhet të na tregojnë se dhuna lind dhunë nëse nuk sanksionohet. Asnjë avokat nuk dëshiron që të komentojë para se të ketë mbikëqyrje tek dëshmitë, mirëpo është evidente se gruaja nga Kratova është mbrojtur dhe ka kërkuar shpëtim. Sipas kumtesave në publik, ajo ka denoncuara katër herë në afat prej pesë vitesh, ndërsa institucionet nuk kanë tentuar ta heqin nga ai ambient, duke e detektuar si viktimë.” tha Koteska Stiniovska.

Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, kryerësit e femicidit përballen me dënime më të mëdha dhe më të ashpra, të cilat shkojnë nga 10 deri në burg të përjetshëm.

Mirëpo, statistikat tregojnë që dhuna familjare në vitin 2023 është rritur për rreth 20 për qind në krahasim me vitin 2022. Vetëm nga janari deri në shtator të vitit 2023, ka pasur 1,166 raste të dhunës në familje, sipas të dhënave të ministrisë për punë dhe politikë sociale.

Në vitin 2020 ka pasur 992 vepra që lidhen me dhunën në familje. Numrat pësojnë rritje në dy vitet e fundit: 1,056 vepra në vitin 2021 dhe 1,117 vepra në vitin 2022, tregojnë të dhënat e Entit Shtetërorë për Statistika.

Në vitin 2022 janë regjistruar 61 raste të dhunës në familjare në 100 mijë banorë, që është rritje në krahasim me vitin 2018, kur ka pasur 54 raste.

Sipas analizave të organizatave joqeveritare, është i vogël numri i denoncimeve të dhunës në familje, vetëm rreth 15 për qind e rasteve denoncohen, edhe më pak prej tyre përfundojnë në gjykatë.

  • Artikulli fillimisht është publikuar në gjuhën maqedone në Radio Evropa e Lirë.
  • Artikulli është përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe nga Ardit Ramadani.

Të tjera