Shpërndarje e pornografisë së fëmijëve: Dy krijuesit e “Dhomës Publike” u dënuan me nga katër vite burg

Dy krijuesit e grupit “Dhoma Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të vajzave janë dënuar me nga katër vite burg. Darko Kostovski dhe Mihail Panevski u akuzuan për veprën penale prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve.

Në aktakuzë thuhej se në periudhën nga 19 dhjetori i vitit 2019 deri më 28 janar të vitit 2020, dy të dënuarit, krijues dhe administrator i grupit “Dhoma Publike” në Telegram, janë detyruar të kujdesen për përmbajtjen e tekstit dhe përmbajtjet audio vizuale që shpërndahen nga anëtarët e grupit. Të dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë.

Prokuroria në këtë rast nisi procedurën për prodhim dhe shpërndarje të pornografisë për fëmijë, pasi gjatë hetimeve paraprake u siguruan prova materiale që tregojnë për këtë kualifikim ligjor. Të akuzuarit pa leje kanë shpërndarë edhe fotografi, të dhëna personale dhe kanë ngacmuar edhe dhjetëra vajza dhe gra të rritura. Ajo që opinioni mësoi është se pjesa më e madhe e këtyre fotografive dhe të dhënave të viktimave shpërndaheshin nga persona me të cilët më herët viktimat kishin pasur lidhje intime.

Ministria e Drejtësisë, në propozim ndryshimet në Kodin Penal, ka përfshirë edhe veprën e re penale “Përndjekje”, e cila synon të rregullojë me ligj sanksionet për personat të cilët rrezikojnë sigurinë dhe privatësinë e tjetrit, fizikisht ose në internet.

Nga kjo ministri sqarojnë për “Mollëkuqja” se dënimet për këtë vepër, parashikohet të jenë deri në 5 vite burg. Këtu përfshihen ndjekja, shqetësimi, frikësimi, abuzimi psikik i personit tjetër, përfshirë këtu edhe hapësirën virtuale, gjëra të cilat deri tani nuk kanë paraqitur vepër penale.

LEXO: “Përndjekja” si vepër penale, ngacmimet ndaj vajzave duhet të presin disponimin politik për t’u sanksionuar

Muaj të tërë pas bërjes publike të shqetësimit të parë mbi rastin “Dhoma Publike” autoritetet besonin se nuk kanë bazë për të gjykuar personat që shkëmbenin këto materiale në grup. Kjo edhe për shkak se “Telegram” kishte refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet vendase për identitetin e personave që ishin pjesë e grupit dhe që kishin shpërndarë përmbajtjet e këtilla.

Të tjera