Dhuna seksuale mbetet një nga format më pak të raportuara në Maqedoninë e Veriut.
Në vend për çdo vit regjistrohen rreth 50-60 raste të përdhunimeve apo tentimit për përdhunim.
Megjithatë, shifrat reale besohet të jenë më të larta, marrë parasysh se shpesh këto raste fshihen për arsye të ndryshme.
Hulumtimi i Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave vë në pah se shifrat janë alarmante dhe se institucionet shtetërore nuk e dinë ekzistencën e qendrave që ofrojnë ndihmë për viktimat.
Në Maqedoninë e Veriut ka tre qendra për viktimat e dhunës seksuale, në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë.
Elena Dimushevska nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave thotë se hulumtimi i tyre ka treguar se një e treta e viktimave përdorin shërbimet e qendrave, ndërsa pjesa tjetër e anashkalon plotësisht këtë shërbim.
“Në biseda me policinë dhe Prokurorinë Publike mësuam se disa nga oficerët e tyre as që e dinë se ekzistojnë këto qendra”, tha Dimushevska.
Ndërkaq ekspertja Neda Çalovska thekson se besimi në institucione është i ulët dhe se viktimat shpesh kanë frikë ta raportojnë dhunën.
“ Në vend që të ndihmohen, ata shpesh janë të ekspozuar ndaj viktimizimit dytësor, ata merren në pyetje, dyshohen dhe u imponohet një ndjenjë faji”, tha Çalovska.
Ajo shtoi se “nëse nuk kemi një sistem që mbron në mënyrë aktive viktimat, atëherë ne në fakt po mbrojmë dhunuesin”.
Sipas Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave në Maqedoninë e Veriut vetëm dy përqind e grave të dhunuara seksualisht i denoncojnë rastet në organet shtetërore.