Më patetik se një burrë që nuk ushtron fare kujdes ndaj gruas së tij është një burrë i pakujdesshëm që gjithë kohës dhuron lule pa e kuptuar as vet se pse e bën këtë. Si duket, nuk e kanë dëgjuar Monronë e famshme kur thotë: ” diamantet janë miqtë më të ngushtë të grave”. Epo, nëse kujtoni se ajo për të cilën kanë nevojë gratë blihet me para, le të kushtoj pak në proporcion me dinjitetin e saj. Se çka do një grua ende ngelet një enigmë burrash, kjo sepse përpiqen që përgjigjen ta gjejnë mes burrash dhe jo t’i pyesin gratë. Gjeniu i letrave, francezi Gi De Mopasan thotë se një grua ka nevojë vetëm për përkëdhelje, Çarli Çaplini mendon se nëse një grua mund ta bëni që të qesh, ju mund të arrini ç’të dëshironi me atë grua. Osho insiston se ” gruan duhet ta duash, jo ta kuptosh”, i të njëjtit mendim ishte dhe Oskar Wilde. Bonaparta ishte cinik dhe thoshte se betejat me gratë fitohen vetëm duke ikur prej tyre, kulmi i cinizmit është Niçe që ekzagjeron: ” shkon te gruaja, merr kamxhikun”. Ka me mijëra e mijëra mendimesh që asnjëra nuk të dërgon te e vërteta absolute, te një e vërtetë e vetme, pasi dy gra njësoj kund nuk i gjen. Në vazhdim do ju sjellim mendime nga disa gra intelektuale shqiptare nga RMV që ushtrojnë profesione të ndryshme, sipas tyre ” çka duhet të dinë burrat për gratë”, përgjigjet i gjeni në vazhdim :
Anita Latifi, ish- gazetare, influencere
Burrat nuk lodhen të lexojnë literaturë që do t’u jepte përgjigje në këtë pyetje. Madje sot derisa mbajnë sytë e ngulur në celular u dalin para tyre mijëra “memes” e “reels” në këtë temë, po edhe ato kalojnë pa lënë ndonjë gjurmë. Burrat preferojnë të jetojnë me konstatimin e Frojdit “Krahas studimit 30 vjeçar ende nuk kam arritur të gjej përgjigjen e pyetjes “Çfarë duan gratë”” E mbasi Frojdi nuk e ka gjetur, pse duhet këta të provojnë. Duhet të jemi të sinqerta që bota jonë e brendshme është e komplikuar dhe dimë të japim sinjale konfuze para partnerit kur duam të ndajmë diçka nga kjo botë. Gjithsesi, po përmendi një krejtësisht të zakonshme (mos them banale) unë dua ta kuptojë që mua më shkakton kënaqësi shëtitja disaorëshe në depot për amvisëri me pauza për studim të produkteve që as më hyn në punë e as kam buxhet për to. Thjesht i dua ato çaste për vete, por në prezencën e tij. Dua ta kuptojë sa rëndësi ka për mua t’i kreh flokët te parukieri, pa çka se pas pak orësh do të lidhi atë bishtin majë kokës. Ta kuptojë peshën e asaj reje konstante të përditshme me pafund formula që dua/duhet t’i zgjidh e që i krijon të qenit nënë dhe amvise (krahas të gjitha obligimeve), pavarësisht që nuk jam as e para as e fundit në këtë detyrë. Dua ta kuptojë që e dua procesin e diskutimit për të marrë një vendim, ashtu siç dua në fund të marrim vendimin tim. Nuk jemi dhe aq të komplikuara, apo!?
Rudina Bekteshi, pianiste, profesoreshë
E dimë se gjinia femërore si natyrë është pak më e “dobët” nga ana fizike kundrejt gjinisë mashkullore.
Mirëpo shumë burra nuk e dinë se realisht çfarë përjeton gruaja në organizmin e saj gjatë gjithë kohës. Në fazën e pubertetit përballet për herë të parë me ndryshimin hormonal që ndodh brenda trupit të saj, të cilin ndryshim vetëm gruaja e vëren dhe e përjeton ndryshe. Ndryshim i cili vazhdon të ndodhë dhe më tutje gjatë jetës së saj edhe atë në çdo muaj .
Ky është një fakt të cilin burrat vetëm e dëgjojnë dhe e kanë shumë të vështirë ta perceptojnë se si ndodh dhe realisht çfarë është. Mirëpo, ngaqë vetë jam nënë e një djali, mendoj se faza ose procesi më i vështirë i një gruaje e cila do mirëkuptimin dhe mbështetjen e partnerit të saj është faza në të cilën bëhesh nënë për herë të parë. Pse e them këtë?
Sepse si fenomen natyror që ndodh mbas lindjes, shumë vajza ose nëna të reja përjetojnë depresion. Është faza e cila fillon nga procesi i ngjizjes së fëmijës dhe 9 muaj shtatzëni, ndryshim total i hormoneve që vjen me luhatje humori dhe emocione të ndryshueshme kohë pas kohe. Shtimi në peshë trupore dhe deformim i trupit të mëparshëm të cilin fenomen gruaja e ka të vështirë ta pranojë. Dhe vjen faza pas lindjes ku brenda një momenti të ndryshon e gjithë jeta jote . Ardhja në jetë e një fëmije ku deri dje ti vetëm e mendoje se si do të jetë, ndërsa sot ti e ke në krahë dhe nuk e din aspak se si duhet të sillesh dhe se si duhet ta rrisësh. Mendoj se ky është momenti që të gjitha gratë do dëshironin që partneret e tyre të dinin diçka më shumë dhe të kenë mbështetjen sa më të madhe të mundshme .
Lule Mulaku , gjinekologe
Gratë do të donin që burrat të kuptonin thellësinë dhe shenjtërinë e procesit të lindjes si një akt krijimi që mishëron fuqinë e jetës dhe të transformimit. Lindja nuk është thjeshtë një ngjarje biologjike, por një lidhje mes së përkohshmes dhe së përjetshmes – një akt që ndërthur dhimbjen, sakrificën dhe dashurinë në formën e saj më të pastër. Lindja është dëshmi e fuqisë së brendshme që gratë mbartin, një forcë që tejkalon kufijtë e trupit fizik dhe bëhet një udhëtim shpirtëror. Gratë do të donin që burrat të kuptonin se gjatë këtij procesi, ato përballen me një transformim të plotë, duke u bërë jo vetëm bartëse të jetës, por edhe kujdestare të saj. Lindja është një cikël i fillimit dhe vazhdimësisë, ku gruaja bëhet ura që lidh të shkuarën me të ardhmen. Është një moment që simbolizon jo vetëm krijimin e një jete të re, por edhe rilindjen e vetë gruas, e cila del nga ky proces më e fortë, më e thelluar, më empatike dhe shpesh më e ndërgjegjshme për lidhjen e saj me natyrën, jetën dhe universin. Gratë do të donin që burrat të shihnin këtë akt jo si diçka që thjesht ndodh, por si një mrekulli e përditshme që meriton respekt dhe falënderim deri në përulje. Në fund të fundit, lindja nuk është vetëm një proces fizik, ajo është një akt dashurie që fton në jetë ekzistencën dhe krijon një realitet të ri. Gratë e përjetojnë këtë akt si një përgjegjësi sublime dhe një dhuratë hyjnore, dhe do të donin që burrat ta shihnin këtë me të njëjtën thellësi dhe nderim.
Valdeta Kasapi, studiuese e komunikologjisë
Do të kishte qenë e kompletuar bashkëshortësia nëse së pari burrat do të ishin të vetëdijshëm për dashurinë e pakusht të grave ndaj burrave të tyre dhe më pas varg të gjitha vetitë e mira apo edhe teket, të cilat gratë e tyre i posedojnë. Dikush do të thoshte, pse teket, unë nuk kam teke e vese?! Sado që ne si gra mundohemi t’i anashkalojmë anët e këqija që kemi, aq më tepër e rëndojmë jetesën së pari vetes e më pastaj në bashkëshortësi. Njashtu sa më herët teket dhe veset tona të jenë transparente dhe të pranueshme para burrave, mendoj se shumë e lehtë do të jetë jeta midis burrave dhe grave të tyre. Me të padrejtë ndoshta fillova me veset, por sepse janë të pakta dhe për t’i eliminuar edhe ato, mendoj se e dhashë një formulë e cila besoj se do të kishte qenë mirë të dinë burrat për gratë e tyre. S’do mend se të mira ka me bollëk, duke u nisur nga mëmësia, të cilën edhe pse kemi dëshirë që burrat të dinë për këtë instinkt, ata asnjëherë nuk kanë për ta kuptuar. Këtu po flas me bindje dhe ne si gra, duhet të dorëzohemi se asnjëherë nuk mund t’i fusim në këtë botë.
Ka shumë gra që janë më romantike dhe nga burrat e tyre kërkojnë të dinë se ajo ka nevojë për dhurim lulesh, por ja që unë kërkoj veprime të sjellshme, respekt, mirëkuptim emocional, profesional, thjesht njerëzor.
Kam hasur në shumë takime me çifte dhe kam përshtypjen se gruan e jetës së tyre e mendojnë sikur ajo të jetë me ta në një ring me publik. Duhet të dinë burrat për gratë e tyre se duhet të trajtohen si mike jetësore dhe jo kundërshtare, pavarësisht që ndonjëherë kundërshtimet ndaj tyre janë të pashmangshme, jo për kapric. Bukuria dhe ndjeshmëria e gruas nuk është vetëm në formën e saj trupore, por në thellësinë e shpirtit të saj, që shpesh mbetet e panjohur për ata që nuk arrijnë të shohin përtej saj. Gruaja është një poezi paqe dhe një univers i përbashkët i ndjeshmërisë dhe forcës.
Flutur Beluli, profesoreshë e gjuhës shqipe
Ka disa gjëra të rëndësishme që gratë shpesh do të donin që burrat e tyre t’i kuptonin më mirë.
Për mendimin tim, gratë shpesh nuk kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre, por thjesht kanë nevojë për dikë që t’i dëgjojë. Të ndihesh e dëgjuar është një mënyrë për të ndjerë afërsi dhe vlerësim. Ndonjëherë gratë përjetojnë emocione të ndryshme dhe kërkojnë që burrat të jenë të duruar dhe mirëkuptues, pa i minimizuar ose gjykuar ato. Gratë duan që burrat të respektojnë dhe të vlerësojnë trupin e tyre ashtu si është, duke u fokusuar më shumë te personaliteti dhe dashuria që sjellin në marrëdhënie. Megjithëse s’kanë fund këto gjëra, unë po përfundoj me një këshillë për burrat :
Duke kuptuar këto gjëra, burrat mund të forcojnë marrëdhëniet dhe të krijojnë një lidhje më të thellë me partneret e tyre.
Akime Nasufi Rexhepi, piktore
Pa gratë janë të humbur burrat, kuptohet. (Qesh)
Duhet më shpesh t’u thonë grave të tyre se kanë bërë zgjedhjen e duhur, se kanë gruan që dëshirojnë në krah dhe se me atë zgjedhje ndihen të lumtur. Besoj se çdo grua ka dëshirë ta dëgjoj këtë më shpesh. Asnjë grua nuk kërkon mbrojtje nga burrat, por vetëm nevojën për ta mbështetur gjithmonë. Në fakt, kisha më shumë ankesa , por nuk e di pse nuk po më kujtohen tjera për momentin. (qesh)