Një vajzë u rrit duke dëgjuar prindërit e saj të thoshin se do ta vrisnin cilindo nga fëmijët e tyre, nëse do të mësonin se ishte pjesë e komunitetit LGBT+. Një burrë transgjinor e gjeti mbështetjen më të madhe te nëna, por edhe te ajo e ndiente frikën sa herë që flitej për identitetin e tij. Një i ri, kur familja e tij zbuloi se punonte në një lokal për komunitetin gej, u gjend me një biletë njëdrejtimëshe për në Kosovë, të blerë nga vetë familja.
Në Ballkanin Perëndimor, mbrojtja ligjore ka bërë përparim në disa vende, por stigma, dhuna dhe reagimi i dobët i institucioneve vazhdojnë ta kufizojnë jetën e personave LGBT+.
Mollëkuqja.mk sjell tri rrëfime që tregojnë çmimin që paguajnë këta njerëz vetëm sepse identiteti ose orientimi i tyre nuk përputhet me pritjet e shoqërisë.
Rrëfimet janë botuar fillimisht nga Qendra për Barazi dhe Liri (CEL) në Kosovë, ndërsa më poshtë i gjeni në version të shkurtuar.
U rrit duke dëgjuar urrejtje, pastaj nisi të kuptonte se ishte biseksuale
Kur i ati fliste me urrejtje për personat LGBT+, ajo e merrte si të mirëqenë se kishte të drejtë. Ishte rritur duke parë gjyshen dhe të ëmën “të dridheshin” para burrave të tyre. Edhe ajo mendonte se duhej të sillej ashtu para të atit ose të vëllait. Në atë shtëpi, fjala e burrave peshonte më shumë dhe prej tyre kishte mësuar se dashuria mund të ekzistonte vetëm mes një burri dhe një gruaje.
Me kalimin e viteve, nisi të lexonte më shumë dhe t’i vinte në pikëpyetje disa prej bindjeve me të cilat ishte rritur. Kur nisi të pëlqente një vajzë, pyetjet u bënë personale. Më parë kishte pëlqyer një djalë. Tani, çdo mbrëmje para se të flinte, mendonte për vajzën dhe shqetësohej se mos njerëzit përreth po e kuptonin. Në rrëfim kujton se i dukej “sikur të gjithë njerëzit më shikonin çuditshëm”.
Atë verë nisi të shkonte në xhami për të mësuar si të lutej. Shpresonte të gjente qetësi nga faji që ndiente. Kur kërkoi në internet se çfarë do të thoshte të të pëlqenin një djalë dhe një vajzë, hasi terma që s’i kishte dëgjuar më parë. Vazhdoi të lexonte shpjegime derisa gjeti edhe histori të njerëzve me përvoja të ngjashme. Ajo kujton se në atë periudhë kishte tentuar të vetëvritej. Me kohë, nisi të pyeste veten përse vazhdonte ta ndëshkonte veten për diçka që prindërit e saj e quanin të gabuar.
Në shtëpi, thotë ajo, prindërit vazhdonin të kërcënonin se do ta vrisnin cilindo nga fëmijët e tyre po të merrnin vesh se ishte pjesë e komunitetit LGBT+. “Ndjehem akoma si 13-vjeçare kur i dëgjoj këto fjalë”, rrëfen ajo. Kur takoi njerëz që punonin në një organizatë të komunitetit, dëgjoi prej tyre se edhe të tjerë ndiheshin si ajo. Për herë të parë mundi të fliste për atë që ndiente me dikë që e kuptonte.
Me afrimin me komunitetin u përball edhe me gjykime që s’i kishte pritur. Disa persona e trajtonin biseksualitetin e saj si një fazë eksperimentimi. Të tjerë mendonin se ajo ende kishte frikë ta pranonte veten si lezbike. E pyesnin se si mund t’i pëlqenin të dyja gjinitë dhe e ngatërronin tërheqjen me të qenit në dy lidhje njëherësh. Përgjigjja e saj nisej nga përvoja e vet. Kur ishte me dikë, vëmendjen e kishte te ai person. “Nuk mund ta zgjedhësh personin që pëlqen”, thotë ajo.
Lendi foli hapur, historia e tij u bë zë për shumë persona transgjinorë
Kur Lendi foli publikisht për identitetin e tij gjinor, rrëfimi i tij tërhoqi vëmendjen e mediave. Në dëshminë e botuar nga CEL, ai kthehet te vitet para asaj daljeje publike. Kishte lindur në Gjermani, në një familje shqiptare, dhe ishte rritur me pesë motra. Mes kohës kur e kuptoi se ishte transgjinor dhe asaj kur mundi ta pranonte veten kishte kaluar një periudhë që ai e përshkruan si të vështirë. Kujton se kishte pasur edhe çaste kur e refuzonte veten. Përpiqej ta përballonte atë periudhë me të qeshur dhe me kalimin e kohës arriti të ndihej më mirë me veten. Kur e shkroi rrëfimin, ende pyeste veten nëse kishte arritur lumturinë që kërkonte.
“Familja më kanë pranuar për këtë që jam”, thotë Lendi, duke kujtuar se në disa raste familjarët edhe e kishin penguar. Motrave u duhej kohë të mësoheshin me mënyrën se si ai po paraqitej para tyre. Mbështetjen më të madhe e gjeti tek e ëma. Edhe me të, kujton ai, “vazhdimisht unë e kam ndjerë dhe e kam parë frikën e saj”. Ai e lidhte këtë frikë me rëndësinë që merr mendimi i të tjerëve kur një fëmijë flet hapur për identitetin e vet.
Disa persona transgjinorë i thoshin se ishte me fat që familja e kishte pranuar. Kur kthehet te ajo periudhë, Lendi kujton se momentin kur familjarët morën vesh për identitetin e tij e përballoi më lehtë. Më e vështirë për të ishte koha kur filluan ta merrnin vesh edhe njerëzit përreth. Kur flet për mundimin e atyre viteve, Lendi përdor figurën e Sizifit. “Ne jemi Sizifë që mbajmë gurin mbi shpinë”, shkruan ai. Në atë figurë sheh këmbënguljen që i duhej sa herë që rrëzohej dhe duhej të merrte veten për të vazhduar. Të flasësh hapur, për të, do të thotë të mund të dalësh mes njerëzve si kushdo tjetër. “Unë e kam gjetur rrugën time”, thotë ai.
Kur e mësuan ku punonte, i prenë biletën njëdrejtimëshe
“Ta përjetoj momentin e të dalurit hapur te të tjerët ka qenë gjëja më e keqe që kam kaluar”, tregon një i ri për storjen e tij.
Për pesë vjet, tregon i riu, e goditën, e ngacmuan dhe e fyen në shkollë. I hidhnin lapsa, fletore e libra edhe kur mësuesit ishin në klasë. Kur nisi kolegjin në Londër në moshën 16-vjeçare, njerëzit filluan t’i afroheshin. E ftonin për drekë dhe në park pas mësimit. Gjatë vitit të parë prezantohej si biseksual, sepse ende druhej të deklarohej si gej. Shpresonte se, po të dilte me një vajzë, “mund të bëhesha personi që çdokush donte të shihte”.
U afrua me një vajzë nga kolegji, me të cilën ngjante në karakter dhe mund të fliste lehtë. Pas një muaji që dilnin bashkë, e kuptoi se ndjenjat për të ishin ato të një miku. Kur i tregoi se ishte gej, kishte frikë se po humbiste edhe miqësinë. Ajo e kuptoi dhe ata mbetën miq të ngushtë. Ai ia njeh asaj një rol në mënyrën se si mësoi ta pranonte seksualitetin e vet.
Në vitin e dytë të kolegjit u deklarua si gej. Njëra nga motrat e mori vesh rastësisht. Kur e pyeti sa ishte ora, ai ia ktheu ekranin e telefonit dhe harroi se kishte lënë hapur një aplikacion ku njihej me djem të tjerë të komunitetit. “Më vjen kaq turp të të quaj vëlla”, kujton t’i ketë thënë ajo. Biseda zgjati gati një orë. Në atë kohë, thotë ai, motra e mbajti për vete atë që kishte marrë vesh.
Në moshën 18-vjeçare nisi praktikën në një lokal për komunitetin gej. Atje u ndie i pranuar dhe zgjeroi rrethin e miqve. Një muaj më vonë, një koleg e etiketoi në një njoftim për një ngjarje në lokal. Kur familja zbuloi se ku punonte, i bleu një biletë njëdrejtimëshe për në Kosovë. Sipas tij, familjarët ia vunë fajin lirisë që mendonin se i kishin dhënë dhe besonin se kthimi do ta ndryshonte.
Pas kthimit, teksa priste një shok anës rrugës, katër djem që po kalonin me makinë e kërcënuan me fyerje homofobike. “Papritur ngriva”, kujton ai. Në një rast tjetër, një grup e ndoqi dhe ai kaloi përmes një fabrike për të kërkuar mbrojtje. Kur e ëma e pyeti çfarë kishte, ai shpërtheu në lot. I tregoi si ishte ndier dhe sa e kishin lënduar veprimet e saj. Ajo i tha të largohej nga shtëpia dhe të shkonte të jetonte me të atin, rrëfen ai. “Nuk isha ndjerë kurrë kaq i thyer në jetën time.”
Storjet e plota i gjeni në këtë publikim, nga faqe 40 deri në 52.
Sfidat me të cilat përballen personat nga komuniteti LGBT+ në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të mbeten ndër temat më komplekse të të drejtave të njeriut në rajon, dhe shpesh janë të ngjashme nga një vend në tjetrin.
Edhe pse legjislacioni në shumicën e këtyre vendeve ka shënuar hapa pozitivë formalë nën presionin ose udhëzimet e komunitetit ndërkombëtar dhe proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian, përditshmëria e pjesëtarëve të komunitetit vazhdon të jetë e mbushur me stigmë, homofobi, dhunë fizike e psikologjike, si dhe hezitim institucional për t’u ballafaquar siç duhet me këto raste.
This publication was produced within the framework of the project “Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog”, implemented by the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja”. The project is implemented as part of the broader regional project “Together for LGBTQI+ Equality”, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, the Ministry of Regional Investment Development and Cooperation with Non-Governmental Organisations, CCE, or the project partners.





