Ky tekst përmban një fyerje homofobike të cituar.
Petar Bogojeski para pak javësh i tha një avokateje në TV Alfa se burri duhet ta mbikëqyrë gruan, dhe një javë më vonë i quajti protestueset kundër feminicideve “kuçka histerike”. Ai është kryetar i partisë Koncepti Maqedonas, e cila para zgjedhjeve hyri në koalicion me VMRO-DPMNE dhe cilësohet nga partitë si pjesë e koalicionit qeverisës. Ai gjithashtu edhe docent në Akademinë Ushtarake, ku u jep mësim oficerëve të ardhshëm të ushtrisë. Më 2 nëntor, në emisionin “Na kavga so Ivan” të Kanal 5, i publikuar edhe në YouTube, në një bisedë me të u përdor si shaka fjala “peder”.
Nuk është hera e parë. Ndaj Bogojeskit janë paraqitur kallëzime penale për gjuhtë të urrejtjes. Kur u emërua drejtor i Agjencisë së Erasmus+, Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkoi tërheqjen e propozimit, ndërsa Komisioni Evropian shprehu shqetësim për konflikt të mundshëm interesi dhe arsye etike. Këtu nuk flasim për dikë që gaboi një herë.
Për ne, që punojmë me të drejtat e njerëzve LGBTQI+, kjo fjalë nuk është e vogël. Sipas Koalicionit Margini, afër 37% e nxënësve raportojnë dhunë nga bashkëmoshatarët në shkollë për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, dhe 63% e nxënësve LGBTI e fshehin identitetin. Kur një njeri me pozitë e përdor këtë fjalë në televizion si shaka, ai nxënës merr një mesazh të qartë: të rriturit me pushtet mendojnë kështu dhe askujt nuk i bën përshtypje. Koalicioni Margini kishte deklaruar se çmimin e paguajnë të rinjtë, të drejtat dhe siguria e të cilëve janë tashmë të rrezikuara.
Ndërkohë, shteti po bën të kundërtën e asaj që do të ndihmonte. Ministria e Arsimit e ka riemërtuar edukimin gjithëpërfshirës seksual “Shëndeti dhe mbrojtja e shëndetit” dhe ka hequr fjalën gjini, përmbajtjet për diversitetin seksual dhe homofobinë. Margini e quan edhe një goditje për barazinë gjinore dhe të drejtat e LGBTI. Pra nga njëra anë e heqim fjalën “homofobi” nga shkolla, nga ana tjetër një politikan përdor një fyerje homofobike në televizion.
Dhe nuk është vetëm kjo. Në TV Alfa, në emisionin “Nën lupë”, Bogojeski kishte deklaruar se feminizmi i ka bërë gratë “të sillen në mënyrë të papërshtatshme dhe të refuzojnë çdo mbikëqyrje mashkullore”. Kur avokatja Katerina Koteska e pyeti kush duhet ta mbikëqyrë atë, u përgjigj se burri i saj, sepse kjo është “detyrë” dhe “obligim” i tij. Për pabesinë tha se reagimi i burrit nuk është dhunë, por mbrojtje e dinjitetit të tij.
Të thuash se burri ka të drejtë, madje detyrë, ta mbajë gruan nën kontroll nuk është mendim. Është patriarkat dhe mizogjini. Gratë nuk janë pronë e partnerëve të tyre. As martesa, as pabesia, as “vlerat tradicionale” nuk janë arsye për kontroll, poshtërim ose dhunë.
Kjo mund të shkaktoje dëme zinxhir, një abuzues që e dëgjon një profesor në televizion e merr si konfirmim. Një grua që po përballet me dhunë në shtëpi mund të mendojë se nuk ia vlen të flasë. Djemtë që në shkollë nuk mësojnë më asgjë për gjininë dhe pushtetin mund ta dëgjojnë këtë si të vetmen përgjigje. Ky nuk është opinion personal, është qëndrim i një lideri partie që hyn në koalicionin qeverisës. Pyetja nuk është vetëm çfarë mendon ai, por çfarë tolerohet nga ata që e kanë në koalicion.
Nuk themi që Bogojeski është Andrew Tate, por formula është e njohur: antifeminizëm i paketuar si “e vërteta që askush nuk guxon ta thotë”, tallje me kritikët, burrëria si dominim. Studimet tregojnë se kjo ka pasoja. Një studim i 2024 mes të rinjve në Suedi gjeti se ata që ndjekin më shumë “manfluencerë” kanë më shumë gjasa të mbajnë pikëpamje çnjerëzuese për gratë. Një studim amerikan gjeti se djemtë adoleshentë që ndjekin figura të manosferës besojnë më shumë te ideja e ngurtë e burrërisë, edhe pasi merren parasysh mesazhet që dëgjojnë në shtëpi. Në Australi, intervistat me 30 mësuese treguan se përmbajtjet e Tate ndryshonin mënyrën si djemtë sillen me gratë.
Mediave
Studiuesja Whitney Phillips, në raportin “The Oxygen of Amplification”, tregon se gazetarët që mbulonin ekstremistët, edhe duke bërë thjesht punën e tyre, u shërbyen interesave të tyre. Një gazetar e tha shkurt: në një moment duhet ta kuptosh se po i promovon.
Nuk kërkojmë censurë dhe nuk po akuzojmë gazetarët. AVMU konstatoi se gazetarja e TV Alfa veproi profesionalisht dhe e sfidoi në studio, dhe kjo duhet thënë. Por kur i njëjti person ftohet vazhdimisht, vendimi nuk është më i gazetares në studio, është i redaksisë. Një njeri që ka profilin e vet dhe audiencën e vet nuk ka nevojë që t’i japim edhe ne mikrofon. Kur një titull ose reel e përsërit fjalën fyese, ai nuk merr përgjigje, merr shikueshmëri. Prandaj u bëjmë thirrje redaksive të mos e ftojnë vazhdimisht dikë që e ka treguar se përhap këtë gjuhë. Mos e ktheni shaka për sensacionalizëm. Mos e trajtoni si provokim të vogël ose spektakël televiziv. Klikimet nuk janë më të rëndësishme se njerëzit.
Dhe koha nuk është e rastësishme. Sipas Platformës për barazi gjinore, Eurostat e renditi Maqedoninë e Veriut të tretën në Evropë për shkallën e feminicidit (2023), dhe Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave ka regjistruar 7 gra të vrara dhe 2 tentativa në nëntë muajt e parë të 2026. Më 8 nëntor qytetarët dolën në Shkup në protestën “Asnjë më”, kundër feminicideve, dhunës institucionale dhe pandëshkueshmërisë. Pikërisht tani, dikush me titull dhe parti thotë se gratë kanë nevojë për “mbikëqyrje”.
Ky shkrim vjen si pasojë e një denoncimi që ka arritur te Mollekuqja nga një lexues përmes platformës “Raporto homofobinë e zyrtarëve” në mollekuqja.mk.
This publication was produced within the framework of the project “Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog”, implemented by the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja”. The project is implemented as part of the broader regional project “Together for LGBTQI+ Equality”, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollëkuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, the Ministry of Regional Investment Development and Cooperation with Non-Governmental Organisations, CCE, or the project partners.





