Parada e Krenarisë u mbajt më 20 qershor në Shkup, me moton “Të gjithë le ta dinë”. Që nga viti 2019, pjesëtarë të komunitetit LGBTI+ dhe përkrahësit e tyre marshojnë në rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar barazi dhe duke bërë të dukshme problemet me të cilat përballen.
Por sfidat e komunitetit nuk kufizohen te një ditë proteste apo te hapësira e kryeqytetit. Përtej Shkupit, mungojnë organizatat, hapësirat e sigurta dhe rrjetet e mbështetjes, ndërsa shumë persona vazhdojnë ta fshehin identitetin e tyre nga frika e diskriminimit, dhunës ose pasojave në familje dhe në punë.
Të dhënat e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore tregojnë se vetëm 21 përqind e personave LGBTIQ+ të anketuar në Maqedoninë e Veriut mund të flasin hapur për identitetin e tyre, ndërsa 74 përqind shmangin shfaqjet publike të afeksionit nga frika e ngacmimit. Në të njëjtën kohë, 43 përqind shmangin zona të caktuara për të ulur rrezikun e sulmit.
Edhe raportet ndërkombëtare dhe vendore evidentojnë probleme me zbatimin e të drejtave, gjuhën e urrejtjes dhe reagimin institucional.
Për këto çështje Mollëkuqja foli me disa aktivistë nga Bordi Organizativ i Skopje Pride.
Jashtë Shkupit mungojnë hapësirat, por edhe mundësia për t’u ndier i sigurt
Përqendrimi i aktivizmit LGBT+ në Shkup, sipas aktivistëve, nuk duhet parë si rezultat i neglizhimit të qëllimshëm të qyteteve të tjera. Ai është pjesë e një problemi më të gjerë të centralizimit të vendit, ku shumica e organizatave, institucioneve, mediave dhe aktiviteteve publike janë të përqendruara në kryeqytet.
Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta për komunitetin jashtë Shkupit.
Në qytetet më të vogla ka shumë më pak organizata dhe hapësira të sigurta ku personat LGBTI+ mund të takohen, të kërkojnë ndihmë apo thjesht të jenë vetvetja.
“Nuk do të thoshim se qytetet e tjera janë lënë qëllimisht pas dore”, thonë aktivistët, duke e lidhur këtë situatë me mungesën e përgjithshme të strukturave dhe burimeve jashtë kryeqytetit.

Gjatë viteve të fundit, sipas tyre, disa organizata dhe iniciativa janë përballur me mungesë fondesh, ulje të aktiviteteve ose edhe mbyllje. Në këto kushte, krijimi i strukturave të reja dhe afatgjata në qytete të tjera bëhet edhe më i vështirë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nevoja është më e vogël.
“Ndoshta është edhe më e madhe se në Shkup, vetëm se është shumë më pak e dukshme”, theksojnë ata.
Mungesa e dukshmërisë nuk është mungesë guximi
Në një qytet të vogël, të flasësh hapur për orientimin seksual apo identitetin gjinor mund të ketë pasoja më të drejtpërdrejta. Njerëzit njihen mes vete, informacionet përhapen shpejt dhe një deklarim publik mund të ndikojë në marrëdhëniet me familjen, në vendin e punës apo në komunitetin ku jeton personi.
Në Shkup, ndërkaq, ekziston më shumë anonimitet dhe mundësi për të krijuar një rrjet njerëzish me të cilët personi ndihet i sigurt.
Për këtë arsye, aktivistët thonë se nuk duhet të interpretohet mungesa e dukshmërisë si mungesë dëshire për ndryshim.
“Ndonjëherë padukshmëria është mënyrë për t’u mbrojtur”, thonë ata.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë që jetojnë në qytete të tjera dhe nuk kanë pranë vetes një komunitet apo rrjet mbështetës. Sipas aktivistëve, nuk mund të kërkohet që individi të mbajë të gjithë barrën e aktivizmit në një mjedis që ende nuk i garanton se do të jetë i sigurt.
Përparimi ligjor nuk është i njëjtë me ndryshimin në jetën e përditshme
Aktivistët thonë se gjatë viteve të fundit ka pasur përparim. Çështjet LGBT+ janë më të dukshme në debatin publik, ndërsa komuniteti është më i pranishëm në hapësirën publike.
Por ata bëjnë dallim të qartë mes dukshmërisë dhe barazisë.

Një person mund të ketë mbrojtje ligjore, por përsëri të hezitojë ta raportojë diskriminimin sepse nuk beson se institucionet do ta mbrojnë.
“Dukshmëria nuk është e njëjtë me barazinë. Mund të kemi Paradë të Krenarisë një herë në vit, ndërsa një person LGBT+ 364 ditët e tjera të ketë frikë ta mbajë partnerin ose partneren për dore në rrugë”, thonë aktivistët.
Sipas tyre, ndryshimi real do të shihet atëherë kur personat LGBTI+ nuk do të duhet vazhdimisht të mendojnë se ku mund të jenë vetvetja, para kujt mund të flasin dhe nëse do të kenë pasoja për këtë.
Institucionet reagojnë pas incidenteve, në vend që t’i parandalojnë
Një nga problemet që aktivistët e veçojnë është edhe mënyra se si institucionet reagojnë ndaj diskriminimit dhe dhunës.
Shpesh, thonë ata, reagimi vjen vetëm pasi një rast bëhet publik. Organizatat reagojnë, mediat kërkojnë përgjigje, publiku ushtron presion dhe vetëm atëherë institucionet ndërmarrin veprime.
“Shumë shpesh shohim reagim në vend të parandalimit”, thonë aktivistët.
Sipas tyre, mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk duhet të varet nga presioni i jashtëm. Një qytetar që raporton diskriminim, kërcënim apo dhunë duhet të ketë besim se rasti do të merret seriozisht dhe se institucionet do të veprojnë në kohë.
Kjo, theksojnë ata, vlen për policinë, prokurorinë, shëndetësinë, arsimin dhe shërbimet sociale.
“Është veçanërisht e rëndësishme që njerëzit që punojnë në polici, prokurori, shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale të dinë se si të veprojnë në mënyrë profesionale me personat LGBT+“, thonë aktivistët.

Aktivistët e shohin këtë si një nga boshllëqet kryesore mes asaj që parashikohet në ligj dhe asaj që përjetohet në praktikë.
“Nuk duhet që organizatat e shoqërisë civile t’u kujtojnë vazhdimisht institucioneve se cila është puna e tyre”, theksojnë ata.
Sfida tjetër, të arrihet përtej njerëzve që tashmë e mbështesin barazinë
Aktivizmi LGBT+ përballet edhe me një pyetje tjetër: sa arrin të komunikojë me njerëzit që nuk janë tashmë të bindur për barazinë?
Aktivistët theksojnë se është shumë më e lehtë të bisedohet me njerëzit që tashmë e mbështesin komunitetin. Më e vështirë është të arrihet te personat që nuk kanë njohur kurrë nga afër një person LGBTI+ dhe perceptimin për komunitetin e kanë krijuar përmes stereotipeve, paragjykimeve ose dezinformatave.
Për këtë arsye, ata mendojnë se duhet folur më shumë për njerëzit dhe më pak vetëm me gjuhën e ligjeve, strategjive dhe politikave.
“Pas shkurtesës LGBT+ qëndrojnë njerëz që shkojnë në punë, studiojnë, kujdesen për prindërit e tyre, dashurohen, ndahen, kanë plane dhe probleme si të gjithë të tjerët”, thonë aktivistët.
Ndryshimi i qëndrimeve të shoqërisë, sipas tyre, nuk mund të ndodhë brenda natës, por një pjesë e rëndësishme e aktivizmit është krijimi i hapësirave ku njerëzit mund të takohen dhe të flasin, në vend që ta shohin njëri-tjetrin vetëm përmes paragjykimeve.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut edhe në raportin më të fundit të ILGA Europe është ranguar kah fundi i listës së vendeve për sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTI. Sipas këtij raporti, në vitin 2025, vendi është vlerësuar me 29,26% dhe është renditur në vendin 31 nga 49 vendet sa i përket pozitës ligjore dhe politike të personave LGBTI, në fushat siç është barazia, gjuha e urrejtjes, njohja juridike e gjinisë dhe hapësirës për shoqërinë civile.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.




