Mijëra libra të autoreve dhe të literaturës feministe u janë dhuruar lexuesve në disa qytete të vendit. Mesazhe kundër ngacmimeve seksuale dhe patriarkalizmit po përcillen njëkohësisht në shqip, maqedonisht dhe në gjuhën rome. Pas këtyre iniciativave qëndrojnë të rinj që pabarazinë gjinore, dhunën dhe varfërinë nuk i shohin si problem të një komuniteti etnik, por si çështje të përbashkëta, për të cilat duhet luftuar bashkë.
Nga barazia gjinore dhe feminizmi, te dhuna, mjedisi, gjuha e urrejtjes dhe të drejtat e njeriut, aktivistët e rinj po krijojnë iniciativa që u flasin qytetarëve në më shumë se një gjuhë. Shqipen dhe maqedonishten nuk i shohin si kufij mes komuniteteve, por si mjete për t’i afruar. Në Shkup, Tetovë dhe qytete të tjera po krijohen hapësira ku të rinjtë takohen, diskutojnë dhe veprojnë së bashku.
Nga librat te solidariteti feminist
Një shembull i tillë është Rrjeti Stella, i cili përmes iniciativës “Ndaj me ne një autore” prej vitesh promovon krijimtarinë letrare të grave dhe qasjen në literaturën feministe. Nisma ka dhuruar mijëra libra në disa qytete në mbarë vendin.
Siç shpjegon Sara Milenkovska, aktiviste dhe bashkëthemeluese e Rrjetit Stella, solidariteti nuk do të thotë të pretendojmë se të gjithë kemi të njëjtat përvoja, por të njohim pozicionet e ndryshme nga të cilat vijmë dhe të kuptojmë se asnjë luftë emancipuese nuk mund të përfundojë brenda kufijve të komunitetit të vet etnik apo gjuhësor.
“Nuk do të thosha se të rinjtë, sipas definicionit, janë të çliruar nga ndarjet etnike, edhe ata rriten në shoqëri që vazhdimisht i riprodhon ato. Por, përmes punës sonë, shohim potencial të madh që këto ndarje të mos pranohen si diçka e natyrshme dhe e paracaktuar”, thotë Sara.
Ajo shton se kur të rinjtë takohen rreth çështjeve që i prekin drejtpërdrejt, si pabarazia gjinore, dhuna, varfëria, arsimi, puna dinjitoze apo liria për të qenë ata që janë, bëhet shumë më e vështirë që ta shohin njëri-tjetrin vetëm përmes kategorive etnike.
“Prandaj, iniciativa të tilla nuk i shoh vetëm si histori pozitive për bashkëjetesën, por si përpjekje për të ndërtuar praktikisht infrastrukturë solidariteti aty ku institucionet dhe tregu lënë boshllëqe”, tha Milenkovska.
Aktivizëm në disa gjuhë
Në Tetovë, një tjetër shembull i aktivizmit të të rinjve është iniciativa “Mendo pakëz” e aktivistes Elena Saveska. Mesazhet e saj publike kanë trajtuar ngacmimet seksuale, patriarkalizmin, nacionalizmin, fashizmin, ndotjen dhe dhunën, dhe janë përcjellë në shqip, maqedonisht dhe në gjuhën rome.
Për Saveskën, gjuha nuk duhet të përdoret për të theksuar dallimet, por për të mundësuar kuptimin dhe komunikimin.
“Rolin e të rinjve, veçanërisht kur bëhet fjalë për tejkalimin e barrierave etnike dhe afrimin mes komuniteteve, e shoh përmes frazës që është kthyer në klishe: “Të rinjtë janë e ardhmja”. Të rinjtë janë vërtet e ardhmja dhe duhet të trajtohen si të tillë. Besoj se kjo frazë është kthyer në klishe pikërisht për shkak të fuqisë që kanë të rinjtë për të sjellë ndryshime dhe për ta ndryshuar të tashmen, e bashkë me të edhe të ardhmen, edhe pse nuk janë të përfaqësuar politikisht dhe nuk e kanë mundësinë ta bëjnë këtë. Një pjesë e kësaj fuqie është afrimi i komuniteteve dhe tejkalimi i barrierave të së kaluarës, pavarësisht bazës mbi të cilën janë krijuar. Kemi të njëjtat probleme, ndërsa problemet që na prekin të gjithëve mund të zgjidhen vetëm së bashku”, thotë Elena.
Sipas saj, iniciativat shumëgjuhëshe i nxjerrin njerëzit nga rrethi i tyre dhe i njohin me perspektiva të ndryshme. Kur rriten urrejtja, nacionalizmi, ksenofobia dhe homofobia, aktivizmi që lidh njerëzit është më i nevojshëm se kurrë.
“Sot këto iniciativa, e veçanërisht ato për paqen, janë më të nevojshme se kurrë. Pikërisht për shkak të të gjitha valëve të urrejtjes, fashizmit, nacionalizmit, ksenofobisë, homofobisë… dhe, natyrisht, sepse nuk është normale dhe nuk është e natyrshme të urresh”, thotë Saveska.
Pse ky aktivizëm nuk vjen lehtë
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut tregon se terreni nuk është i lehtë. Situata ndëretnike përshkruhet si përgjithësisht e qëndrueshme, por debatet për gjuhën mbeten të ndezura, siç dëshmoi edhe peticioni i studentëve të drejtësisë që kërkonin ta japin provimin në shqip.
Për gratë dhe aktivistet, më shqetësuese është gjuha e urrejtjes në internet. Raporti vë në dukje se incidentet e raportuara në vitin 2025 janë bazuar më shpesh, ndër të tjera, te përkatësia etnike, ndërsa autoritetet ende nuk mbledhin të dhëna në mënyrë sistematike dhe rastet i dokumentojnë organizatat civile. Po aty paralajmërohet se narrativat antigjinore po ndikojnë në debatin publik dhe se gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut përballen me kërcënime dhe gjuhë urrejtjeje në rrjet.
Edhe për të rinjtë, hapësira institucionale po ngushtohet. Në vitin 2025 numri i komunave me këshill rinor lokal ra nga 28 në 24 nga gjithsej 81, ndërsa qendra ose zyra rinore ka vetëm në 13 komuna. Papunësia te të rinjtë mbetet rreth 25 për qind dhe ligji i ri për punën rinore ende pret. Edhe organizatat civile mbahen në këmbë me vështirësi, sepse mbështetja publike është e kufizuar dhe donacionet e huaja janë bërë të pasigurta.
Të rinjtë si forcë për ndryshim
Nga librat dhe feminizmi, te mesazhet publike dhe lufta kundër gjuhës së urrejtjes, këto iniciativa kanë një pikë të përbashkët: nuk e pranojnë ndarjen si diçka të natyrshme. Ato nisen nga ideja se një problem i përbashkët kërkon edhe përgjigje të përbashkët.
Kjo logjikë është në qendër edhe të punës së portalit Mollëkuqja.mk, i cili është i vetmi portal që shkruan për çështje gjinore në tri gjuhë në Maqedoninë e Veriut, në shqip, maqedonisht dhe anglisht, dhe përmes gazetarisë, aktivizmit dhe edukimit përpiqet t’i afrojë temat e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut me komunitete të ndryshme.
“Kur një problem prek të gjithë, nuk ka kuptim që edhe zgjidhja të ndahet sipas etnisë apo gjuhës. Pikërisht për këtë arsye Mollëkuqja funksionon në tri gjuhë, që një temë të mos mbetet brenda një komuniteti, por të bëhet pjesë e bisedave të përbashkëta. Aktivizmi i të rinjve ka vlerë pikërisht kur arrin të krijojë ura aty ku politika, institucionet apo paragjykimet kanë ndërtuar mure. Nëse duam shoqëri më të barabartë, duhet të mësojmë të luftojmë së bashku për problemet që na prekin të gjithëve”, thotë kryeredaktori i Mollëkuqja.mk, Ardit Ramadani.
Kujtojmë se kohët e fundit Qendra për Arte Bashkëkohore në Shkup, përmes Shoqatës për Avancimin e Praktikave Gazetareske “Media Inovative”, ka zhvilluar një sërë aksionesh kreative dhe artistike kundër gjuhës së urrejtjes. Aktivistë, artistë dhe organizata qytetare e kanë nxjerrë këtë problem nga hapësira virtuale dhe e kanë bërë të dukshëm në rrugë. Përmes instalacioneve, mesazheve dhe intervenimeve, qytetarëve u është kërkuar të mendojnë për pasojat e fjalëve që përdorin dhe për mënyrën se si gjuha e urrejtjes shndërrohet në diskriminim dhe dhunë.



