Komuniteti LGBT+ në RMV nuk është i sigurt as online, ndërsa përkundër ekzistimit të ligjeve, ato s’zbatohen

Gjuhë homofobike në rrjetet sociale, diskriminim në punësim dhe zbatim i pamjaftueshëm i ligjeve. Këto janë disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen çdo ditë pjestarët komunitetit LGBTI+ në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat tregojnë se problemi është veçanërisht i pranishëm në hapësirën online, ndërsa institucionet ende kanë vështirësi në reagimin adekuat ndaj rasteve.

Platforma “Govor na omraza” tregon se gjuha e urrejtjes vazhdon edhe gjatë vitit 2026, me 15 raste të regjistruara deri në qershor, përfshirë raste të lidhura me njoftimin për Paradën e Krenarisë. Vetëm gjatë vitit 2025 u evidentuan 76 raste të gjuhës së urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, ndërsa që nga viti 2012 numri i përgjithshëm arrin në 1.066 raste.

Në anën tjetër, të dhënat e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) tregojnë se gjatë vitit 2025 janë trajtuar gjithsej 559 lëndë për mbrojtje nga diskriminimi. Në 10% të ankesave baza e raportuar ka qenë gjinia, ndërsa në 8% identiteti gjinor. Nga 559 lëndë, në 56 raste Komisioni ka konstatuar diskriminim.

Gjatë të njëjtit vit, në KPMD kanë arritur 35 ankesa në bazë të gjinisë dhe tri ankesa në bazë të identitetit gjinor. Gratë kanë raportuar më shpesh diskriminim në bazë të gjinisë dhe identitetit gjinor.

Komisioni ka konstatuar edhe diskriminim të drejtpërdrejtë në bazë të gjinisë dhe identitetit gjinor në fushën e qasjes në punësim, duke treguar se diskriminimi nuk kufizohet vetëm në hapësirën publike dhe online, por prek edhe të drejtat në tregun e punës.

Gjuha e urrejtjes, siç përbën krim në Kodit Penal, trajtohet gjithashtu edhe në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku neni 10 i këtij ligji e përkufizon ngacmimin si çdo sjellje të padëshiruar ndaj një individi ose grupi, e bazuar në baza diskriminuese, me qëllim ose efekt të cenimit të dinjitetit ose krijimit të një mjedisi kërcënues, armiqësor, poshtërues apo frikësues.

Megjithatë, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk i trajton këto raste përmes procedurave penale. Vendimet dhe rekomandimet e tij, ndonëse me rëndësi, nuk janë juridikisht detyruese. Nëse kryerësi nuk e zbaton një rekomandim, mund të iniciohet procedurë kundërvajtëse.

KPMD në gjykatë si ‘mik i gjykatës’

Gjatë vitit 2025, KPMD ka përdorur gjithashtu kompetencat përmes pjesëmarrjes në procedura gjyqësore si ‘amicus curiae’ apo mik i gjykatës. Komisioni ka parashtruar tri kërkesa në Gjykatën Themelore Civile në Shkup në lëndë që lidhen me diskriminimin në bazë të përkatësisë politike, orientimit seksual, identitetit gjinor dhe përkatësisë në një grup të margjinalizuar. Njëra prej tyre lidhet me rastin Shoqatës Queer Center Shkup.

Në këtë mënyrë, rastet individuale të diskriminimit ndaj komunitetit LGBT+ po marrin edhe dimension gjyqësor, megjithëse aktivistët vazhdojnë të paralajmërojnë për hendekun mes mbrojtjes së paraparë në ligj dhe zbatimit të saj.

Ligjet ekzistojnë, por zbatimi çalon

Korniza ligjore në Maqedoninë e Veriut që trajton diskriminimin dhe krimet e urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor është në masë të madhe e harmonizuar me standardet evropiane. Megjithatë, problemi mbetet zbatimi i saj në praktikë.

Lila Miliq, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT+, e sheh zbatimin institucional si një nga problemet kryesore.

“Rrastet e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës shpesh nuk njihen dhe nuk procedohen siç duhet nga institucionet”, thotë ajo.

Ajo tregon se ka edhe hendek serioz ndërmjet kornizës ligjore ekzistuese dhe zbatimit të saj në praktikë.

“Problemi nuk qëndron vetëm te ligjet, por edhe te mungesa e vullnetit politik, kapaciteteve institucionale dhe një qasjeje proaktive”, tha Miliq.

Gjuhë e urrejtjes kryesisht në rrjetet sociale

Sipas Komitetit të Helsinkit, pjesa më e madhe e rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës shqetësuese ndodh në rrjetet sociale, kryesisht përmes komenteve dhe postimeve në profile personale.

“Vetëm përmes platformave të dokumentimit u regjistruan 230 raste të raportuara të gjuhës së urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Pjesa më e madhe e rasteve ndodhën në rrjetet sociale, ku u vu re përhapje e theksuar e gjuhës homofobike dhe transfobike”, thekson raporti i Komitetit të Helsinkit për vitin e kaluar.

Këto shifra vijnë nga mekanizma të ndryshëm të dokumentimit, ndaj nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme me 76 rastet e evidentuara nga platforma ‘Govor na omraza’. Megjithatë, të dyja të dhënat tregojnë për një problem të vazhdueshëm të gjuhës së urrejtjes ndaj personave LGBT+.

RMV në fund të Evropës për të drejtat LGBT+

Problemet me diskriminimin, gjuhën e urrejtjes dhe zbatimin e të drejtave reflektohen edhe në vlerësimet ndërkombëtare. Sipas ILGA-Europe, Maqedonia e Veriut është ndër vendet me rezultatet më të ulëta në Evropë sa i përket pozitës ligjore dhe politike të personave LGBT+. Në raportin e tyre, vendi ka marrë 29,26% dhe është renditur në vendin 31 nga 49 shtete. Vlerësimi përfshin fusha si barazia dhe mosdiskriminimi, gjuha e urrejtjes, njohja ligjore e gjinisë dhe hapësira për shoqërinë civile.

Këto probleme janë theksuar edhe në raporte të ndryshme ndërkommbëtare, të cilat ju kanë bërë thirrje institucioneve vendase që të reagojnë.

This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.

Të tjera