Klasë. Foto: Aflo Images në Canva
Klasë. Foto: Aflo Images në Canva

Ekspertët, klerikët apo publiku: kush vendos nëse fëmijët duhet të mësojnë të mbrohen nga abuzimi në Maqedoninë e Veriut?

26 vajza nën moshën 15 vjeçe janë bërë nëna në 2 vitet e fundit. UNICEF zbuloi se rreth 12 mijë fëmijë janë ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual brenda një viti. 11 raste të reja me HIV u regjistruan vetëm brenda muajit korrik. Krejt këto në Maqedoninë e Veriut. 

Të dhënat e lartpërmendura jo vetëm që nuk alarmuan institucionet shtetërore, por vetëm pak javë më pas vendosën ta tërheqin nga shkollat një nga mjetet e vetme institucionale që mund të ndikonte në parandalimin e tyre.

“Edukim seksual gjithëpërfshirës nuk ka dhe nuk do të ketë.” kishte deklaruar ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Tërheqja e lëndës erdhi vetëm disa ditë pasi Episkopi Jakov ia kërkoi me letër të hapur ministres Janevska. Në një shtet laik, ministrja dëgjoi një prift pa asnjë ekspertizë arsimore dhe i shpërfilli 11 shoqata profesionale, që në vitin 2022 kërkuan zgjerimin e lëndës

Ministre Janevska, tërhiqeni këtë program të indoktrinimit ideologjik të rinisë sonë” kishte deklaruar mes tjerash episkopi Jakov. 

Ministrja kundërshtoi edhe interesin e më shumë se 300 nxënësve të cilët vullnetarisht kishin zgjedhur të ndjekin lëndën për edukim seksual gjithëpërfshirës. Mollëkuqja nga bisedat në terren mëson se interesi i nxënësve për këtë vetëm vinte duke u rritur. 

Ajo megjithatë u shfaq deri diku e “penduar” vetëm pak ditë pasi vendosi të tërheqë këtë lëndë pa u konsultuar me ekspertë. Më 17 shtator, Janevska kishte deklaruar se e ka lexuar vetë programin për edukim seksual dhe se nuk sheh asgjë problematike në të. 

“Morali dhe etika nuk janë në kundërshtim me dijen që fëmijët duhet ta kenë për një zhvillim të shëndetshëm. Prandaj i kërkova Byrosë për Zhvillimin e Arsimit ta tërheqë programin, atë që është kontestuar. Personalisht e kam lexuar dhe nuk shoh asgjë problematike në të, por i kërkova Byrosë të bëjë një rishikim profesional bashkë me ekspertë nga Maqedonia, që ta shqyrtojnë edhe një herë programin dhe të japin mendimin e tyre, në mënyrë që ta kthejmë sërish programin” kishte deklaruar Janevska. 

Ekspertët për Mollëkuqja: Nga keq, në më keq

Blerina Qamili është mjeke. Ajo theksoi faktin që institucionet shtetërore në Maqedoninë e V. ende ngurojnë të flasin hapur për edukimin gjithëpërfshirës seksual. 

Blerina Qamili, foto nga arkivi i saj privat
Blerina Qamili, foto nga arkivi i saj privat

Qamili shtoi se vendi s’i jep edukimit seksual rëndësinë e nevojshme. 

“Në sistemin arsimor, mungon një program i strukturuar dhe i qëndrueshëm i edukimit seksual. Temat që lidhen me shëndetin seksual përmenden vetëm sipërfaqësisht ose në mënyrë teorike, pa informacion praktik dhe pa hapësirë për pyetje. Kjo i lë të rinjtë të informohen nga burime jo të besueshme ose nga bashkëmoshatarët, gjë që rrit keqinformimin dhe rrezikun shëndetësor”, tha mjekja Blerina Qamili. 

Sheruze Osmani Ballazhi është psikologe dhe ligjëruese në Universitetin e Tetovës. Ajo i tha gazetarit të Mollëkuqja se vendimi për ndërprerje të edukimit gjithëpërfshirës seksual mund të ndikojë në zhvillimin psikologjik të të rinjve. 

Sheruze Osmani Ballazhi
Sheruze Osmani Ballazhi

Osmani Ballazhi shtoi se mungesa e njohurive që i ofron kjo lëndë si ndryshimet që ndodhin gjatë pubertetit, ndikimin e mediave në krijimin e idealeve të rreme të pamjes fizike, pasojat e aktivitetit të hershëm seksual dhe të tjera; i bëjnë fëmijët të pambrojtur. 

“Mungesa e këtyre njohurive çon në konfuzion, ankth, turp dhe vetëvlerësim të ulët. Për më tepër, mungesa e edukimit seksual çon në vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme ndërpersonale, për shkak se të rinjtë nuk zhvillojnë aftësi për të komunikuar ndjenjat, për të vendosur kufij personalë dhe për të njohur marrëdhëniet abuzive.” tha psikologia Sheruze Osmani Ballazhi.

Të dhënat nga studimi Health and behavior of school aged children të vitit 2022 në tregojnë se 30% e të rinjve 15 vjeçar në Maqedoninë e Veriut janë seksualisht aktivë. Kjo përqindje është më e lartë krahasuar me shtete të Evropës perëndimore si Danimarka (22%) e Gjermania (19%)  të cilat në kurrikulat e tyre kanë të përfshirë edukimin seksual.

Organizatat qytetare: Janevska hoqi të vetmin mjet sistemik parandalues

HERA ka qenë ndër organizatat më të zëshme kundër vendimit për heqje të edukimit gjithëpërfshirës seksual nga kurrikulat shkollore. Ata kumtuan të dhëna të frikshme statistikore vetëm pak orë pas vendimit të ministres Janevska. 

“Nëse ka diçka nga e cila duhet të kemi frikë, ajo nuk është ESH-ja, por rastet gjithnjë e më të shpeshta të ngacmimit, dhunës seksuale, keqtrajtimit dhe përdhunimit mes të rinjve, të kryera nga të mitur, si në shkolla ashtu edhe në hapësira publike. Duhet të na shqetësojë që deri në 10% e fëmijëve të moshës 12 deri 17 vjeç në Maqedoninë e Veriut, pra gati 12.000 fëmijë, janë ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual me ndihmën e teknologjisë brenda vetëm një viti.” thanë nga Asociacioni për Edukim dhe Kërkim, HERA. 

Sipas HERA, shteti s’duhet të shohë edukimin gjithëpërfshirës seksual si kërcënim për fëmijët; por përkundrazi, si lëndë që do t’i mësonte ata kur dhe ku vendosen kufijtë.

“Ky është realiteti me të cilin jetojnë të rinjtë, dhe tërheqja e ESH-së do të thotë tërheqje e njërit prej mjeteve të pakta sistemike që mund t’i ndihmojë ata të njohin rrezikun, të vënë kufij, të thonë “jo”, të kërkojnë ndihmë dhe të mbrohen. ESH-ja nuk është kërcënim për fëmijët, por përgjigje sistemike ndaj kërcënimeve me të cilat ata tashmë përballen: dhuna seksuale dhe ndërmjet moshatarëve, shantazhi, ndarja e fotografive intime pa pëlqim, marrëdhëniet toksike, shtatzënitë e paplanifikuara, parandalimi i HIV-it dhe dezinformatat nga interneti.” HERA 

Kujtojmë që të dhënat tregojnë se 8% e fëmijëve janë ekspozuar ndaj imazheve seksuale, 5% kanë marrë kërkesa të padëshiruara për fotografi ose video intime, 4% janë shantazhuar se përmbajtja e tyre do të shpërndahet, dhe te 3% përmbajtje të tilla janë ndarë tashmë pa lejen e tyre.

Përveç kësaj, në 78% të rasteve autori është person që fëmija e njeh, ndërsa 52% e rasteve të shfrytëzimit seksual ndodhin përmes rrjeteve sociale si Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp. Në një realitet të tillë, është tronditëse që vetëm 19% e fëmijëve të anketuar kanë deklaruar se kanë marrë ndonjë lloj edukimi seksual. 

Të dhënat për shëndetin seksual e riprodhues tregojnë se vetëm në vitin 2024 kanë lindur 588 fëmijë nga nëna të moshës 15 deri 19 vjeç, ndërsa brenda vetëm një muaji u regjistruan edhe 11 raste të reja me HIV.

Mësuesit e biologjisë anashkalojnë mësimet për trupin

Me tërheqjen e edukimit seksual gjithëpërfshirës si lëndë e veçantë zgjedhore, e vetmja lëndë ku nxënësit mund të marrin mësim bazë për trupin e tyre është biologjia. Por edhe këtu hasen probleme.

Kujtojmë artikullin e Mollëkuqja të publikuar në vitin 2022, ku vetë nxënësit dhe ish-nxënësit kishin denoncuar se mësuesit e biologjisë i kishin anashkaluar mësimet për riprodhimin njerëzor, shpesh “për shkaqe kohe”, ose i kishin mësuar vetëm pjesërisht. 

Asokohe, psikologia Vala Adili e cilësoi këtë si problem të vetë mësuesit dhe jo të nxënësve: sipas saj, ata “i ikin sikletit të vet duke mos e zhvilluar temën”. Profesoresha e biologjisë Njomza Shaqiri pranoi se dukuria ekziston te gjeneratat më të vjetra të mësuesve, si pasojë e tabuve.

Rikujtojmë që pilot-programi për këtë në Maqedoninë e Veriut e mori dritën jeshile në vitin 2019 ndërsa u zbatua si pilot-program gjatë vitit 2021 në vetëm tre shkolla në vend, edhe atë në Shkup dhe në Tetovë. Në një nga shkollat u anulua për shkak të presionit nga prindërit.

Ndryshe, edukimi seksual ofrohet në Holandë, Suedi, Finlandë, Zvicër, Norvegji, Austri, Estoni, Portugali, Belgjikë, Irlandë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Në Shqipëri, EGJS është futur që nga viti 2012 në shkollat fillore dhe të mesme. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, programi EGJS është zbatuar si program zgjedhor në disa kantone për disa vite.

This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.

Të tjera