Vullneti që i mbijeton vdekjes

Sot, në një bisedë me një koleg profesor, më tregoi se kishte dëgjuar se një grua kishte lindur fëmijë pas vdekjes së burrit të saj, pra se ishte ngjizur dhe kishte lindur pasi babai nuk ishte më gjallë. E tregonte me një skepticizëm të dukshëm, sikur po fliste për një legjendë shumë bashkëkohore, i bindur se një gjë e tillë “nuk mund të ndodhë tek ne.” E dëgjova me vëmendje dhe i thashë atë çka pak njerëz e dinë: jo vetëm që mund të ndodhë, por është plotësisht e ligjshme që nga viti 2008. Maqedonia e Veriut e ka të rregulluar këtë me ligj prej gati dy dekadash. Madje, kur një studenja ime, gjatë hulimtimit të saj për temën e masterit, ka konsulluar noter dhe gjykatës se si do të vepronin që një fëmijë i ngjizur dhe lindur postmortum do të ju drejtoheshte për të kërkuar të drejtat trashëgimore- përgjigja e të gjithë të intervistuarve ka qenë se një gjë e tillë nuk është e mundur tek ne.

Kjo bisedë e shkurtër më bindi për diçka: nëse edhe një jurist me përvojë mund të mos e dijë se një ligj i tillë ekziston, atëherë publiku i gjerë si dhe vetë familjet që mund të gjenden një ditë në këtë situatë janë edhe më pak të informuara.

Çfarë thotë ligji?

Sipas Nenit 33 të Ligjit për Fekondim të Asistuar Biomjekësor, nëse një burrë, para se të vdesë, e ka lënë me shkrim pëlqimin që bashkëshortja/partnerja m e tij të përdorë spermën e tij të ngrirë, ajo mund të bëhet nënë e fëmijës së tij edhe pas vdekjes së tij,  brenda një viti nga dita kur ai ka ndërruar jetë. Mbase materialin gjenetik mund ta vendos në ngrirje edhe gruaja, por tek ne burri nuk mund ta përdor qelizën e saj vezë pas vdekjes së saj sepse i duhet një grua surrogate, e tek ne grua surrogate mund të angazhojnë vetëm bashkëshortët martesorë, jo edhe personat e vetëm mbase jo edhe partnerët jashtëmartesorë. Por kjo temë në vete që detyrimisht na hapin zbrazëtirat ligjore dhe kontradiktat juridike. 

Maqedonia e Veriut është ndër të paktat vende në Evropë që e lejon shprehimisht këtë mënyrë të themelimit të prindërisë me ligj. Shumica e shteteve evropiane: Franca, Gjermania, Suedi,  e ndalojnë kategorikisht. Ne jemi treguar shumë më liberal në aspektin e të drejtave riprodhuese.

Por fakti që ligji e lejon nuk do të thotë se ligji e ka menduar deri në fund. Dhe këtu fillojnë problemet.

Cilat janë motivet për këtë vendim?

Meqë jemi mësuar të gjykojmë për gjëra shumë ma banale, atëherë gjykimin për në vendim të këtillë e kemi më se të aryeshëm :): Pse dikush do të merrte një vendim kaq të vështirë? Motivet, në fakt, janë disa dhe të gjitha njerëzore deri në thelb.

Më së shpeshti, një burrë i sëmurë rëndë e ngrin spermën e tij në një institucion të autorizuar para se të fillojë trajtimin, dhe pas vdekjes së tij, bashkëshortja e përdor atë si shprehje e dashurisë së thellë dhe e dëshirës për të pasur pasardhës prej tij. Në raste më të rralla, janë vetë prindërit e të ndjerit ata që kërkojnë ngrirjen e spermës- jo për fëmijë, por për një nip apo mbesë nga djali i tyre i vdekur. Ka edhe çifte që e ngrijnë materialin riprodhues thjesht si masë paraprake, pa planifikuar fëmijë në të ardhmen e afërt, por duke mos dashur të rrezikojnë sterilitetin që vjen me disa sëmundje apo me kalimin e viteve.

Ekziston, sigurisht, edhe një motiv më pragmatik,  e ndonjëherë i diskutueshëm: mundësia që fëmija i lindur kështu të bëhet trashëgimtar i pasurisë së babait, ose përfitues i ndihmës sociale që i takon si i tillë.

Pyetja që mbetet e hapur, dhe për të cilën juristët  ende debatojnë, është nëse këto nevoja për të pasur një fëmijë pas vdekjes së njërit prind kanë justifikim të mjaftueshëm për t’u pranuar nga legjislacionet bashkëkohore. Apo thjeshtë NUK duhet arsyetuar MOTIVET, ajo mbetet në dëshirën e gruas për tu realizuar si prind pas vdekjes së bashkëshortit/ partnerit.

Kush kujdeset për gruan që merr këtë vendim?

Kur çifti përdor qeliza riprodhuese të dhuruara nga dikush tjetër (fekondim heterolog), ligji e detyron çiftin të kalojë nëpër këshillim juridik dhe psikologjik para se të vazhdojnë. Por te riprodhimi postuman, ku partnerët përdorin qelizat e tyre vetanake (fekondim autolog), ligji nuk e parashikon fare këtë detyrim.

Kjo është mangësi e pashpjegueshme. Një grua që merr vendimin të bëhet nënë e vetme, duke përdorur spermën e burrit të saj të vdekur, merr një nga vendimet më komplekse emocionalisht e juridikisht që mund të marrë një njeri. Ajo ka nevojë, të paktën po aq sa çdo çift tjetër që përdor fekondim të asistuar, për këshilla juridike mbi pasojat e këtij vendimi dhe për mbështetje psikologjike në një moment zie. Ligji ia mohon këtë mbështetje pikërisht në rastin kur mund të jetë më e domosdoshme.

Fëmija që ligji nuk e njeh si trashëgimtar

Ka, megjithatë, një kontradiktë edhe më të thellë- dhe kjo prek drejtpërdrejt fëmijën që lind nga ky proces.

Sipas Nenit 122 të Ligjit për Trashëgiminë, trashëgimtar mund të jetë vetëm personi që ka lindur i gjallë në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit, ose që ka qenë i ngjizur gjatë jetës së tij (rasti i njohur si nasciturus pro iam nato). Por te riprodhimi postum, fëmija,  nga vetë natyra e procesit, ngjizet pas vdekjes së babait. Rrjedhimisht, sipas Ligjit aktual për Trashlgiminë, ky fëmijë nuk mund të konsiderohet trashëgimtar fare.

Kjo do të thotë se kemi një kategori fëmijësh të cilëve ligjdhënësi, në një anë, ua lejon ekzistencën: i lejon të lindin, i regjistron, u njeh identitetin dhe, në anën tjetër, i përjashton nga trashëgimia e babait të tyre biologjik. Diskriminim bazuar vetëm e vetëm në momentin e ngjizjes, një rrethanë që fëmija natyrisht s’e ka zgjedhur vetë.

Situata bëhet edhe më e rëndë kur e vëmë në kontekst atësinën e këtyre fëmijëve: këta fëmijë lindin tashmë pa njërin prind, në familje monoprindërore (përveç rastit kur nëna martohet përsëri), pa dashurinë dhe përkujdesjen e babait. Nëse kësaj pozite tashmë të vështirë i shtojmë edhe ndalimin për të trashëguar, krijojmë një kategori fëmijësh jashtëzakonisht të diskriminuar, dyfish të penalizuar për një rrethanë që s’varet aspak prej tyre.

Përderisa ligjvënësi e lejoi dhe e rregulloi me ligj fekondimin post mortum, ai duhej ta parashikonte edhe këtë pasojë të domosdoshme: që fëmijët e lindur kështu të mund të bëhen trashëgimtarë të babait të tyre, njësoj si çdo fëmijë tjetër, martesor apo jashtëmartesor.

Zgjidhja ekziston- mungon vetëm vullneti legjislativ

Zgjidhja s’është aspak e komplikuar. Në Ligjin për Trashëgiminë duhet të futet një dispozitë e re- në thelb, një zgjerim i fiksionit juridik që tashmë ekziston për nasciturus- e cila do ta njohë të drejtën për të trashëguar edhe të fëmijëve të ngjizur pas vdekjes së babait. Ligjvënësi ka, në fakt, dy rrugë të mundshme për ta bërë këtë:

E para: të mos zhvillohet procedura e shqyrtimit të trashëgimisë nëse trashëgimlënësi ka lënë deklaratë me shkrim që e autorizon fekondimin post mortum brenda një afati të caktuar- pra, të pritet.

E dyta: të rezervohet një pjesë e masës trashëgimore posaçërisht për fëmijën që eventualisht do të lindë, ndërsa pjesa tjetër u ndahet trashëgimtarëve të tjerë menjëherë. Nëse fëmija lind brenda afatit ligjor, ai bëhet trashëgimtar i asaj pjese të rezervuar; në të kundërt, pjesa u shpërndahet trashëgimtarëve të tjerë.

Të dyja rrugët janë teknikisht të thjeshta për t’u zbatuar. Ajo çka mungon nuk është zgjidhja- është vullneti për ta miratuar.

Zgjidhja aktuale ligjore, e cila e mohon plotësisht mundësinë e trashëgimisë për këta fëmijë, është diskriminuese dhe e papranueshme në një shtet që e ka nënshkruar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës. Nevoja për trajtim të barabartë të të gjithë fëmijëve,  pavarësisht rrethanave të lindjes së tyre  dhe kujdesi për realizimin e interesave të tyre më të mira, diktojnë urgjentisht ndryshime konkrete në Ligjin për Trashëgiminë. Sa më gjatë të vonohet ky ndryshim, aq më e gjatë bëhet lista e fëmijëve që rriten nën hijen e këtij boshllëku juridik.

Ky nuk është rasti i vetëm ku ligji ynë e lë vullnetin e njeriut pezull mes jetës dhe vdekjes. Së shpejti, një projektligj i ri do të rregullojë edhe dhurimin e trupit dhe organeve për shkencë dhe hulumtime- temë për të cilën do të shkruaj në një rast tjetër.

Të tjera