8 SHTATOR | 35 vjet pavarësi, të rinjtë e partive për Mollëkuqja: duam një vend pa ndarje, etnike apo gjinore

Në një kohë kur pothuajse çdo ditë debatohet për tema etnike, të rinjtë nga partitë politike në Maqedoninë e Veriut kërkojnë një qasje ndryshe. Ata thonë se politika nuk duhet t’i përdorë dallimet, qofshin etnike apo gjinore, për ndarje apo pikë politike, por të ndërtojë ura mes komuniteteve dhe të fokusohet te problemet që i prekin të gjithë.

E veçantë është se pikërisht te ky brez, ndryshe nga gjeneratat e mëparshme, po vërehet një ekuilibër më i madh gjinor mes kandidatëve, por ky mbetet përmirësim vetëm në letër. Sapo kalohet nga lista e kandidatëve te postet reale vendimmarrëse, gratë vazhdojnë të jenë dukshëm më pak të pranishme, në Kuvend, në qeveri dhe në poste drejtuese në përgjithësi.

Të rinjtë nga partitë politike, në një vox-pop për Mollëkuqja, njëzëri përcollën mesazhin se bashkëjetesa duhet të jetë pjesë e përditshmërisë, ndërsa dallimet, qofshin etnike, gjinore apo të tjera, të shihen si pasuri dhe jo si pengesë.

BDI, “Të ndërtojmë ura dhe jo mure”

Art Zylbehari nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thotë se të rinjtë duhet të jenë gjenerata që i tejkalon ndarjet dhe ndërton ura mes komuniteteve dhe jo mure.

Për Zylbeharin, një prej themeleve të bashkëjetesës është Marrëveshja Kornizë e Ohrit, të cilën ai e sheh si garanci për të gjitha komunitetet.

“Duhet ta kuptojmë se Marrëveshja e Ohrit, nuk është vetëm çështje e shqiptarëve apo e maqedonasve. Ajo kornize është garanci për të gjithë komunitetet që jetojnë në këtë shtet”, thotë Zylbehari.

“Çdo tentativë për ta degraduar apo mosrespektuar frymën e saj sjell pasoja. Ajo rrit mosbesimin dhe mund të thellojë ndarjet etnike, sepse aty ku mungon barazia, lindin ndarjet”.

Zylbehari paralajmëron se cenimi i frymës së saj mund të rrisë mosbesimin dhe ndarjet.

LSDM, “Bashkëjetesa nuk është vetëm mesazh politik”

Trajçe Stojçevski nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM), e sheh bashkëjetesën si vlerë themelore të shoqërisë.

“Socialdemokracia gjithmonë ka qenë ndryshe nga politika që i ndan njerëzit sipas përkatësisë etnike, fetare apo ndonjë përkatësie tjetër. Ideja jonë është një shoqëri në të cilën të gjithë kanë të drejta të barabarta, mundësi të barabarta dhe dinjitet të barabartë”, thotë Stojçevski.

Sipas tij, shqetësuese është rikthimi i politikës së ndarjeve dhe konfrontimeve etnike, në vend të fokusimit te problemet reale.

“Për fat të keq, sot shohim përpjekje për t’u rikthyer sërish politika e ndarjeve, frikës dhe konfrontimeve etnike, në vend që të flitet për problemet reale të qytetarëve.”

Stojçevski beson se gjenerata e re nuk duhet t’i përsërisë ndarjet e vjetra.

“Gjenerata jonë nuk duhet t’i trashëgojë ndarjet e vjetra dhe t’i përsërisë ato, por duhet të ketë guximin t’i tejkalojë. E ardhmja e shtetit nuk qëndron te ajo se kush do ta mundë kë në votim si bashkësi etnike, por te mënyra se si të gjithë së bashku do të ndërtojmë një shoqëri në të cilën secili do të ndihet si në shtëpinë e vet”, thotë ai.

ASh, “Bashkëjetesë dhe më shumë hapësirë për gratë”

Viola Ramadani, kryetare e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët, thotë se të rinjtë duhet të jenë ata që ndërtojnë ura mes komuniteteve.

“Besoj se të rinjtë duhet të jenë gjenerata që ndërton ura mes komuniteteve dhe e sheh bashkëjetesën si një vlerë të përditshme, e jo vetëm si një mesazh politik. Dallimet etnike nuk duhet të përdoren për të krijuar ndasi, por duhet të respektohen si pjesë e shoqërisë sonë.”

Ajo e lidh bashkëjetesën me barazinë dhe pjesëmarrjen e grave në politikë, duke kërkuar më shumë hapësirë për gratë e reja në vendimmarrje.

“Në të njëjtën kohë, për një shoqëri vërtet të barabartë duhet t’u jepet më shumë hapësirë grave, veçanërisht grave të reja, që të marrin pjesë në politikë dhe në vendimmarrje”, thotë Ramadani.

VLEN, “Politika duhet të krijojë ura, jo të përdorë dallimet”

Mixhait Jashari, VLEN, beson se e ardhmja e vendit duhet të ndërtohet mbi atë që i bashkon qytetarët dhe jo mbi ndarjet etnike.

“Unë besoj se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut nuk mund të ndërtohet mbi ndarjet etnike, por mbi atë që na bashkon. Për fat të keq, kemi parë raste kur çështjet etnike janë keqpërdorur për të krijuar frikë, për të mobilizuar vota dhe për të larguar vëmendjen nga problemet reale që prekin të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre”, tha Jashari.

Jashari thotë se të rinjtë duhet të sjellin qasje të re në politikë, duke i bashkuar qytetarët rreth problemeve të përbashkëta, punësimit, arsimit, zhvillimit dhe një të ardhmeje më të mirë.

“Politika nuk duhet të përdorë dallimet për të fituar vota, por të krijojë ura mes komuniteteve. Besoj se gjenerata jonë mund ta bëjë këtë ndryshim dhe ta dëshmojë se diversiteti është forcë, jo pengesë.”

VMRO-DPMNE, “Ajo që na bashkon është më e fuqishme”

Todor Koneski nga VMRO-DPMNE, thotë se edhe për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut duhet të flitet si për një të ardhme të përbashkët për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

“Politika nuk duhet t’i ndajë qytetarët dhe t’i përdorë çështjet etnike për qëllime të politikës ditore, por duhet të ndërtojë besim, mundësi të barabarta dhe institucione të fuqishme që do t’u shërbejnë të gjithëve në mënyrë të barabartë”, thotë Koneski.

Koneski e lidh këtë edhe me largimin e të rinjve nga vendi, duke thënë se ky është një problem që prek të gjithë, pavarësisht përkatësisë.

“Rezultatin e shohim të gjithë: të rinjtë, edhe „tanët“ edhe „tuajt“, ata nga lindja dhe perëndimi, veriu dhe jugu, e braktisën Maqedoninë duke kërkuar një jetë më të mirë dhe më shumë mundësi.”

Sipas tij, pikërisht këto probleme duhet të jenë në qendër të politikës.

“Sot, pyetja që duhet të na bashkojë është se si të krijojmë një jetë më të mirë, më shumë mundësi dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë, dhe kjo është beteja jonë dhe beteja ime”, tha ai.

Pjesëmarrje e ulët e të rinjve në vendimmarrje

Në deklaratat e tyre, të rinjtë nga partitë politike vënë në qendër një ide të përbashkët se bashkëjetesa nuk ndërtohet vetëm me deklarata, por me barazi, komunikim dhe mundësi të njëjta.

Në një shoqëri ku temat etnike vazhdojnë të jenë pjesë e debatit të përditshëm, ata thonë se gjenerata e re duhet të zgjedhë urat para mureve dhe problemet e përbashkëta para ndarjeve.

Megjithatë, fuqia reale e të rinjve në vendimmarrje në vend lë shumë për të dëshiruar, sepse ata shpesh përdoren për fushata politike, por kur vjen koha e ‘ndarjes së kulaçit (pozitave)’ ata shpesh ngelen duar thatë.

Të rinjtë mbeten grup i cenueshëm me përfshirje minimale në vendimmarrje si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

Ligji për të rinjtë çalon në praktikë

Analiza e Këshillit Kombëtar të Rinisë ka treguar se Ligji për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore tregon se ka ngecur në praktikë.

Hulumtimi tregon se komunat, edhe pse i kanë tejkaluar afatet e përcaktuara me ligj, nuk janë shumë të interesuara t’u ofrojnë të rinjve shërbime dhe hapësira ku ata mund të mblidhen dhe të vendosin për nevojat e tyre, për kulturën, arsimin apo socializimin.

“Dështimi i implementimit të Ligjit për Pjesëmarrjen Rinore dhe Politikat Rinore, veçanërisht në nivelin e vetëqeverisjes lokale, dhe tejkalimi i çdo afati ligjor reflektohen drejtpërdrejt në mungesën e hapësirave ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme mund të afrohen dhe të ndërtojnë ura komunikimi”, tha politologu Naim Iljazi.

Ndryshe, Ligji për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore u miratua në janar 2020 nga Kuvendi i RMV-së, si zgjidhja e parë ligjore që garanton pjesëmarrjen e të rinjve dhe njeh të rinjtë.

Lexo edhe këto:

Të tjera