Foto: Canva
Foto: Canva

Vox-pop i Mollëkuqja: Gjenerata Z në Maqedoni po i ndryshon rregullat, urrejtjes s’i ka mbetur vend

Gjenerata Z, ose grupi i njerëzve të lindur midis viteve 1997 dhe 2012 në Maqedoninë e V. po e sfidojnë mentalitetin që krijon ndasi mes komuniteteve të përkatësive të ndryshme etnike, këtë e tregon vox-popi i Mollëkuqja me të rinj të etnive të ndryshme. Studimet megjithatë thonë se kjo grupmoshë i ka mendimet e ndara për barazinë gjinore. 

Të rinj nga përkatësi të ndryshme etnike jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Përkundër që përballen me të njëjtat probleme, ndërsa vite me radhë është vërejtur një prirje shoqërimi kryesisht brenda së njëjtës përkatësi etnike. 

Gjenerata Z po e thyen këtë model

Mollëkuqja realizoi një vox-pop me të rinj të përkatësive të ndryshme etnike që jetojnë dhe veprojnë në vend. Të gjithë pa përjashtim u shprehën se etnia nuk duhet të jetë pengesë për miqësi apo bashkëpunim.

Ardian Ramadani jeton në Tetovë, qytet ku bashkëjetojnë prej vitesh komunitete të përkatësive të ndryshme etnike, shqiptarë, maqedonas, turq e të tjerë.

“Janë krijuar shumë paragjykime për etnitë tjera ndërmjet etnive, që nuk më pëlqen dhe mundohem ta luftoj dita-ditës. Duhet shumë më tepër t’u jepet hapësirë të rinjve që të fillojnë projekte të ndërsjella dhe ta thyejnë atë murin, sepse problemet tona të përbashkëta janë shumë më të mëdha sesa ndasitë e përkatësive etnike që i kemi“, u përgjigj Ramadani. 

Ramadani shtoi se ndërvite janë rritur “të ndarë, sikur në sisteme paralele”. Studimet thonë se mungesa e kontaktit të drejtpërdrejt ushqen stereotipet dhe ka rrezik të zhvillojë paragjykime dhe urrejtje të paarsyeshme.

Kristijan Stefanovski jeton në Shkup. Kryeqyteti i vendit ku gjithashtu bashkëjetojnë komunitete të përkatësive të ndryshme etnike. Ai megjithatë shoqërohet me të rinj të etnive të ndryshme, thotë se kultura e ndarjes ushqehet nga disa faktorë. 

“Sigurisht, ky izolim mbështetet dhe ruhet nga një rrjet i tërë faktorësh, duke filluar nga familja, përmes sistemit arsimor, e deri te institucionet shtetërore”, tha Stefanovski.

“Shkëmbimet rinore, aksionet vullnetare dhe ngjarjet kulturore janë veçanërisht të rëndësishme në këtë aspekt, pasi u mundësojnë të rinjve të ndërtojnë marrëdhënie mbi bazën e interesave dhe përvojave të përbashkëta. Megjithatë, konsideroj se, përveç organizatave të shoqërisë civile, është i domosdoshëm përfshirja edhe e institucioneve arsimore dhe shtetërore, me qëllim krijimin e rrjeteve të vazhdueshme, në vend të takimeve të njëhershme dhe formale”, shtoi ai.

Angela Boshkoska, studente dhe shkrimtare nga Tetova, tregon se ka parë me sytë e saj se si mund të duket bashkëjetesa reale. Ajo përmend një kafene rok në Tetovë, që sot nuk ekziston më, si vendin ku etnia thjesht nuk ishte pjesë e bisedës.

“Në këtë drejtim do të veçoja bashkëjetesën e natyrshme që u krijua në një kafene rok në Tetovë, e cila, për fat të keq, tashmë nuk ekziston. Aty shoqëroheshim të gjithë, dhe kur them të gjithë, dua të them se askush nuk e pyeste askënd se çfarë kombësie, etnie apo feje ishte. Përkundrazi, bisedonim për diçka që të gjithë e donim, muzikën rok”, tha Boshkoska.

Sipas saj, në një shtet që vazhdimisht tregon sa pak kujdeset për të rinjtë, e vetmja rrugë që na mbetet është të priremi natyrshëm drejt gjërave që na bashkojnë dhe t’i injorojmë ndarjet që politika e përditshme vazhdimisht përpiqet t’na i imponojë.

Yllza Sulejmani dhe Amra Osmani, të dyja nga Tetova, zgjidhjen e shohin te aktivitetet e përbashkëta dhe bashkëpunimit mes të rinjve të përkatësive të ndryshme etnike. 

“Mendoj se nuk është problem shumë i rëndë i cili nuk mund të zgjidhet. Ne duhet të bashkëpunojmë me etnitë e tjera, sepse kjo është vlerë shumë e mirë, sepse jemi vend multikulturor“, tha Yllza

“Te të rinjtë nuk realizohen iniciativa të përbashkëta me etni të ndryshme. Kjo bën që paragjykimet të shpeshtohen dhe të rinjtë të mos e njohin njëri-tjetrin“, tha Amra

M.V është maqedone nga Gjevgjelia, një qytet i cili, për dallim nga shumica e qyteteve të tjera të vendit, ka një popullsi pothuajse tërësisht homogjene etnikisht. Kur u shpërngul në Shkup, në moshën 22-vjeçare, ajo e pa nga afër sa të ndarë janë në të vërtetë të rinjtë në vend sipas përkatësisë etnike.

“E kuptoj se fakti që ne, si të rinj, nuk jemi mjaftueshëm të bashkuar, deri në një masë nuk është as faji ynë. Që nga mosha më e vogël rritemi në mjedise të ndryshme, në shkolla të ndara apo edhe në ndërrime të ndryshme shkollore. Nuk mund të presësh që të rinjtë të ndihen si një komunitet nëse që nga shkolla fillore nuk kanë mundësi të luajnë së bashku gjatë pushimit të madh dhe të krijojnë miqësi”, tha ajo. 

“Pa kontakt, është e vështirë të thyhen stereotipat. Prandaj mendoj se, nëse duam bashkëjetesë të vërtetë, duhet të fillojmë nga arsimi. Nuk mjafton që fëmijët të mësojnë mësime për tolerancën nëse në praktikë nuk kanë mundësi të njihen me njëri-tjetrin. Nevojiten më shumë aktivitete të përbashkëta, projekte të përbashkëta, ngjarje sportive dhe kulturore, si dhe iniciativa studentore ku të rinjtë do të punojnë së bashku dhe do të njihen natyrshëm”, shtoi ajo. 

Luisa Residi nga Tetova thotë se shoqërimi ndëretnik ndodh kryesisht në universitete, dhe se nevojiten hapësira të tjera të përbashkëta.

“Shoqërohen, mirëpo në universitete më së shumti. Duhet të krijohen ambiente të tjera, siç ishte, për shembull, Vera Kulturore, ku takoheshin të rinjtë shqiptarë, maqedonas, turq, ambiente të tilla të cilat do të ishin më argëtuese“, tha ajo.

Studim: Gjenerata Z, më e ndarë se çdo brez tjetër për barazinë gjinore

Sipas një studimi të ri të King’s College London, realizuar nga Ipsos UK në bashkëpunim me Global Institute for Women’s Leadership, gjenerata Z rezulton të jetë brezi më i ndarë sipas gjinisë kur bëhet fjalë për feminizmin, rolet gjinore dhe të drejtat e grave.

Studimi tregon se përkundër perceptimit të përgjithshëm se brezat e rinj janë uniformisht mbështetës të barazisë gjinore, në realitet mendimet e të rinjve dhe të rejave shpesh divergjojnë ndjeshëm mbi këto çështje.

Sipas rezultateve, 53% e vajzave të Gjeneratës Z e përcaktojnë veten si feministe, ndërsa vetëm 32% e djemve të së njëjtës gjeneratë mendojnë të njëjtën gjë për veten, një diferencë prej 21 pikësh përqindjeje, më e madhja e regjistruar mes çdo brezi tjetër të përfshirë në studim.

Studimi vë në pah edhe se, ndonëse Gjenerata Z percepton më pak tension mes grupeve shoqërore krahasuar me çështje si pasuria apo klasa, të rinjtë e këtij brezi janë më të prirur se brezat më të vjetër të ndiejnë tension mes gjinive në vendin e tyre, me variacione të mëdha nga një shtet në tjetrin.

Ndarjet e përshkruara nga të rinjtë e intervistuar nuk janë vetëm përshtypje subjektive, ato pasqyrohen edhe në të dhënat zyrtare. Sipas Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë dorëzuar 208 parashtresa për diskriminim, ndërsa një në katër prej tyre ka qenë mbi bazë etnike ose kombëtare.

Të tjera