Në nëntor të vitit 2020, një grua nga Tetova, 57 vjeçare aso kohe, vuri re se diçka po ndryshonte në gjirin e saj të majtë. Nuk ishte ndonjë shqetësim që mund ta largonte me mendimin se ndoshta do të kalonte vetë. Me kalimin e ditëve, ajo vuri re se diçka po rritej dhe vendosi të kërkonte ndihmë mjekësore.
Shkoi në spital, me shpresën se do të kontrollohej sa më shpejt. Por përgjigjja që e mori nuk ishte ajo që e priste. Termini që iu ofrua ishte disa muaj më vonë.
Për atë që tashmë kishte dyshimin se diçka nuk ishte në rregull me trupin e saj, disa ditë ishin shumë e jo më disa muaj.
“Thashë me vete se nuk mund të pres kaq gjatë. E ndieja që diçka nuk ishte në rregull dhe nuk doja të humbisja kohë. Nuk e dija çfarë ishte, por e dija që duhej ta kontrolloja sa më shpejt. Thjesht nuk isha rehat”, rrëfeu ajo për Mollëkuqja, duke kërkuar që identiteti i saj të mos bëhet publik.
Në vend që të priste, ajo caktoi termin në një klinikë private në Shkup. I kreu ekzaminimet e nevojshme dhe u kthye në shtëpi duke pritur përgjigjen.
Disa ditë më vonë, erdhi rezultati që do t’ia ndryshonte jetën. Kishte kancer të gjirit.
“Kur e mora rezultatin, ishte shumë e rëndë. Edhe pse në njëfarë mënyre e dyshoja se mund të ishte diçka serioze, kur ta dëgjosh fjalën ‘kancer’, është krejt ndryshe. Në atë moment nuk di çfarë të mendosh. Të vijnë shumë gjëra në kokë”, tregon ajo.
Përpara saj ishte operimi dhe duhej të gjente mjekun, të caktonte ndërhyrjen dhe të niste trajtimin.
Me ndihmën e familjes arritën të gjenin një mjek me përvojë, të cilit i besuan. Operimi u krye me sukses ndërsa pas disa javësh ajo nisi kimioterapinë në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup.
Nëse diagnoza ishte goditja e parë, trajtimi ishte tjetër betejë.
Kimioterapia nuk ishte vetëm përballje me efektet e sëmundjes dhe të barnave. Ishte edhe përballje me kaosin në klinikë ku pacientët mblidhen në numër të madh dhe ku dita e trajtimit mund të zgjasë me orë.
Ajo kujton mëngjeset kur duhej të nisej herët nga Tetova për në Shkup. Pritja fillonte para se të fillonte vetë terapia. Korridoret ishin të mbushura, pacientët prisnin, ndërsa koha kalonte.
“Ka pasur raste kam shkuar herët në mëngjes dhe nuk e dija kur do dal. Pritje me orë. Je aty për të marrë terapi, je e lodhur, nuk je mirë, ndërsa duhet të presësh. Edhe vetëm ajo atmosferë të lodh shumë, pastaj ke edhe komplikime, lodhje fizike”, rrëfen ajo.
Megjithatë, ajo thotë se në ato momente të vështira, forcën e ka gjetur te familja, që siç thotë prania dhe mbështetja e tyre emocionale i kanë dhënë forcë për ta kaluar trajtimin, edhe atëherë kur kimioterapia filloi të linte gjurmët e veta.
Një prej momenteve që e kujton veçanërisht është humbja e flokëve.
“Edhe kjo ishte e rëndë. Kur filluan të më binin flokët, e ndjeva shumë. Por në fund e thua se kjo është përkohshme. Flokët do të rriten përsëri. Më e rëndësishme ishte të shërohesha. Duhej të mendoja për jetën”, thotë ajo.
Kështu, hap pas hapi, kimioterapia përfundoi. Por për të, përfundimi i trajtimit nuk nënkuptonte se mund ta harronte sëmundjen.
Pas kimioterapive nisën kontrollet e rregullta. Tashmë ajo nuk shkonte në Klinikën e Onkologjisë për të marrë terapi, por për të kontrolluar nëse gjithçka vazhdonte të ishte në rregull.
Edhe kjo pjesë e jetës së saj kërkonte organizim. Para kontrollit te mjeku duhej të kryente ekzaminimet paraprake, përfshirë edhe kontrollet e gjirit si eko dhe mamografi. Por jo gjithmonë arrinte t’i siguronte këto termine në kohën kur i duheshin në sistemin publik.
Në raste të tilla, ajo ka zgjedhur klinikat private, për të cilat ka paguar më tepër.
“Kur të duhet kontroll apo termin, nuk mund të presësh gjithmonë muaj. Sidomos kur e ke kaluar njëherë këtë sëmundje, do që t’i bësh kontrollet me kohë. Për ekon e gjirit, shumë herë kam shkuar privat, sepse në publik duhet ta presësh termin dhe ndonjëherë termini është shumë larg”, thotë ajo.
Për dikë që nuk e ka kaluar një sëmundje të tillë, pritja për termin mund të duket si problem administrativ. Për dikë që ka kaluar rrugën e kancerit, kjo pritje ka peshë më të rrëndë.
Çdo kontroll mbart pyetjen nëse sëmundja është kthyer apo jo.
Prandaj, ajo nuk dëshiron që gratë të presin derisa të ndiejnë ndonjë problem të dukshëm. Kontrolli, thotë ajo, duhet të bëhet përpara se të shfaqet ndonjë shqetësim.
“Mos prisni që diçka të rritet për të shkuar te mjeku”, tregon ajo.
Sot, ajo e vazhdon jetën normalisht. Bën kontrollet e rregullta, kujdeset për shëndetin dhe përpiqet të mos e lejojë përvojën e kaluar t’ia përcaktojë jetën.
Por ajo nuk e harron atë që ka kaluar. Pikërisht për këtë arsye, kur flet për sëmundjen, nuk dëshiron të flasë vetëm për frikën. Dëshiron të flasë edhe për rëndësinë e reagimit në kohë.
“U them grave të mos presin. Nëse vërejnë diçka, nëse ndiejnë diçka të pazakontë, le të shkojnë të kontrollohen. Edhe nëse nuk kanë asnjë shqetësim, kontrollet duhet të bëhen. Më mirë të shkosh dhe të të thonë se nuk ke asgjë, sesa të presësh dhe pastaj të pendohesh pse nuk ke shkuar më herët”, thotë ajo.
Rrëfimi i saj për Mollëkuqja vjen në kohën kur tetori rozë e vendos kancerin e gjirit në qendër të vëmendjes, por pas fushatave dhe mesazheve për ndërgjegjësim mbeten problemet e përditshme të grave që përballen me këtë sëmundje.
Në Maqedoninë e Veriut, rreth 1.000 gra janë diagnostikuar me kancer të gjirit gjatë vitit të kaluar. Në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup aktualisht trajtohen rreth 7.000 pacientë me sëmundje onkologjike. Për shumë prej tyre, trajtimi shoqërohet me pritje të gjata, mbingarkesë të klinikës dhe udhëtime nga qytete të tjera drejt Shkupit.
Edhe ajo e ka bërë këtë rrugë. Por ajo që e shqetëson sot është se gratë mund të bëjnë pjesën e tyre, të jenë të informuara, të kërkojnë ndihmë, të bëjnë kontrollet dhe të mos dorëzohen, dhe në fund përsëri të përballet me sistemin që nuk i përgjigjet gjithmonë në kohën që i duhet.
Kjo shihet edhe te skriningu. Sipas të dhënave të Revizionit Shtetëror, mbulimi i skriningut për kancerin e gjirit varion vetëm nga 0.8 deri në 5.4 përqind. Ndërkohë, rreth 80 përqind e pacientëve, sipas të dhënave të paraqitura, e fillojnë trajtimin në faza të avancuara të sëmundjes.
“Unë sot jam mirë dhe mirënjohëse për çdokë që më ka qëndruar pranë. Por nuk duhet të presim që të na ndodhë neve që ta kuptojmë sa i rëndësishëm është kontrolli. Le ta bëjnë gratë kontrollin me kohë. Le ta kontrollojnë veten, le të shkojnë te mjeku, le të mos presin që t’i thërret dikush, le të bëjnë eko dhe mamografi kur u rekomandohet. Kjo mund të shpëtojë jetë”, e përfundoi rrëfimin bashkëbiseduesja jonë.
Ajo e mundi kancerin. Por rruga deri aty i mësoi edhe diçka tjetër, në luftën kundër kancerit, pacientja krahas luftës me sëmundjen, duhet të luftojë edhe me sistemin.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.



