Vjollcë Berisha, Zëvendës Ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e ftuar në emisionin “Llafe grash” theksoi se burrat pozitën e grave në shoqëri e barazojnë vetëm me riprodhimin.
“Në ato qendrat e ndërdijes të botës mashkullore, nga pasojat e mizogjenisë, të luftës ndaj gjinisë tjetër, burrat pozitën tënde shoqërore e barazojnë vetëm me riprodhimin, dmth vlera jote shoqërore fillon dhe mbaron te riprodhimi, që deklarativisht nuk thuhet por ndjehet. Dhe kjo shpesh në të gjitha sferat e jetës e problematizon çështjen”, thekson ajo.
Edhe në politikë, sipas saj, ku ka luftëra shumë të ashpra midis individësh: burrat luftojnë brenda llojit, gratë brenda llojit, dhe pastaj të dy palët mes vete. Ata mjaft që kanë probleme mes vete, thotë ajo, dhe kur implikohen edhe gratë, atëherë më ngatërrohet hesapi.
“Unë e shoh më shumë një luftë brenda njerëzore, brenda njerëzve që kanë ambicie karriere të sëmurë ndoshta dhe përpiqen secilit të ja zënë rrugën. Pastaj aty, natyrisht, gratë janë dëmi kolateral, për shkak se ato nuk shtyhen shumë”, thekson Berisha.
Në politikë, sipas saj, ka shumë gra që duan të marrin pjesë dhe marrin pjesë, organizohen në forume grash, në forume rinore, brenda partive…por sipas Berishës tanimë ka ardhur koha të dalim nga faza e sasisë.
“Më duhet gratë e duhura në vendin e duhur”, theksoj ajo.