Alarm: Dhjetëra raste me sëmundje seksualisht të tranmestueshme çdo vit në MV, këto janë më të shpeshtat

Gonorrea, sifilizi, klamidia dhe HIV/SIDA janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme më të përhapura në Maqedoninë e Veriut. Këtë e thonë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Përmes këtij artikulli, “Mollëkuqja” sjell statistika dhe informacione se çfarë janë këto sëmundje dhe si trajtohen nga autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut.

Klamidia

Klamidia është bakter që infekton qafën e mitrës te vajzat ose uretrën (kanalin e urinës) si te vajzat ashtu edhe te djemtë. Është mikrob që parapëlqen kolonizimin e sipërfaqeve epiteliale (vaginë, rektum, fyt). Në raste më të rralla mund të infektojë edhe rektumin, fytin apo sytë. Klamidia merret përmes kontaktit seksual të pambrojtur.

Gjatë vitit të kaluar, në vend janë regjistruar 31 raste me klamidia. Numri më i lartë i rasteve është regjistruar në vitin 2013 dhe 2014.

3-1697810361.png
Gonorrea

Gonorrea infekton si gratë ashtu edhe burrat, ajo përhapet përmes kontaktit seksual. Infektohen zonat gjenitale, rektumi dhe fyti. Shkaktar është gonokoku – bakter i cili mund të rritet dhe shumohet shumë shpejt në sekrecionet dhe mukozat e vaginës, qafës së mitrës, penisit, rektumit dhe fytit. Si infeksion është relativisht i shpeshtë në veçanti te moshat 15 – 25 vjeçare.

Gjatë vitit 2022, nuk u raportua asnjë rast me gonorre në Maqedoninë e Veriut.

Në dhjetë vitet e fundit, rastet e gonorresë janë raportuar në mënyrë sporadike, numri më i madh i pacientëve është regjistruar në vitin 2020”, theksojnë nga ISHP.

1-1697810316.png
Sifilizi

Sifilizi shkaktohet nga mikrobi i quajtur treponema pallidum, transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual (vagjinal, anal apo oral) me personin e infektuar. Bakteri i sifilizit transmetohet nëpërmjet kontaktit direkt me puçrrat e Sifilizit të cilat zakonisht paraqiten në sipërfaqen e organeve gjenitale. Për shkak se këto puçra nuk janë me dhembje, shumë njerëz nuk e dinë që janë të infektuar me Sifiliz. Transmetimi i bakterit ndodh gjatë kontaktit seksual. Gratë shtatzëna mund ta përçojnë infeksionin te fetusi.

Në vitin 2022 në vend janë raportuar 22 raste me sifiliz. Në dhjetë vitet e mëparshme janë regjistruar raste individuale gjithsej 32, ndërsa numri më i madh i personave të infektuar është raportuar në vitin 2018.

Rritja e numrit të rasteve të raportuara të sifilizit në vitin 2022 ka të ngjarë të jetë për shkak të trajnimit për raportim në departamentet e sëmundjeve infektive/dermatovenerologjisë”, thonë nga IShP.

2-1697810340.png
Infeksioni HIV/SIDA

HIV është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, i cili mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar, në varësi të individit. HIV nuk është sinonim i AIDS. Një person i infektuar me virusin HIV, jo domosdoshmërisht është i sëmurë me AIDS, ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me SIDA.

HIV përhapet kryesisht nga marrëdhënie seksuale të pambrojtura anlale dhe vaginale, transfuzionet e gjakut të kontaminuar, gjilpërat hipodermike dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji.

Numri më i madh i rasteve të regjistruara me HIV/SIDA në RMV është në vitin 2019, përkatësisht 64 raste.

4-1697810381.png

Sa i përket masave të marra, ato parashikohen në Programin për Mbrojtjen e Popullsisë nga infeksioni HIV dhe në Programin Kombëtar për Shëndetin Publik”, thonë nga IShP.

Por a bëjnë autoritetet shëndetësore mjaftueshëm për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme?

Nëse jemi të sinqertë, përgjigja do të ishte jo”, kështu thonë për Mollëkuqja nga Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim “HERA”.

“Me përjashtim të HIV-it, nuk ka shërbime të disponueshme për këdo që dëshiron të testohet për ndonjë nga infeksionet seksualisht të transmetueshme në kujdesin parësor shëndetësor dhe veçanërisht për zbulimin e hershëm (skrining) në rastet asimptomatike.” shtojnë nga “HERA”.

Ata theksojnë se vitet e fundit ka tendencë rritjeje të rasteve pozitive të sifilizit dhe gonorresë – të dhëna që më vonë i regjistroi Instituti i Shëndetit Publik.

Një vit më parë, në një takim ministror të organizuar nga Zyra Rajonale e OBSH-së, u nënshkrua Strategjia për Përfundimin e IST-ve, HIV-it dhe Hepatitit Viral deri në vitin 2030. Maqedonia e Veriut është ndër vendet nënshkruese, që do të thotë se vetë vendi është angazhuar për përmirësimin e situatës. Mbetet të shihet nëse angazhimi do të mbetet vetëm në letër”, thonë nga ХЕРА.

Nga ХЕРА bëjnë të ditur se i vetmi vend ku të rinjtë që janë seksualisht aktivë mund të bëjnë teste të tilla janë qendrat rinore “Sakam da Znam” në Vodno dhe Shuto Orizar, të cilat HERA i ka menaxhuar për më shumë se një dekadë.

Shërbime të tilla miqësore për të rinjtë falas dhe të besueshme duhet të jenë kudo, jo vetëm në Shkup.

ХЕРА

Sipas tyre, ende ka stigmë rreth shëndetit seksual dhe riprodhues ndërkaq të rinjtë në RMV kanë marrëdhëniet e para seksuale më herët se bashkëmoshatarët e tyre në vendet e Evropës Perëndimore, pa informacion të mjaftueshëm. Ata theksojnë se edukimi seskual duhet të bëhet pjesë e kurrikulave në shkolla.

Pavarësisht se pati nismë për përfshirjen e edukimit seksual si lëndë në shkolla, kjo nuk është implementuar ende.

Të tjera