Personat që merren me politikë në Maqedoninë e Veriut shpesh herë kanë qenë protagonistë të shumë diskutimeve të cilat jo rrallë herë kanë arritur deri në ofendime personale. „Мollëkuqja” vazhdimisht ka ndjekur gjuhën e përdorur nga politikanët, marrë parasysh se kjo sferë është e dominuar nga burrat, deputetet gra kanë qenë viktimat më të shpeshta të retorikës së papërshtatshme dhe shpesh herë seksiste.
Megjithatë, reagimi ynë sot ka të bëje me përdorimin e gjuhës seksiste nga një grua politikane, gjegjësisht, ish-kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi kundrejt kryetarit aktual të komunës së Tetovës, Bilall Kasami dje në një emision në TV21.
(Burimi: TV21)
Teuta Arifi kishte përdorur një gjuhë seksiste e cila ushqen një stereotip të vjetër të shoqërisë sonë dhe që nuk duhej përdorur, sidomos jo nga një person publik për shkak të ndikimit që kjo e fundit mund të ketë te masa.
Si nuset kur martohen, i vjen rëndë, Jo s’më le vjehrra, jo s’mund ta bëj këtë, jo atë. Kohët e telave kanë mbaruar. Koha e nusërimit të Bilall Kasamit ka përfunduar. Është mirë ta vesh skutaçen dhe të kapet për pune, tha Teuta Arifi dje në TV21.
„Mollëkuqja” e cilëson këtë deklaratë të ish-kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi, si totalisht të papërgjegjshme, seksiste dhe të dëmshme për kauzën feministe në Maqedoninë e Veriut dhe kërkon nga ajo që të kërkojë falje për gjuhën e përdorur.
Ne konsiderojmë se kjo qasje përveç që është seksiste, gjithashtu është edhe denigruese për pozitën e grave në shoqëri, besojmë se si shoqëri duhet t’i lëmë pas traditat të cilat gratë i kanë “mveshë” me detyra specifike dhe jo t’i rikthejmë ato secilën herë që të na jepet mundësia. Pra, progres – jo, regres!
Ritheksojmë faktin se jo vetëm gratë mund të bien “pre” e gjuhës seksiste dhe patriarkatit, ky është një rast ku një burrë, gjegjësisht kryetari i komunës së Tetovës, është viktimë e kësaj gjuhe, por që, absolutisht në fund të ditës ushqehet një retorikë e cila dëmton më shumë gratë dhe rolin e tyre në shoqëri.
Ndryshe, politikanët dhe të gjitha fytyrat tjera publike duhet të jenë mjaft të kujdesshëm dhe të bartin përgjegjësi për gjuhën të cilën e përdorin gjatë fjalimeve të tyre publike dhe të jenë shumëfish më të vëmendshëm për fjalët të cilat nxjerrin nga goja, pasi gjuha seksiste bart pasoja në opinion.
„Mollëkuqja” bën thirrje që personat e përfshirë në politikë pa dallim të jenë të kujdesshëm me gjuhën të cilën e përdorin, dhe rastet e tilla të mos përsëriten më.