Ka dyshime për sulme seksuale dhe trajtim çnjerëzor të grave palestineze nga ushtria izraelite, sipas OKB-së

Ekspertë të OKB-së kanë ngritur alarmin për shkelje të të drejtave të njeriut kundër grave dhe vajzave palestineze në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të okupuara që kur Izraeli filloi sulmet më 7 tetor të vitit 2023. Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në një deklaratë kishte thënë se kanë pranuar informacione se “gratë dhe vajzat palestineze janë ekzekutuar arbitrarisht në Gaza, shpesh herë bashkë me familjarët e tyre, përfshirë edhe fëmijët”.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara thanë se ata ishin “të tronditur nga këto raportime për targetim të qëllimshëm dhe vrasjen e grave palestineze dhe fëmijëve në vendin ku ata kërkuan strehim, ose gjatë arratisjes. Disa prej tyre mbanin copa të bardha rrobash kur u vranë nga ushtria izraelite ose forcat e lidhura me to”

Ekspertët kanë shprehur shqetësime serioze për mbajtje apo ndalim arbitrar të qindra grave dhe vajzave palestineze, aktivistëve për të drejtat e njeriut, gazetarëve dhe punonjëve humanitar. Shumë prej tyre i janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues, duke ju mohuar produktet menstruale, ushqim, mjekim ndërsa një pjesë edhe janë rrahur.

Sipas një rasti më të fundit, një grua palestineze dyshohet është ndaluar dhe mbajtur në një kafaz në shi dhe në të ftohtë, pa ushqim.

“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar nga raportimet se gratë dhe vajzat palestineze të ndaluara gjithashtu kanë qenë subjekt i disa formave të ngacmimit seksual, si zhveshja e tyre dhe kontrollimi nga ana e oficerëve izraelit burra. Së paku dy gra palestineze të ndaluara dyshohet se janë përdhunuar ndërsa tjerat dyshohet se janë kërcënuar me përdhunim dhe dhunë seksuale,” thanë ekspertët. Ata gjithashtu shtuan se janë shkrepur fotografi të grave të ndaluara në rrethana degraduesee dhe janë publikuar në rrjetet-sociale.

Ekspertët gjithashtu kanë ngritur shqetësim se një numër ende i panjohur i grave palestineze, përfshirë edhe fëmijëve, dyshohet se janë humbur pas kontakteve me ushtrinë izraelite në Gaza.

“E rikujtojmë Qeverinë e Izraelit për obligimin e tyre për të mbrojtur të drejtën e jetës, sigurisë, shëndetësisë dhe dinjitetit të grave dhe vajzave palestineze dhe të sigurohet që asnjëra prej tyre nuk është subjekt i dhunës, torturës, trajtimit çnjerëzor ose degradues, përfshirë edhe dhunës seksuale” thanë ekspertët.

Ata bënë thirrje për investigim të pavarur, paanshëm, të shpejtë dhe efektiv për këto akuza si dhe që Izraeli të bashkëpunojë në procesin e investigimit.

*Ekspertët: Reem Alsalem, Raportues Special për dhunën ndaj grave dhe vajzave, shkaqet dhe pasojat e saj; Francesca Albanese, Raportuese Speciale për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967; Dorothy Estrada Tanck (Kryesuese), Claudia Flores, Ivana Krstić, Haina Lu dhe Laura Nyirinkindi, grupi i punës për diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Izraeli filloi me sulmet në Gaza pasi një grup palestinez Hamas më 7 tetor të vitit 2023 organizoi një sulm në Izrael, ku të vrarë ngelën së paku 1,139 persona, sipas burimeve të autoriteteve izraelite.

Të tjera