Shkup, nga 20 deri më 26 nëntor testime falas për burrat për sëmundje seksualisht të transmetueshme

Burrat në Maqedoninë e Veriut nga 20 deri më 26 nëntor mund të testohen falas për infeksionet seksualisht të transmetueshme në qendrën rinore “Dua të di” në Vodno – Shkup, dhe t’i marrin rezultatet për vetëm 20 minuta, këtë e bënë të ditur nga organizata joqeveritare “HERA”.

Shpesh herë infeksionet seksualisht të transmetueshme nuk kanë fare simptome, por edhe kur shfaqen, ka tendencë që të anashkalohen për shkak stigmatizimit që lidhet me shëndetin seksual dhe riprodhues. Kur bëhet fjalë për këtë, shpesh ndodh që burrat të shmangin ekzaminimet dhe analizat e rregullta, gjë që çon në situata të rënda dhe trajtim më të vështirë spitalor.

Vesna Matevska nga HERA theksoi se inkurajojnë djemtë dhe burrat që janë që janë seksualisht aktiv të shkojnë në qendrën tonë rinore “Dua të di” – Vodno për ekzaminim falas nga dermatovenerologu.

“Të bëjnë paketë analizash falas për sifiliz, gonorre dhe klamidia, si dhe test të shpejtë për HIV. Testet janë falas dhe konfidenciale, dhe rezultatet janë gati në vetëm 20 minuta! Nëse është e nevojshme, ata mund të marrin edhe këshilla konfidenciale për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të marrin broshura informative dhe prezervativë”, tha Vesna Matevska.

Nuk mund të flasim për mirëqenie të plotë fizike, mendore dhe sociale nëse neglizhohet shëndeti seksual dhe riprodhues. Këtë e theksoi doktor Velimir Saveski nga Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile.

“Java Evropiane e Testimit është vetëm një kujtesë se testimi për infeksionet seksualisht të transmetueshme duhet të shihet si pjesë e kujdesit për shëndetin tuaj. Teste të tilla, përfshirë edhe për HIV-in, mund të bëhen edhe në ambulancën HIV të Klinikës për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, në mënyrë anonime dhe konfidenciale”, tha Velimir Saveski.

copy-of-untitled-design.png

Fushata realizohet nën projektin “Kujdesu për veten” nga Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtime “HERA” me mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Javës Evropiane të Testimit për të inkurajuar djemtë dhe burrat që të testohen rregullisht dhe të kujdesen për shëndetin e tyre seksual.

Kujtojmë që edhe muaji nëntor njihet si muaji për rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin e burrave.

Që vetëdija është e ulët në vend për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, Hera thekson se tregues është fakti që se çdo i treti i infektuar me HIV në vend nuk e njeh statusin e tij HIV pozitiv, pra nuk është në dijeni që është HIV pozitiv.

“Prandaj është e rëndësishme testimi i rregullt për HIV-in: kjo është e vetmja mënyrë për të përcaktuar statusin e HIV-it dhe për të filluar terapinë për HIV, e cila është e disponueshme dhe falas në vendin tonë dhe me të cilën personat me HIV mund të jetojnë jetë cilësore dhe të gjatë”, thonë nga HERA.

Nga atje theksojnë se tregues tjetër i ndërgjegjësimit të ulët është shkalla shqetësuese e përdorimit të mbrojtjes gjatë marrëdhënieve seksuale te të rinjtë. Gjegjësisht, shumica e të rinjve nga mosha 20 deri në 24 vjeç (36%) praktikojnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura, që mund të çojë jo vetëm në shtatzëni të paplanifikuar, por edhe në infeksione seksualisht të transmetueshme.

Mungesa e kujdesit shëndetësor te djemtë është kryesisht për shkak të mënyrës se si ata socializohen që në moshë të hershme. Për shkak të qëndrimit të ndërtuar nga shoqëria se ata duhet të jenë të fortë dhe “burra” për të përballuar sfidat e jetës, djemtë mësohen se nuk duhet të tregojnë dhe të flasin për ndjenjat e tyre apo të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje

Ndryshe, Mollëkuqja së fundmi raportoi për gjendjen alarmante të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq së fundmi në vend ka pasur edhe epidemi të disa sëmundjeve seksuale, ndërkaq qytetarët nuk janë mjaftueshëm të informuar për këtë problematikë.

Të tjera